Edi Rama: Progresi i procesit të Berlinit dhe sfidat deri në fund të vitit

 

Nga Edi Rama.

Disa aspekte të rëndësishme që besoj vlejnë një nënvizim në këtë moment, i cili gjykoj se ka një rëndësi të veçantë për ecurinë e mëtejshme në katër-mujorin e fundit të këtij viti.

Së pari, dy fjalë për Procesin e Berlinit dhe për bilancin e stacionit të radhës në Vjenë, ku besoj se ia kemi dalë të shtyjmë përpara një proces prej të cilit, Shqipëria dhe rajoni kanë një përfitim të drejtpërdrejt, jo vetëm politik, por edhe ekonomik. U bë një bilanc i progresit politik dhe pa as më të voglin dyshim, që nga Konferenca e Berlinit deri në Konferencën e Vjenës është shënuar një progres i jashtëzakonshëm politik në rajon. Faktikisht, i pakrahasueshëm me çfarë është shënuar në shumë vite të marra sëbashku, përpara ndërmarrjes së kësaj nisme nga Kancelarja Merkel.

Ajo që vlen për t’u theksuar është se tanimë kemi hyrë në një fazë ku progresi i gjithëpranuar politik ka shërbyer për të rritur vëmendjen dhe interesin për të çuar më tutje mbështetjen ekonomike dhe financiare për rajonin, në planin e bashkëpunimit ekonomik rajonal. Ka marrë përfundimisht terrenin e merituar bindja se nëse secili vend ka detyrat e veta të patjetërsueshme të shtëpisë, në raport me procesin e integrimit dhe me progresin që duhet të sigurojë në çdo sektor, asnjëri prej vendeve nuk e ka të mundur që të financojë bashkëpunimin rajonal në drejtim të infrastrukturës rrugore, në drejtim të rritjes së fuqisë dhe të pavarësisë energjetike të rajonit dhe në drejtim të fuqizimit të rrjetit të arsimit profesional. Për këtë të fundit, ne kemi këmbëngulur fort dhe kemi çelur një kapitull, që gjatë këtij viti, ndërmjet Konferencës së Vjenës dhe asaj të Parisit do të ketë padyshim shtjellime të reja.

Ka qenë bindja jonë dhe e them me kënaqësi që ka marrë mbështetjen e duhur, se nja nga aspektet më të rëndësishme për të rritur forcën tërheqëse të perspektivës dhe forcën shtytëse të shpresës për të rejat dhe të rinjtë e rajonit është fuqizimi i mëtejshëm i rrjetit të arsimit profesional. Ndërkohë që, Shqipëria ka bërë tanimë një reformë transformuese për arsimin profesional, duke adoptuar sistemin dual gjerman. Kanë filluar shenjat e para inkurajuese në jetësimin e kësaj reforme, por sot, edhe për kushtet e mirënjohura në të cilat ndodhemi në raport me papunësinë e të rinjve dhe me fuqinë tërheqëse që ka Gjermania, në radhë të parë, por dhe vende të tjera të Bashkimit Europian, për të rinjtë që natyrshëm nuk e kanë dhe s’kanë si ta kenë durimin për të parë rezultatet e reformave në vite, është e domosdoshme që të ketë një mbështetje të posaçme, qoftë me dije, qoftë financiare, për ta fuqizuar këtë rrjet, duke synuar dy gjëra:

Së pari, që të rrisim numrin e të rinjve që mund të kërkojnë të punësohen dhe mund të punësohen në mënyrë të ligjshme në Gjermani apo gjetkë, ku nevoja për profesione, të cilat sot nuk janë më tërheqëse për të rinjtë e atyre vendeve, është në rritje;

Nga ana tjetër, padyshim për të përfituar në këtë proces, edhe një rritje më të shpejtë të krahut të kualifikuar të punës për zhvillimin e ekonomisë sonë reale.

Ndërkohë që, po ashtu, pas një pune intensive të zhvilluar gjatë gjithë këtij viti, ku është përcaktuar e gjithë harta e ndërlidhjes përmes projekteve të përbashkëta në infrastrukturë, jemi shumë të inkurajuar nga fakti që prioriteti ynë i parë ose Korridori i Kaltër, – e thënë ndryshe autostrada Adriatiko-Joniane, që përfundimisht do të lidhë edhe Shqipërinë në Unazën e Mesdheut, duke bërë të mundur një kalim të standardeve europiane nga jugu i Kroacisë, ku praktikisht ndërpritet autostrada e bregdetit, përmes Malit të Zi e Shqipërisë e pastaj në Greqi, – është vendosur si projekt prioritar, për të cilin fillon studimi i fizibilitetit dhe hartimi i projektit dhe pastaj do të bëhet edhe financimi i tij.

