Edi Rama nuk bën dot 84 vota

 

Shumica qeverisëse ka përballë një sfidë të vërtetë në kuvend atë të grumbullimit të 84 votave të nevojshme për miratimin e dy Kodeve : atë rrugor dhe ate penal i cili përmban dhe gjithë thelbin e luftës së qeverisë me informalitetit pasi parashikon forcimin e ndëshkimeve. Idenë e një mos-sigurie të thellë për unitetin e 84 votave e krijon fakti që Kodi Rrugor ndodhet në kuvend për miratim që prej qershorit dhe asnjëherë nuk është e hedhur për votim. Ndjekim analizën e Klementina Cenkollarit.

Pavarësisht këmbënguljes për tu shfaqur si një mazhorancë solide, shumica qeverisëse duket se po has vështirësi në konsolidimin e votave në Kuvend. Shenja më e qartë e një situate të tillë është drafti i pamiratuar i Kodit Rrugor i cili qëndron në kuvend që prej 4 muajsh madje dhe i përfshirë në kalendarin e votimit rregullisht.

Shumica nuk ka guxuar në asnjë seancë që prej qershorit ta hedhë në votim kodin për të cilin duhen 84 vota që të miratohet, duke treguar kështu një shenjë të fortë lëkundjeje se këto vota nuk i ka.

Këtë e konfirmon edhe shqetësimi i kryeministrit në mbledhjen e grupit kuvendor ku i urdhëroi deputetët të jenë të pranishëm në çdo seancë si dhe të njoftojnë para largimit jashtë vendit.

Këtë situate e ndërlikojnë edhe më tej ndryshimet e qeverisë në kodin penal të cilat i shkojnë përshtat betejës së saj me informalitetin duke propozuar forcimin e ndëshkimeve në burg për biznesin por edhe për administratën tatimore.

Shumica kuvendore në këtë rast ka një pengesë të re në grumbullimin e 84 votave të vlefshme për të miratuar kodin penal pasi LSI e cila zotëron 20 vota, ka shfaqur kundërshti të hapur në komision lidhur me ndëshkimet.

Mazhoranca , duket në këto kushte numrash se është përballë një sfide të vërtetë, kur i duhet të ballafaqojë unitetin e saj, me kartonat në Kuvend.

SHKARKO APP