Edi Rama: Në Major i Ushtrisë tonë në trafikun e drogës

Nga Edi Rama

(Fjala sot në Kuvend për rrëzmin e helikopterit në Spanjë)

E mora fjalën, sepse përpara pak minutash Ministria e Jashtme është njoftuar lidhur me një ngjarje të rëndë, ndodhur në Spanjë, ku strukturat e Gardës Civile Spanjolle kanë rrëzuar një helikopter që transportonte drogë nga Maroku drejt Spanjës dhe piloti i helikopterit është një Major i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Duke marrë shkas nga kjo, kam një pyetje shumë të thjeshtë; Ky Major është në strukturat e Forcave të Armatosura prej 18 vjetësh, gradën e Majorit e ka marrë në vitin 2009 dhe është një ndër pilotët më të besuar të Forcave tona të Armatosura. Çfarë sensi ka që ne t’i hyjmë një grindjeje, a është Majori juaj apo është Majori ynë?

Këtë pyetje e bëj për të shkuar pak më tutje, lidhur me diskutimin absurd që u zhvillua këtu dhe me përpjekjen absurde për të mohuar një avancim serioz, të vendosur dhe të gjithëpranuar botërisht, Shqipërisë, në një luftë të paepur të shtetit me krimin dhe posaçërisht me drogën. Sigurisht që, të gjitha qeveritë, edhe qeveria paraardhëse mund të rendisin rezultatet e tyre. E sigurisht që, lufta me krimin apo lufta me drogën nuk ka filluar në 23 qershor të vitit 2013, por e ka shoqëruar rrugën e përpjekjes së shtetit prej vitesh. Ama, është e paimagjinueshme që të mund të vihet në diskutim se me votën e 1 milion shqiptarëve në 23 qershor 2013 dhe me krijimin e qeverisë së “Aleancës për Shqipërinë Europiane” beteja me krimin dhe me drogën ka hyrë në një fazë të panjohur më parë dhe ka shënuar rezultate që deri përpara 23 qershorit ishin të paimagjinueshme. Ishte e paimagjinueshme që Lazarati, mbretëria e drogës, botërisht e njohur si e tillë dhe e pranuar nga qeveria paraardhëse si një krahinë “de facto” autonome, e paregjistruar në Prodhimin e Brendshëm Bruto të Shqipërisë, të fshihej nga harta e Europës, të fshihej nga harta e Shqipërisë dhe të fshihej nga fytyra e njollosur si s’ka më zi e vendit tonë, e shoqërisë tonë dhe e shqiptarit si i tillë, në Shqipëri apo nëpër Europë, ku Lazarati ka tërhequr më shumë gazetarë, ka tërhequr më shumë kameramanë dhe ka prodhuar më shumë kronika për Shqipërinë sesa të gjitha përpjekjet e bëra për të propaganduar “Shqipërinë 1 euro” apo për të propaganduar “Shqipërinë destinacion turistik”. Përpjekja për të mohuar këtë është një përpjekje impotente e një grupi impotentësh që përmes një politike impotente kërkon të imponojë diçka që askush nuk mund ta marrë seriozisht. 

Ashtu sikundër lufta kundër drogës në tërësi ka regjistruar një progres të njohur botërisht nga ata të cilët deri dje ndërprenë marrëdhëniet e bashkëpunimit me Policinë e Shtetit shqiptar. Polici partnere të vendeve fqinje, të cilët ngrinë marrëdhëniet e bashkëpunimit me Policinë e Shtetit shqiptar, për arsyen e thjeshtë se Policia e Shtetit shqiptar u bë aksionere në gjithë industrinë e prodhimit të drogës dhe në të gjithë përpjekjen e botës së krimit për ta dominuar këtë vend. Ka një shifër shumë domethënëse që nuk është dhe unë mendoj se ne nuk duhet ta rendisim në meritat e veçanta të Policisë së Shtetit tonë dhe të qeverisë sonë lidhur me të kërkuarit ndërkombëtarisht. Një shifër, e cila ka bërë që menjëherë pas zgjedhjeve të 23 qershorit mua të më takojnë disa përfaqësues të vendeve të Bashkimit Europian dhe posaçërisht të vendeve fqinje për të më kërkuar nëse ne kishim vendosmërinë që ta shikonim seriozisht, duke i dorëzuar drejtësisë ndërkombëtare, duke i dorëzuar drejtësisë së vendeve që kërkojnë këtë soj kriminelësh, ata të cilët endeshin lirisht në Tiranë dhe për këtë paguanin drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit. Se më kë i ndanin paratë këta të fundit, kjo është një çështje që nuk do të zbulohet kurrë, por nuk është e vështirë për ta parafytyruar.