Po ashtu, ne kemi mbështetur projektin tjetër që Serbia e ka pagëzuar me emrin “Rruga e Paqes”, për të sistemuar të gjithë rrugën që ndërlidh Serbinë, Kosovën dhe Shqipërinë përmes aksit Nish-Prishtinë-Durrës, duke bërë të mundur që edhe ky aks të jetë tërësisht i standardeve europiane.

Të dyja këto projekte do të fillojnë me përparësi në kuadrin e projekteve të infrastrukturës së rrugore.

Ndërkohë janë miratuar për financim pesë projekte të rëndësishme në fushën e ndërlidhjes energjetike. Për ne ka qenë një tjetër inkurajim i madh që kemi marrë financimin për interkonjeksionin me Maqedoninë, i cili, bashkuar këtu edhe interkonjeksioni me Kosovën, praktikisht do të fuqizojë në mënyrë të konsiderueshme kapacitetet e Shqipërisë, për të pasur një rol të rëndësishëm në tregun e përbashkët energjetik.

Nga ana tjetër kemi firmosur të gjithë sëbashku, të gjithë vendet e rajonit, projektin e nismës së përbashkët shqiptaro-serbe për bashkëpunimin rinor, bazuar në modelin e bashkëpunimit rinor që mori rrugën pas Luftës së Dytë Botërore, si një nga mekanizmat e konsolidimit të rrugës së përbashkët të paqes dhe bashkëpunimit mes Francës dhe Gjermanisë. Aktin e parë të lançimit në terren të këtij bashkëpunimi është rënë dakord që ta bëjmë pas propozimit tonë, në vigjiljen e ndeshjes së Shqipërisë me Serbinë, në Elbasan.

Janë pritur me interes të posaçëm dhe janë mbështetur fort dy idetë tona;

Së pari, për Unionin Ekonomik mes vendeve të rajonit, që do të thotë unifikimin e të gjitha proceduarve për të pasur një lëvizje shumë më të lirshme, jo vetëm të njerëzve, por edhe të mallrave në të gjithë rajonin tonë. Duke bërë kështu që të kemi falë këtij procesi, një treg rajonal i cili funksionon në bazë të të njëjtave ligjësi që funksionon edhe tregu europian. Duke e përgatitur rajonin në këtë aspekt, në bazë të të gjitha standardeve dhe normave europiane të lëvizjes së produkteve, për të qenë plotësisht i gatshëm për t’u integruar në Bashkimin Europian si i tillë.

Ka marrë një mbështetje të shumëkërkuar prej nesh, edhe ideja për të filluar punën, në bashkëpunim me Bankën Europane për Rindërtim dhe Zhvillim, për ngritjen e një banke rajonale për ndërtim dhe zhvillim, e cila do t’i krijojë vendeve të rajonit mundësinë e një instrumenti tjetër të shtuar për financimin e projekteve të zhvillimit.

Dua po ashtu të informoj se kemi pasur një interesim të veçantë nga ana e partnerëve përsa i përket Reformës në Drejtësi. Kemi marrë jo vetëm përgëzime për procesin e deritanishëm të kësaj reforme si një proces i thellë, shumë serioz dhe gjithëpërfshirës përsa i përket ekspertizës së nevojshme ndërkombëtare, por edhe një shtysë të fortë për ta finalizuar këtë proces, ashtu siç e kemi objektiv të përbashkët brenda kësaj vjeshte.

Duke e mbyllur këtë pikë, sigurisht jam i gatshëm për t’ju përgjigjur çdo pyetje që mund të lidhet me këtë pikë, dua të nënvizoj se siç e kemi paralajmëruar, nesër nis operacioni më i rëndësishëm i këtij mandati; Lufta frontale kundër informalitetit. E cila, nuk fillon nga zero, por kalon në një fazë të dytë vendimtare, për të ulur informalitetin në nivelin e pranueshëm të një vendi normal europian. Do të jetë një luftë frontale, jo kundër biznesit, po në aleancë me të gjithë sipërmarrjen që zbaton ligjet, respekton rregullat dhe paguan taksat dhe në mbrojtje të konsumatorit, që mashtrohet dhe grabitet përditë, kur blen një mall apo një shërbim dhe nuk merr kuponin përkatës.

Është një përpjekje ku ne synojmë jo vetëm të vendosim atë drejtësi dhe atë barazi përpara ligjit dhe në raport me detyrimet që secili të kontribuojë sipas asaj që i takon, siç bëmë edhe me energjinë, – përpjekje që vazhdon, – por nga ana tjetër është një përpjekje për të bërë një kapërcim të detyrueshëm epokal, në raport me të qenit tonë qytetarë të Europës.

