Edi Rama i dashuruar me fshatin Qeparo (foto)
Edi Rama ka postuar disa foto nga Qeparo dhe Himara, një zonë turistike në zonën e Bregut (Jug) që po njeh ndryshim dhe zhvillim fantastik falë dashurisë së Ramës për këtë bregdet. Eshtë fat kur ke një kryeministër të dashuruar me bregdetin tënd. Nuk mungojnë paratë për investime.
-Si nuk ra në “dashuri” me “Ranën e hedhun!”- thotë një banor i Tales në Lezhë.- Do ndryshonte krejt zona e bregdetit në Lezhë. Por ka dashuri në Jug.
Tur në Jug ditën e dielë
Për Shqipërinë turistike 2016 dhe masat e ndërmarra nga qeveria për të mikpritur fluksin gjithnjë në rritje të turistëve dhe vizitorëve në të gjithë vendin, u organizua në kalanë e Lëkurësit, Sarandë aktiviteti “Albania go your own way”, ku ishte i pranishëm kryeministri Edi Rama, ministrja e Ekonomisë Milva Ekonomi, ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, drejtues të pushtetit vendor, etj.
Ministrja e Ekonomisë Milva Ekonomi përmes shifrave, faktoi interesin e shtuar vit pas viti të turistëve dhe vizitorëve, për të eksploruar Shqipërinë.
“Mund të themi me shumë kënaqësi që ne kemi arritur të kemi rreth 3 milion e 950 mijë turistë në vitin 2015. Kemi rritur numrin e turistëve që na vijnë nga vendet europiane me 12%. Kemi pasur një rritje të katër mujorit të parë të 2016 me gati 14% të numrit të turistëve, prandaj projeksionet janë shumë të mira për këtë vit. Siç thotë edhe Shoqata Ndërkombëtare e Turizmit dhe Udhëtarëve ne pretendojmë për këtë vit që kontributi i turizmit në GDP të jetë më i lartë dhe pretendojmë të japim 5500 vende të reja pune në turizëm.”
Duke vlerësuar shërbimin shëndetësor, si një aspekt të rëndësishëm, të sezonit turistik Ministri i Shëndetësisë u shpreh se, përveç masave të cilat janë ndërmarrë nga Ministria në këto 3 vjet, siç është procesi i dezinsektimit, apo mbështetja me urgjencë turistike 24 orë, -do të shtohet numri i qendrave shëndetësore për të zgjeruar mbështetjen me shërbim shëndetësor.
Kryeministri Rama vuri theksin në shfrytëzimin maksimal të potencialeve që këto zona ofrojnë, natyrore, historike e kulturore, në mënyrë që të rritet fuqia e tyre atraktive. Ai tha se me investimet e bëra për herë të parë, pas dekadave të tëra të lëna në harresë, në fshatra turistikë si Himara, Qeparoi, dhe me projektet në zhvillim e sipër për fshatrat, Vuno, Dhërmiu i Sipërm, Jalë, etj, pamja që ato ofrojnë është krejtësisht e transformuar, dhe tërheqja për turistët shumë herë më e madhe.
Duke vlerësuar arritjet e deritanishme në sektorin e turizmit, kryeministri theksoi se megjithatë mbetet shumë për të bërë.
Rama kërkoi që për t’ju përgjigjur sa më mirë kërkesave në rritje të turistëve sidomos nga Evropa Veriore dhe Qendrore, të bashkërendohet puna mes bashkive me njëra tjetrën, si dhe mes tyre e ministrive të linjës.