E pra, vetëm në 12 muaj qeverisje ne e kemi rritur me 20% numrin e të kërkuarve ndërkombëtarisht që i janë dorëzuar drejtësive të vendeve ku kanë kryer krimin. Nga ana tjetër, sot jemi në kushtet e një bashkëpunimi që po jep fryte dhe do të vazhdojë të japë fryte edhe në të ardhmen, me policitë e vendeve partnere. Pas operacionit të Elbasanit, unë kam marrë personalisht, nga nivelet më të larta të vendeve partnere falenderimet e përgëzimet për, citoj, “rezultatin e paimagjinueshëm vetëm një vit e gjysmë përpara”. Citoj: “E paimagjinueshëm vetëm një vit e gjysmë përpara”. Çka do të thotë se Shqipëria nuk u bë vendi i drogës pas 23 qershorit. Shqipëria u bë vendi i drogës për vite të tëra. Shqipëria u njoh ndërkombëtarisht si vend i drogës jo sepse në vendet e tjera nuk ka drogë, jo sepse në vendet e tjera nuk ka tranzit droge, jo sepse në vendet e tjera nuk ka rrjet të organizuar narkotrafikantësh, jo sepse rrjeti ynë i narkotrafikantëve ishte një rrjet patriotik lokal që s’kishte lidhje me rrjetet ndërkombëtare, por sepse ndryshe nga gjithë vendet e tjera, pjesëmarrëse në këtë aktivitet ishte qeveria dhe ishte Policia e Shtetit. Për këtë arsye Shqipëria u nda veç nga gjithë të tjerët, nga të gjithë vendet e rajonit ku problemi i luftës kundër drogës është po kaq i mprehtë sa këtu, nga të gjithë vendet që janë të integruara në BE prej ish perandorisë komuniste apo në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian, ku problemi i luftës me drogën është po kaq i mprehtë sa këtu, por ndryshe nga këtu qeveritë dhe policitë ishin ballë për ballë me krimin dhe rrjetet e narkotrafikantëve dhe jo aksionere në të ardhurat nga veprimtaria kriminale dhe nga droga.

Tani, të çohesh e të insistosh që Lazarati, Dukagjini, Elbasani, për të cituar operacionet më të mëdha, por edhe i gjithë aktiviteti i fuqishëm dhe i vendosur antidrogë dhe antikrim i Policisë së Shtetit nuk janë rezultate të dukshme dhe të prekshme të një politike tërësisht të re në luftën kundër krimit, është fat për ne si qeveri, por është fatkeqësi për të gjithë ata që ju kanë votuar dhe ju kanë besuar që këtu përpiqeni të sillni zërin e tyre dhe të na sfidoni me alternativën tuaj. Dhe, jo sa herë ngriheni ta bëni të zezën të bardhë dhe të bardhën të zezë duke thënë gjëra që edhe vetë nuk i besoni. Ndërkohë para dy ditësh, për herë të parë të paktën në sa është e regjistruar si veprimtari në Policinë e Shtetit dy patrulla policie kanë ndaluar dhe kanë marrë masat ligjore për dy persona të cilët i kanë ofruar policisë ryshfet. Është hera e parë. Ndërkohë, është hera e parë në 20 vjet që pas ardhjes së një qeverie të re në pushtet në Policinë e Shtetit janë ndaluar dhe janë proceduar penalisht mbi 300 punonjës policie, për veprimtari antiligjore të të gjitha natyrave. Është e hera e parë që kjo Polici Shteti, që rëndom akuzohet si instrument i vendosjes së një shteti policor, betejën për të vendosur ligjshmërinë e bën brenda vetes me po të njëjtin intensitet që e bën edhe jashtë saj. Janë 897 policë të tjerë të ndjekur me masa disiplinore, ashtu sikundër janë 1219 punonjës policie, mbi 10% e Policisë së Shtetit që janë nën hetim, proceduar për shkelje të natyrave të ndryshme, por që përbëjnë shkelje të Kodit Penal dhe të ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Sigurisht që, ne s’kemi asnjë llogari të drejtë me veten nëse krahasohemi me ju. Krahasimi me ju është fyerje për inteligjencën tonë dhe mohim i të drejtës të atyre që na kanë votuar për të marrë nga ne atë që kanë kërkuar. Ne, sigurisht, krahasimin me ju do ta bëjmë vetëm për t’i kujtuar njerëzve se kush jeni ju, në raport me shtetin, në raport me ligjin, në raport me aftësitë për të marrë në dorë jo fatin e një vendi, por për të marrë në dorë dhe fatin e një fshati.