Paralelisht do të fillojë edhe reforma e paralajmëruar e ujit, për të sfiduar një trashëgimi shumë të rëndë të të gjithë këtyre viteve tranzicion, ku praktikisht i kemi bërë vetes atë që asnjë vend nuk ia ka bërë vetvetes, duke qenë kaq të pasur me burime ujore dhe duke qenë në të njëjtën kohë, kaq në hall për furnizimin me ujë të pijshëm, për ujitjen dhe njëkohësisht, edhe për pjesën që tanimë e kemi përfshirë në kornizën e duhur, furnizimin me energji elektrike.

Reforma e sistemit të ujit të pijshëm do të jetë një reformë e thellë, në radhë të parë strukturore dhe do të bazohet shumë fort, në avantazhin e madh që na krijuar reforma administratore-territoriale dhe krijimi tanimë i vetëm 61 njësive të reja vendore. Faza e parë e kësaj reforme do të jetë pikërisht ajo çka duhet të bëjmë për të vendosur në një bazë tërësisht të re, ligjore dhe funksionale, të gjithë sistemin e furnizimit me ujë të pijshëm në Republikën e Shqipërisë.

Paralelisht me këtë, për të filluar edhe një proces sensibilizimi, në bashkëpunim të ngushtë me qeveritë e reja vendore, të konsumatorëve, lidhur me faktin që uji njësoj si energjia është mall dhe si çdo mall paguhet.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm është dhe hapja e një kapitulli tërësisht të ri për financimin e zhvillimit të bujqësisë. Qeveria shqiptare do të fillojë në javët në vijim, një proces komunikimi intensiv me të gjithë sipërmarrësit në bujqësi, apo me të gjithë ata që jetojnë me tokën dhe me prodhim bujqësor, për të paraqitur paketën më të madhe të financimit të sipërmarrjes dhe të prodhimit në bujqësi, që fermerët kanë pasur ndonjëherë në dispozicion. Është një paketë që po finalizohet në bashkëpunim me Bankën Europiane për Ndërtim dhe Zhvillim dhe me bankat e nivelit të dytë këtu në vendin tonë, për të çelur një linjë tërësisht inovative dhe të re kreditimi të bujqësisë, duke i dhënë një rol tërësisht të ri shtetit shqiptar, si garant i kredive të marra nga sipërmarrësit dhe fermerët.

Së fundmi, këta muaj, do të jenë edhe muajt e jetësimit të një pakete të konsiderueshme decentralizuese, për t’i kaluar bashkive të reja përgjegjësi të reja dhe njëkohësisht, edhe për t’i dhënë mundësi të reja që të ushtrojnë ashtu siç duhet detyrën e marrë.

Kjo është tabloja e pikave prioritare të axhendës së këtyre katër muajve që kemi përpara deri në mbyllje të vitit dhe mbi këto pika pres me kënaqësi të gjitha pyetjet tuaja.

 

-Duke mbetur tek sektori i ekonomisë, në një raport të fundit të agjencisë ndërkombëtare Fitch, një agjenci që merret me renditjen ekonomike, thuhet për Shqipërinë se në vitet në vazhdim do të ketë një trajektore të ulët të rritjes ekonomike. Çfarë parashikon qeveria për ekonominë e vendit dhe aksioni kundër informalitetit, a do të shoqërohet me politika nxitëse për ekonominë?

Faleminderit shumë! Raporti, të cilit ju i referoheni, ka të bëjë me konvergjencën me Bashkimin Europian. Dëshiroj që të ndaj me ju informacionin se kjo konvergjencë prej vitesh është paraparë si objektiv për vitin 2029 dhe sigurisht që askush nuk ka pse befasohet nëse ritmet e rritjes ekonomike të Shqipërisë janë dhe do të jenë të atilla që nuk do ta bëjnë Shqipërinë, në 5 apo në 10 vitet e ardhshme, një nga vendet e pasura të Bashkimit Europian. Nëse dikush imagjinon të kundërtën, shikon një ëndërr në diell.

Përsa i përket ritmeve të rritjes ekonomike, faktet flasin vetë. Ne sot jemi plotësisht brenda objektivave që deri dje konsideroheshin të pamundur nga ata, të cilët sot thonë nuk mjaftojnë. Jemi kthyer në ritmin e rritjes, kemi pasur 2.8% rritje në tre mujorin e parë dhe vazhdojmë të synojmë objektivin prej 3% në fund të këtij viti, kemi plotësisht të konfirmuar tanimë se rritja ekonomike e 2014-ës ka qenë 2.1%. Kështu që, përsa i përket objektivave të qeverisë shqiptare, të përcaktuara me realizëm, duke pasur parasysh se në çfarë gjendje katastrofike e trashëguam vendin, jemi tërësisht në drejtimin e duhur.

