Edi Rama premtoi një nismë ligjore për regjistrimin në Shqipëri të fëmijëve të prindërve që u deklaruan si kosovarë

Edi Rama ka dhënë lajmin për emigrantët në Britani se së shpejti do të ketë një nismë ligjore për regjistrimin pa telashe në Shqipëri të fëmijëve të prindërve që u deklaruan si kosovarë.

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se Shqipëria do të vazhdojë përpjekjet diplomatike pranë qeverisë së re britanike për t’u mundësuar të gjithë emigrantëve që kanë një emër tjetër, rikthimin e emrit të babës e të nënës, në të gjitha rastet kur e dëshirojnë këtë.

Gjatë takimit me shqiptarët e Britanisë së Madhe, Rama kujtoi se shumë prej atyre ikën nga gërmadhat e piramidave si refugjatë politikë nga Kosova, duke marrë shkasë nga spastrimi etnik në Kosovë.

“Ishte viti i egër 1999 kur refugjatët nga Kosova u dyndën drejt Shqipërisë për ti shpëtuar mizorisë së spastrimit etnik që ngriti kasapi i Beogradit. Populli shqiptar ende i plagosur nga tërmeti i piramidave famëkeqe të 1997, u ngrit në këmbë për ti mikpritur, strehuar e mbrojtur çdonjërin prej gjysmë milionë shqiptarëve të Kosovës që sosën në vendin tonë me zemrën e djegur nga flakët e shtëpive dhe veç me rrobat e trupit”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se ishte pikërisht në atë kohë kur shumë prej nesh që iknin nga gërmadhat e piramidave udhëtuan drejt Britanisë së Madhe ku u regjistruan si refugjatë politikë nga Kosova për të fituar letrat e qëndrimit dhe të drejtën për të punuar.

“Sot është kollaj të thuhet se ata nuk duhet të ishin fshehur në radhët e refugjatëve politikë dhe duhet të kishin qenë të sinqertë për statusin e tyre si emigrantë ekonomikë. Sot është kollaj të thuhet se ata abuzuan me sistemin e këtushëm duke ndërruar emër e mohuar vetveten prej nevojës për tu paguar nga një punë sado e vështirë dhe ndërtuar një jetë sadopak më të mirë. Por vetë ndarja mes refugjatëve politikë dhe atyre ekonomikë jo thjesht në kushte si ato të atij viti e të asaj kohe, por në çdo kohë, është vetëm një mjet për të justifikuar përjashtimin shoqëror dhe për të udhëhequr politikën e frikës nga tjetri në një Europë që është e kapur moralisht në kurthin e politikës dritëshkurtër të zgjedhjeve të radhës”, tha Rama.

SHKARKO APP