Edi Rama: Konferenca e Donatorëve do jetë e suksesshme

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka dhënë detaje të reja pas vizitës që zhvilloi në Bruksel, ku u takua me Presidenten e Komisionit të Bashkimit Europian, Ursual von der Leyen, e cila njëherësh është edhe organizatorja e “Konferncës së Donatorëve”. Në një intervistë për Euronews Albania, shefi i qeverisë shqiptare nga Brukseli pohoi se ka shpresa të mëdha nga Konferenca e Donatorëve, e cila do të mbahet në 17 shkurt dhe që ka për qëllim mbledhjen e fondeve për zonat e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri.

Juve u takuat përveç kancelares Merkel dje me gjermanen Ursula von der Leyen, cilat janë pritshmëritë për Konferencën e Donatorëve fillimisht, a do të arrihen objektivat, si doli biseda e djeshme?

Ne patëm një bisedë shterruese me Presidenten e Komisionit, e cila është organizatorja e konferencës, që ka ftuar të gjithë vendet e Bashkimit Europian dhe përtej vendeve të BE, që të bashkohen në një tryezë për të mbështetur Shqipërinë dhe kemi besim që konferenca do të jetë një sukses, edhe pse e dimë shumë mirë përpara dhe e kam thënë qysh në fillim se nevojat e të gjithë procesit nuk do mund të përmbushen nga konferenca, por sidoqoftë, një pjesë e nevojës është më se e mjaftueshme dhe për me tepër e rëndësishme që BE dhe vende e tjera të jenë me ne në këtë rrugëtim.

A do të vijojnë vizitat në vende e tjera, siç bëtë në Gjermani për lobim për këto fonde?

Unë jam në kontakte të vazhdueshme me këdo që është i përfshirë në listën e Presidentes së Komisionit dhe ky rrugëtim për të sensibilizuar dhe për kërkuar mbështetje është një domosdoshmëri, kështu që, sikundër kam takuar Kryeministrin e Italisë apo Kancelaren, besoj që do të kem disa takime të tjera dhe përfitoj nga rasti që t’iu them të gjithë atyre shprehen se “ kjo do duhej bërë vetë, se nuk kemi pse të lypim lart e poshtë”. Që e para, po të ishte për shtëpinë time nuk do t’i shtrija dorën askujt, por këtu bëhet fjalë për shtëpinë tonë të përbashkët. E dyta, që në raport me madhësinë dhe mundësinë tonë, ky është një operacion që asnjë vend nuk do ta kishte përballuar thjesht i vetëm, se për ndryshe nuk do të kishte BE-ja mekanizma solidaritetit për raste të fatkeqësive natyrore, se kur ndodh diçka në një vend, të gjithë vendet bëhen bashkë dhe mbështetësin atë vend.

Kur flasim për BE, a prisni që Komisioni do ta bëjë ende rrugën më të pjerrët rrugën drejt anëtarësimit?

Jo, e mira është që komisioni i ri ka studiuar të gjithë dosjen tonë dhe ka arritur një të njëjtën konkluzion që: Shqipëria meriton të hapë negociatat për anëtarësim”, por e dimë shumë mirë se kjo nuk është një çështje e Shqipërisë dhe as e Maqedonisë së Veriut, kjo është një çështje e brendshme e BE dhe nëse procesi i brendshëm dhe debati mbi metodologjinë do të avancojë dhe do të konkludojë, mundësitë janë të mëdha, Por, unë nuk dua që të rris asnjë pritshmëri, pasi besoj që ne do të bëjmë atë që kemi bërë si u hapën, si s’u hapën negociatat.

SHKARKO APP