Sigurisht që, rritja ekonomike me 3% apo 4%, apo edhe me 4.5% për Shqipërinë nuk do të thotë kalimi nga gjendja ku ne trashëguam vendin, në një gjendje lumturie. Në kontekstin në të cilin sot jetojmë dhe nën ndikimin e gjendjes ekonomike, sidomos në vendet fqinj, besoj që Shqipëria po performon brenda mundësive që ka sot, plotësisht ashtu siç duhet. Por ambicia ime është për të shkuar përtej këtyre kufijve dhe unë e shoh këtë të mundur, bazuar në dy kushte; Së pari, duhet të vazhdojmë të bëjmë të gjitha përpjekjet dhe të gjitha sakrificat e nevojshme për të bërë shtet. Rruga e shtetbërjes nuk është as një rrugë e shkurtër dhe as një rrugë e lehtë;

Së dyti, paralelisht me fuqizimin e shtetit, të mekanizmave dhe të institucioneve të shtetit, të rendit ligjor dhe hapësirës së ndërveprimit demokratik brenda këtij rendi ligjor, të krijojmë kushtet për të rritur përtej çdo parashikimi të derisotshëm, investimet e huaja.

Përpara pak ditësh në “Financial Times”, qeveria shqiptare ka shpallur zonën ekonomike të Spitallës, ku ne presim që të çelim një fazë të re për ekonominë e vendit dhe për nxitjen e mëtejshme të punësimit në vend, duke ndërtuar më në fund, një zonë reale ekonomike. Sigurisht që kjo kërkon kohë. Qeveria e mëparshme deklaroi 9 zona ekonomike, në mos gabohem, të cilat sot mund të shkoni t’i shikoni, janë ferra të uzurpuara nga fantazma që kanë marrë një licencë dhe s’kanë bërë asgjë. Zona ekonomike e Spitallës do të jetë një zonë ekonomike ku ne jemi të bindur që falë mënyrës sesi e kemi ndërtuar procesin, falë transparencës që ka procesi dhe falë të gjithë përgatitjeve që kemi bërë që procesi mos të dështojë, do të kthehet në një shembull të parë dhe padyshim nxitës pastaj, për të krijuar dhe shembuj të tjerë në këtë drejtim, të një zone ekonomike europiane. Koha jo shumë larg do të vërtetojë këtë që thashë.

Po kështu jemi në pritje të disa investimeve të reja në energji, në naftë dhe padyshim edhe në turizëm. Por për të pasur investime të huaja direkte, reale, të përmasave për të cilat flasim, duhet përgatitje e gjatë, çka ne tanimë mund të them se e kemi kryer dhe po e kryejmë me shumë këmbëngulje gjatë gjithë kësaj faze të parë të mandatit dhe duhet shtet serioz. Edhe këtu kemi bërë progres, por nuk jemi ende aty ku duhet, padyshim.

Në objektivin e konvergjencës në Bashkimin Europian, që nuk është objektiv i kësaj qeverie, por është objektiv i përcaktuar më parë, bazuar në analiza serioze, konvergjenca, në kuptimin e standardit ekonomik të Shqipërisë dhe të vendeve të Bashkimi Europian, e përcaktuar si e mundshme në 2029-ën, merret si shtysë apo si të dhënë të parë objektive, faktin që Bashkimi Europian të rritet me 1% dhe Shqipëria të rritet me 6%.

 

-Ju vlerësuat si një fakt shumë pozitiv, mundësinë e financimit të dy projekteve të rëndësishme infrastrukturore, siç është autostrada e Kaltër apo autostrada tjetër Nish- Prishtinë-Durrës. Por ka akuza nga opozita se në të vërtetë, ju zoti Rama jeni duke lobuar që projekti i dytë të financohet dhe përfitimet t’i ketë pala serbe, sepse sa i takon Shqipërisë, e ka tashmë të përfunduar këtë segment rrugor?

-Desha një koment për operacionin e policisë shqiptare dhe policisë italiane për kapjen e një rrjeti trafikantësh, që bënin trafikun e drogës me avion, ku ishte i përfshirë dhe një përfaqësues i lartë i policisë së Vlorës. A është ky, zoti Rama, një operacion një provë se të gjitha akuzat që opozita bën në adresë të kësaj qeverie janë të vërteta, ndërkohë që ju i thonit se ishin helikopterë që dezinfektonin zonën e bregdetit për mushkonja.

Përsa i përket pyetjes së parë është një këndvështrim komplet primitiv dhe faktikisht është këndvështrimi që na ka lënë ne, këtu ku na ka lënë për kaq shumë vite. Këndvështrim, sipas të cilit, ne e paskemi rrugën gati dhe ata s’e kanë gati dhe kështu që po e bënë ata gati, përfitojnë ata. Po mirë, po ata, çfarë interesi kanë që ta bëjnë gati, ia bëni pyetjen vetes? Dhe si përfitoka vetëm njëra palë, kur ndërtohet një infrastrukturë e përbashkët ku qarkullojnë reciprokisht njerëzit dhe mallrat? Çfarë logjike është kjo!?

