Edi Rama: Një ditë kuqezi në Selanik
“Një ditë kuqezi në Selanik” kështu e ka quajtur Edi Rama, fotoalbumin që ka shpërndarë në rrjetet sociale, nga takimi i sotëm që ai pati me komunitetin e shqiptarëve në qytetin e Selanikut. Siç edhe u përcoll, dje dhe sot, takimi pati disa pengesa nga pala greke, por u finalizua me një pritje emocionuese. Atmosfera kuqezi dominoi peizazhin e këtij takimi. Flamujt u valvitën në qytetin grek. Fjala e kreut të qeverisë u përcoll gjatë gjithë kohës me ovacione dhe duartrokitje.
Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste kërkoi sot votën e shqiptarëve në takimin që zhvilloi në Selanik, me premtimin për ta bërë Shqipërinë anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Europian brenda vitit 2030.
Rama u shpreh se për herë të parë, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, shqiptarët e diasporës kanë të drejtë vote.
Sipas tij, “shqiptarët që jetojnë në Greqi nuk kanë pse udhëtojnë drejt Shqipërisë, për të qenë në qendrat e votimit ditën e zgjedhjeve”.
“Kjo është ditë e veçantë për mua, se ju sot këtu nuk jeni thjesht bashkëqytetarë jashtë atdheut me një të drejtë vote në Shqipëri, që kush ka mundur, e ka ushtruar duke marrë rrugën. Sot jeni votues, që për herë të parë gëzoni të drejtën për të votuar këtu ku jeni, nga shtëpia juaj. Ju e dini që më është dashur të përpiqem gjatë bashkë me shokët e mi, për ta bërë realitet këtë premtim të dhënë kohë më parë, që s’e mbajtëm dot më parë, se ishte e pamundur pa marrë votat e palës tjetër”, tha Rama.
Kryeministri kërkoi votën e tyre në zgjedhjet e pranverës së ardhshme për ta bërë Shqipërinë e 2030-ës, anëtare me të drejta të plota në BE.
“Kërkoj votën tuaj për t’i dhënë Shqipërisë të njëjtën mundësi që ju i keni dhënë familjeve tuaja, që të përfitojë nga jetesa brenda familjes europiane, për të bërë të mundur që së bashku me shqiptarët e Shqipërisë, dhe kudo, të ngremë flamurin e Ismail Qemalit në Bruksel brenda kësaj dekade”, u shpreh Rama.
Kryeministri Edi Rama deklaroi po ashtu se Partia Socialiste është e vetmja forcë që di se çfarë të bëjë për të ndryshuar realitetin, ndërsa i cilësoi forcat e tjera politike si “maska të Sudes”.
“Të ishte për ato forca të tjera, jo vetëm ato më fytyra të vjetra, por edhe të reja, ato që dalin dhe ua bëjnë fushë me lule, ju them se janë “maska të Sudes”. Pas tyre është “Sudja”, si kulturë politike. Janë njësoj si Sudja, që pasi i zhyti të gjithë në borxhe dhe i hodhi në humnerë, më pas doli te sporteli e tha që loja mbaroi”, tha Rama.
Rama tha se nuk ka lojë për të filluar me asnjë prej tyre, sepse loja e të gjithë atyre ka mbaruar.
“Sot Shqipëria është e ulur në tryezën e negociatave për anëtarësim në BE. Sot Shqipëria është një histori ndërkombëtare suksesi jo vetëm me rritjen më të lartë në Europë të turizmit, por edhe portën e hapur të mikpritjes për samitet e BE-së, samitin e Komunitetit Politik vitin e ardhshëm, samitin e NATO-s pas dy vitesh të tjera. Shqipëria e ulur në tryezën e Këshillit të Sigurimit në OKB, në krye të OSBE-së, në Këshillin e të Drejtave të Njeriut në Kombet e Bashkuara”, shtoi Rama.
Duke iu drejtuar emigrantëve shqiptarë në Greqi, Rama tha se ajo që sot iu jep Shqipëria është krenaria e të qenit shqiptar.
“Mos e harroni kurrë se Greqia është shtëpia juaj, njësoj siç është e grekëve”, shtoi ai.
“Nuk kam ardhur t’ju them se Shqipëria është bahçe me lule, se nuk është e tillë. Apo t’ju them se nuk ka probleme, se ka shumë, as që ne kemi bërë gjithçka, por kam ardhur t’ju them se unë besoj se kemi bërë aq sa për ta merituar besimin që të vazhdojmë të bëjmë, duke ju treguar se dimë ta shikojmë realitetin me sytë tuaj dhe dimë çfarë duhet bërë për ta ndryshuar akoma më shumë. Jemi të vetmit që dimë se si duhet bërë”, tha Rama.