Por, nga ana tjetër krahasimin do ta bëjmë paralelisht me vendet e Europës ku duam të integrohemi, duke filluar me vendet e rajonit. Shifrat tona të vrasjeve, të krimeve, nuk janë shifra që fabrikohen siç fabrikoheshin deri dje, por janë shifra që monitorohen ngushtësisht nga partnerët tanë ndërkombëtarë. E unë që i marr gjithmonë me një rezervë të natyrshme raportet ndërkombëtare, do t’ju kujtoja vetëm raportin e Freedom House të një dite më parë që flet qartësisht për një vendosmëri të re dhe për rezultatet të ndjeshme, në luftën pikërisht kundër krimit dhe kundër drogës.

Ndërkohë që për sa i përket vrasjeve, në vrasjet për 100 mijë banorë siç është statistika e zakonshme dhe duke marrë shifrat tuaja, pa i kontestuar dhe pa ju thënë që i keni fabrikuar apo i keni rregulluar, pra shifrat tuaja, shifrat e kohës që kur qeverisnit ju nga viti 2010. Në vitin 2010 keni pasur ju, me dorën tuaj të shkruar 2.99 vrasje për 100 mijë banorë. Në 2011 keni pasur 3.11 vrasje për 100 mijë banorë. Në 2012-ten keni pasur përsëri 3.11 vrasje për 100 mijë banorë. Në 2013-tën numri i vrasjeve ka rënë 41% vetëm në tre muajt e fundit, pra në tremujorin e qeverisjes sonë, numri i vrasjeve ka qenë 2.38 dhe në 2014, numri i vrasjeve është 2.24.

Me këtë shifër 2.24, por po të doni edhe me 2.38, ne kemi hyrë në mesataren e rajonit. Nuk jemi ndër më të mirët, por nuk jemi as të fundit. Mjafton t’ju citoj shifrën zyrtare të Malit të Zi që i ka vrasjet 2.74 për 100 mijë banorë dhe nuk po hyj të citoj të tjerët. Ashtu sikundër me këtë shifër jemi larg standardeve mesatare të shumicës së vendeve të BE, por nuk jemi të fundit as dhe të krahasuar me të gjitha vendet e BE. Po citoj Lituaninë që e ka më të lartë se ne. E rëndësishme është që duke zbritur nga 3-shi plus, që ishte mesatarja juaj, tek 2-shi plus që është mesatarja jonë, ne kemi hyrë në një rrugë ndryshimi të qëndrueshëm.

Ka dhe një të dhënë tjetër që vlen për të gjithë qytetarët, struktura e motiveve të vrasjeve, është ajo që duhet të na bëjë të reflektojmë, jo për Policinë e Shtetit, – e cila ju siguroj që në fund të këtij mandati do të na japë një tërësi rezultatesh që deri më 23 qershor as nuk mund të imagjinoheshin që do t’i kishte Shqipëria, – por për shoqërinë tonë dhe për qeverisjen tonë duke adresuar jo vetëm krimin në betejën ballë për ballë, por edhe shkaqet e krimit, shkaqet e trashëguara të krimit.