Së dyti, nëse quhet gati, rruga nga kufiri me Kosovën deri në Durrës, mund të jetë gati për standardet e atyre që e bën Shqipërinë lesh e li, por është larg së qeni gati për standardet e Bashkimit Europian. Ajo rrugë është e pacertifikueshme si rrugë europiane. Ashtu si asnjë rrugë tjetër e Shqipërisë nuk merr dot sot, një certifikatë të Bashkimit Europian, sepse janë jashtë standardeve. Ajo rrugë ka nevojë për një sërë financimesh të tjera dhe për një sërë ndërhyrjesh të tjera, për t’u kthyer në një rrugë të certifikuar nga Bashkimi Europain si rrugë europiane. Ky është në fund të fundit, edhe objektivi i këtij procesi kooperimi, që ne jo vetëm mund të ndërtojmë rrugë, jo vetëm të kemi trajektore të përbashkëta, por t’i kemi të standardeve të BE. Më vjen shumë keq për këtë këndvështrim kaq të ngushtë dhe kaq primitiv, që fatkeqësisht është këndvështrimi i opozitës së Shqipërisë, që normalisht duhet të ishte alternativa se si gjërat duhet të bëhen edhe shumë më mirë se kaq, por jo se si gjërat të bëhen po aq keq, apo edhe më keq se ç’janë bërë në të shkuarën dhe më vjen keq që kjo bëhet edhe një arsye për të bërë pyetje të tilla. Megjithatë nuk ka pyetje të fajshme, pyetjet janë të gjitha të pafajshme. Fajin në këtë rast e kanë të gjithë ata që i fryjnë këtyre tezave pa asnjë sens dhe pa asnjë kuptim. Nga Unioni Ekonomik dhe nga rrjeti i integruar i infrastrukturës apo i energjisë përfitojnë të gjitha vendet, nuk përfiton vetëm vendi që financon më shumë sesa tjetri për një segment. Se kam dëgjuar edhe teori të tjera që Serbia do marrë më shumë financime, ne do të marrim më pak financime.

Korridori i Kaltër është strategjik për zhvillimin e turizmit dhe të ekonomisë në Shqipëri. Ne sot nuk e kemi një rrugë të tillë, çka e bën të pamundur për turistët që vijnë nga qendra dhe veriu i Europës, që të vijnë nëpërmjet rrugës, siç shkojnë nëpërmjet rrugës deri në Kroaci.

Së dyti, çfarë donit të thonit me këtë punën e oficerit të policisë? Nuk e kuptova pyetjen. Oficeri i policisë, i përfshirë në veprimtarinë e trafikut, është arrestuar. Ne asnjëherë nuk e kemi pretenduar, nuk e pretendojmë dhe s’do ta pretendojmë kurrë dhe kush do të jetë në pushtet nesër dhe nëse do t’i shkojë mendja të pretendojë se të gjithë ata që punojnë në shtet, në polici, në administratë, janë engjëj se në pushtet jemi ne, do të bënte një marrëzi. Nuk e pretendojmë këtë, ama ne pretendojmë që nuk njohim se ku ke punuar, ku punon, me kë je, me kë ke qenë, kush je, çfarë ke qenë. Por në qoftë se i del kundër rrugës së ligjit, shkon aty ku të takon. Arrestimi në fjalë nuk është një arsye për të treguar me gisht Policinë e Shtetit, Ministrinë e Brendshme apo qeverinë, por është një arsye për ta përgëzuar Policinë e Shtetit, që ashtu siç vepron kundër trafikantëve, kundër kriminelëve, kundër shkelësve të ligjit jashtë saj, vepron edhe kundër të gjithë atyre që brenda saj shkelin ligjin apo bashkëpunojnë me krimin.

Ky operacion është një operacion i përbashkët dhe i suksesshëm. Ne nuk kemi pretenduar ndonjë herë dhe asnjë vend nuk e pretendon që ne do të ndalojmë kriminelët dhe trafikantët, të imagjinojnë se mund të bëjnë këtë apo atë. Ajo që ne kemi pretenduar dhe pretendojmë është që t’i kundërvihemi gjithnjë e më fort dhe të bëjmë të mundur që Shqipëria të jetë një vend, gjithnjë e më i sigurt. Më lejoni t’ju kujtoj dhe shikoni shifrat, nga janari deri më sot kemi shifrën më të ulët të vrasjeve në Shqipëri, në 24 vitet e fundit. Shkoni merrni shifrat dhe më tregoni të kundërtën.

Për të mos folur pastaj, për luftën kundër trafiqeve, luftën kundër drogës, sepse, nëse sot policia është në operacion të vazhdueshëm dhe në betejë të vazhdueshme kundër drogës dhe kjo është në sytë e publikut, ky nuk është tregues që këtu ka më shumë probleme. Ky është tregues që problemi që ka qenë aty dhe me të cilin nuk merrej kush. Tani kemi ardhur në ditën që ju bëni titra edhe për 7 rrënjë kanabis në një mal në Ersekë. Ju bëni lajm për 7 rrënjë kanabis, ndërkohë që kur ju kishte rrethuar hashashi, ju dukej sikur ishit në parkun e Vjenës dhe nuk përbënte lajm.

 

-Thatë që janë dy propozime në Vjenë, Unioni Ekonomik dhe Banka Rajonale. Këto propozime kanë ardhur nga Shqipëria, apo nga të gjithë kryeministrat e vendeve të rajonit?

Këtë propozim e kemi bërë ne, bazuar edhe mbi një dokument shumë fillestar që kemi paraqitur tek organizatorët. Jemi shumë të lumtur që kemi rënë plotësisht dakord me Presidentin e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim që të fillojmë sëbashku punën për të konturuar këto dy projekte. Ndërkohë, me Serbinë tanimë kemi rënë dakord që të kemi një grup të përbashkët, për të identifikuar të gjitha barrierat tarifore dhe burokratike që duhen hequr, duke bërë të mundur që për këdo që bën tregti në këtë hapësirë, një certifikatë, një licencë, një autorizim i marrë në një vend vlen edhe në vendin tjetër dhe nuk ka nevojë për 2, 3 apo 5 licenca. Ky është koncepti.

Ndërsa për bankën, po ashtu kemi rënë dakord, kemi marrë mbështetje që të fillojmë edhe për këtë të konturojmë një koncept.

 

-Dhe qendra e kësaj banke do të jetë në Tiranë?

Në radhë të parë duhet të krijojmë konceptin dhe të vendosim sëbashku sesi do të krijohet kjo bankë. Pastaj, se ku do të jetë godina, kjo pak rëndësi ka.

 

-Duke u kthyer tek Samiti i Berlinit dhe tek shqetësimi apo meraku që kishte kancelarja Merkel për sistemin e drejtësisë. Nuk e di cili ishte meraku i sivjetshëm i zonjës Merkel. Kujtoj që ju ishit besimplotë për një guvernator të huaj të Bankës së Shqipërisë, i cili do rriste besimin tek qytetarët, por edhe reputacionin në arenën ndërkombëtare. Jeni sot, për një prokuror të përgjithshëm të huaj apo një kryegjyqtar të huaj që do ta forconte pozitën e drejtësisë në Shqipëri?

E dyta, në lidhje me aksioni kundër informalitetit. Kemi dëgjuar aksioni i ujit, aksioni i dritave…

Unë nuk e përdor fjalën aksion, por përdor fjalën operacion. Aksioni është nisu, ik e mos shih çfarë ngeli mbrapa, kurse operacioni është futu dhe kur të dalësh, mbrapa nuk ka më tumore dhe metastaza.

 

-A ka qeveria një strategji më të thellë kundër informalitetit dhe evazionit, duke bërë atë që kanë dhe vendet fqinje, deklarimin e të ardhurave dhe pasurive nga mosha 18 vjeç e lartë, ku do të eliminojë një pjesë e evazionit dhe informalitetit?

Më lejoni t’ju them që në këto dy vite, ne kemi një rritje të pakrahasueshme përsa i përket mbledhjes së TVSH-së. Që do të thotë se qasja jonë ndaj informalitetit ka qenë që në momentin e parë, papajtueshmëria me të. Por ky është një operacion që tani është koha e duhur për ta nisur frontalisht, pasi nuk mund të nisej përpara sesa të mbillej dhe të fillonte të çelte fara e vetëdijes së ligjit. Unë besoj që farën e vetëdijes së ligjit ne e kemi mbjellë dhe ka filluar të çelë, edhe pse kërkon ende shumë punë për t’u rritur dhe për t’u bërë pastaj e gjithëpushtetshme si kulturë e ligjit, falë atyre që kemi bërë më parë. Sot, të gjithë e dinë që ne nuk bëjmë shaka, ne nuk bëjmë aksione propagandistike dhe ne nuk bëjmë gjëra që mbeten përgjysmë.

Strategjia është shumë e qartë, operacioni do të jetë shumë i thellë. Kam parë se përsëri fillon përpjekja për të kundërshtuar duke u kapur pas të pavërtetës së madhe se ky na qenka një operacion ku prapë do ta hanë të varfrit, ndërkohë që të varfrit as nuk e kanë ngrënë dhe as nuk do ta hanë, as në këtë rast. Pasi të mos harrojmë se çdo mall që ne blejmë në një dyqan e blejmë në pikën fundore, ndërkohë që zinxhiri e ka fillimin e vet tek kompania e madhe. Ky operacion do të synojë në radhë të parë që të vendosë të mëdhenjtë brenda kornizës së ligjit. Ashtu sikundër, jam i bindur që në këtë operacion, sa më shumë që çdo qytetar të bëj detyrën e vet për të mirën e vet, pra, të mos pranojë të japë paratë pa marrë kuponin, aq më shumë, ne do të kemi mundësi të rrisim rrogat, të ulim taksat, të rrisim investimet. Secili nga ne e paguan atë që blen, qoftë një mall apo qoftë një shërbim, deri tek kafja në një lokal, por duke mos marrë kuponin, lë që të vidhet ai apo ajo vetë, sepse ajo vlerë që nëpërmjet shtetit mund ta rimarrë në formën e investimeve, në formën e uljes së taksave, në formën e rritjes së rrogës, i merret nga ai që nuk i jep kuponin.