60% e vrasjeve janë për motive familjare, çka në strukturën e vrasjeve të vendeve të tjera përbën një shifër shumë më të ulët. Në motivet familjare dominojnë motivet e pronësisë dhe çorapin me pronën nuk e bëri “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, nuk e pamë të shfaqet me ardhjen tonë në qeveri. Se kush e bëri çorapin me pronën, e dinë të gjithë shqiptarët, madje unë nuk guxoj as të them e bëri PD, se në këtë pikë dhe PD s’ka faj. Fajin e ka, kush e ka, dhe PD e di mirë, por refuzoj të shkoj dhe më thellë se është ajo fjala: “mos e prek se vjen erë”.

Së fundi, lidhur me tërësinë e figurave të rezultateve që kanë të bëjnë me krimin, unë po ju them shumë thjesht, janë jo të pakrahasueshme, por janë aq të pakrahasueshme sa që është e pabesueshme që këto ndryshime të kenë ndodhur brenda një viti dhe më pak se një viti e gjysmë. Pra, janë të pakrahasueshme rezultatet lidhur me personat në kërkim të kapur, lidhur me armët e zjarrit të sekuestruara, lidhur me lëndën eksplozive të sekuestruar, lidhur me gjithë pjesën tjetër, pa hyrë fare tek droga, pastaj se aty është e kotë të bëjmë krahasime, se duket vërtet sikur po krahasojmë Shqipërinë me Kolumbinë. Duket vërtet sikur janë shifrat e Kolumbisë ato që ishin para 23 qershorit dhe ndërkohë shifrat tona, të njohura ndërkombëtarisht, flasin për një ndryshim rrënjësor të raporteve mes shtetit e krimit.

Nëse më pyesni a jam unë i kënaqur; Jo, nuk jam i kënaqur. E nëse më pyesni se çfarë presim për këtë vit, vitin tjetër e tjetër, po ju them se nuk presim vetëm një transformim në shifra, por presim një transformim rrënjësor të marrëdhënies së Policisë së Shtetit me detyrën dhe të mjeteve për të kryer detyrën.

Brenda këtij viti në të gjitha rrugët e Shqipërisë do të vendoset më në fund pas kaq shumë vitesh sistemi i monitorimit online të të gjitha akseve, për t’u shtrirë më pas në të gjitha zonat urbane të Shqipërisë, por brenda këtij viti nuk do të ketë më mundësi për të diskutuar “nga iku”, “ku iku”, “a ishte këtej a ishte andej” dhe për të dëgjuar lahutën me historitë, “doli një kreshnik nga ana e malit, doli dielli, pastaj diellin e zuri zana e malit”, por për të dokumentuar në mënyrë sistematike dhe në kohë reale çdo automjet dhe çdo targë që lëviz në rrugët nacionale, dhe çdo gjë që ndodh në rrugët nacionale, jo vetëm në funksion të luftës me krimin, por dhe në funksion të të gjitha shkeljeve të rregullave të qarkullimit në Republikën e Shqipërisë, çka do të bëjë që jo vetëm të mos kemi asnjë punonjës policie që të abuzojë me qytetarin duke vendosur gjoba arbitrare apo duke bërë ndalime arbitrare, por do të kemi mundësinë që çdo qytetar ta shikojë me sytë e tij, sa herë ta kërkojë, se ku e ka bërë shkeljen, çfarë shkelje ka bërë dhe pse e meriton gjobën që ka marrë.

Brenda këtij viti, në të gjithë territorin e Tiranës, policët që janë në kontakt me qytetarët, policët e patrullave dhe policët rrugorë do të pajisen me kamera në trup, çka do të bëjë që i gjithë komunikimi, e gjithë veprimtaria e gjithë patrullave të policisë dhe e gjithë policëve që janë në kontakt me qytetarin do të jetë e regjistruar dhe e monitorueshme online. Në këtë aspekt është avantazhi i madh i kohës dhe mundësia e më të prapambeturve që të bëjnë gjëra që edhe më të përparuarit po i bëjnë sot. Ky është një hap shumë i madh përpara të cilin sot janë duke e bërë dhe vende më të përparuara, por ky është një hap që do të na mundësojë më në fund që për çdo lloj rënie të lahutës ne të kemi teknologjinë e re. Pastaj populli të shikojë punën reale dhe të gajaset sa të dojë me lahutën.

SHKARKO APP