Ne do të vazhdojmë t’i bëjmë thirrje të gjithëve; nëse nuk e japin kuponin, ikni pa paguar, mos pranoni të paguani. Kuponi është dokumenti që vërteton që vlera që i takon atij që të jep mallin, apo të bën shërbimin është e plotë, por edhe vlera që të takon ty për ta marrë nëpërmjet shtetit, është aty. Pa kuponin je i vjedhur dhe i heq vetes mundësinë që të kërkosh më shumë sesa ç’merr sot nga shteti, në formë investimesh, në formë shërbimesh, në formë rrogash. E njëjta gjë vlen edhe për punonjësit që janë në kompanitë private, sepse që kompania të rrisë rrogat e punonjësve duhet të ketë konkurrencë të ndershme dhe nëpërmjet konkurrencës së ndershme, duke paguar të gjithë, shteti mund të ulë taksat. Është fare e qartë.

Përsa i përket meraqeve të Kancelares, kjo çështje është një çështje ekskluzivisht e juaj. Kështu që zbuloni sa të mundni në botën e brendshme të Kancelares, për të parë çfarë meraqesh ka lidhur me mua apo me Ballkanin.

Përsa i përket Reformës në Drejtësi, ka një gjë rëndësi, pse nuk mund t’i përgjigjem pyetjes tuaj. Kjo është një reformë që ia kam lënë ekspertëve, nuk është një reformë që po e bën politika. Ne kemi pranuar që të ngrihet grupi më i madh dhe më gjithëpërfshirës i ekspertëve, shqiptarë dhe ndërkombëtarë, misioni i EURALIUS, misioni i OPDAT-it, Këshilli i Europës, kemi pranuar po ashtu që Komisioni i Venecias të jetë filtri përfundimtar. Jemi zotuar që çfarë produkti do të na sjellë reforma, pasi Komisioni i Venecias të ketë dhënë dritën jeshile, ne ta votojmë. Nuk është një reformë që e bën politika dhe aq më pak, një reformë që bëhet për interesat e ditës. Kështu që, këtë pyetje duhet t’ua drejtoni njerëzve që punojnë me reformën, unë nuk punoj me reformën. Unë thjesht pres që reforma të paraqitet dhe ta votoj.

 

-Si i keni parë shqetësimet, e përsëritura disa herë gjatë muajt gusht nga LSI, përsa i përket sistemit fiskal? Më lejoni të kujtoj që zoti Meta ka deklaruar se ky sistem fiskal nuk ka garantuar zhvillimin ekonomik të shpresuar dhe punësimin gjithashtu, ndërkohë që përfaqësues të tjerë të nivelit të lartë të LSI-së nuk kanë përjashtuar edhe një rikthim tek taksa e sheshtë.

-Pyetja e dytë, nuk e di nëse gjatë pushimeve tuaja në bregdetin e jugut keni vuajtur mungesën e energjisë elektrike, por ky ka qenë një nga shqetësimet më të mëdha për sa i përket pushuesve në jug të vendit, por edhe bizneseve atje. Nga informacionet që keni ju, përse është shkaktuar një situatë e tillë, përse nuk u evidentua dhe sa ka ndikuar në turizmin e këtij viti?

 

Faleminderit shumë! Për sa i përket meraqeve lidhur me LSI-në, janë si ato lidhur me Merkelin, i shihni vetë, i sajoni vetë, i komentoni vetë, i merrni vetë si të vërteta dhe pastaj thoni çfarë mendojmë ne për to.

Përsa i përket asaj që ka rëndësi, në bregdetin e jugut është rritur konsumi i energjisë. Pse kjo? Sepse janë rritur investimet, ka shumë më tepër sot konsumatorë dhe konsum të energjisë. Jo vetëm në bregdetin e jugut, po kudo. Ndërkohë që, investimet për rrjetin e shpërndarjes kanë filluar vetëm vjet, nga kjo qeveri. Janë akoma telat e elektrikut të “shokut Enver”, atje. Jo, nuk bëj shaka, shkoni e shikojini. Jemi akoma në kohën e Enver Hoxhës, në kohën e elektrifikimit në jug, përsa i përket shpërndarjes së energjisë. Ndërkohë që, ne kemi filluar punën dhe po investojmë. Sigurisht këto investime do të bëjnë edhe sigurinë e plotë të të gjithë rrjetit të shpërndarjes. Plus mos harroni edhe një gjë, temperaturat kanë qenë tejet të larta dhe kjo e rrit konsumin. Kjo nuk ndodh vetëm në bregdetin e jugut, por ndodh kudo, edhe në Tiranë. Kështu që, kush thotë pse ka pasur shkëputje që nuk i kanë vënë re më parë, përgjigja është kjo; Ka pasur një rritje të madhe të konsumit, edhe për shkak të rritjes së investimeve, në kuptimin e ndërtesave, të dhomave në dispozicion etj., edhe për shkak të temperaturave. Ju siguroj që edhe unë i kam përjetuar ndërprerjet e energjisë si të tjerët.

 

-Pyetja e parë nga Samiti që u mbajt në Vjenë. Ju thatë që me reformën në drejtësi, Shqipëria do të kërkojë më pas edhe çeljen e negociatave. A është e mjaftueshme vetëm kjo reformë?

-Pyetja e dytë në lidhje me aksionin që fillon ditën e nesërme. Si do ta gjykoni punën e Drejtorisë së Tatimeve, ndërkohë që në dy vjet ka qenë në një nivel shumë të lartë të informalitetit, e thënë nga ju?

Unë nuk kam thënë në dy vjet. Unë kam thënë në 22 vjet dhe nuk i kam përfshirë këto dy vjet. E dini pse? Sepse në këto dy vjet ka filluar një përpjekje reale dhe nuk ka nevojë të më dëgjoni mua. Shikoni vetëm shifrat e të ardhurave nga TVSH-ja, nga kuponi dhe do të shikoni që ka kapërcime shumë të mëdha. Informaliteti është një sëmundje kronike e trashëguar në vite njësoj si energjia dhe njësoj si plot të tjera. Kush ka pritur që të gjitha këto, ne t’i bëjmë të padukshme në një vit apo në dy vjet ka parë një ëndërr në diell. Po ama është e sigurt, që tani, ne kemi një bazë të qartë dhe të plotë, për të çuar në një fazë të re këtë betejë dhe do të jemi shumë, shumë të vendosur. Ndaj unë i bëj thirrje të gjithëve, regjistrohuni, vendosni kasën fiskale dhe merrni atë që ju takon. Por bëni mirë që të kuptoni që duke marrë atë që nuk ju takon, mund t’ju gjejë një bela aq e madhe me ligjin, sa t’ju shkojnë shumë më shtrenjtë sesa ajo që fitoni.

Ashtu sikundër i bëj thirrje të gjithë konsumatorëve, të gjithë qytetarëve që blejnë, që të marrin kuponin dhe të mos paguajnë në qoftë se nuk ju japin kuponin. Në qoftë se ju japin një kafe, në qoftë se ju japin një ëmbëlsirë, në qoftë se ju japin atë që keni porositur në një bar apo restorant, ju vijnë dhe nuk ju japin kuponin, çohuni dhe ikni pa paguar, sepse jeni në të drejtën tuaj. Mos lejoni që t’ju vjedhin sy për sy. Në qoftë se merrni ilaçet, në qoftë se merrni ushqimet dhe nuk ju japin kuponin, merrini dhe ikni pa paguar. Këtë gjë nuk e shpikëm ne, e bëjnë vende shumë më të zhvilluara se ne. Shkoni në Belgjikë, në Bruksel, meqë ju të gjithë i referoheni Brukselit më shumë se unë. Shkoni në Bruksel, merrni një akullore dhe shikojeni, në qoftë se ikni po nuk ju dhanë kupon, a ju kapin juve, apo kapin atë që do t’u marrë lekët pa kupon.

Negociatat, përsa na takojnë ne, kanë të bëjnë me aspektin teknik. Pra, janë detyrat e shtëpisë dhe në fund fare bëhet bilanci. Ne kemi një detyrë të papërfunduar, Reformën në Drejtësi. Të bëjmë Reformën në Drejtësi dhe ne e kemi kryer detyrën tonë në raport me çfarë na është kërkuar. Pastaj i takon Bashkimit Europian të vendosë dhe ju e dini çfarë mendoj unë për Bashkimin Europian.

 

-Ka ndonjë projekt për t’u financuar dhe nuk u miratua në Vjenë?

Keni një pamje shumë të çuditshme për këto konferencat. I përfytyroni si sportelet e Sudes apo të Xhaferit, ku jep një dhe merr dy.

Janë procese shumë të komplikuara, shumë të koordinuara dhe që kërkojnë kohë. Pra, nuk është se ne marrim në sqetull menynë e dëshirave tona dhe shkojmë atje dhe themi: Urdhëroni.

Kemi punuar një vit, sëbashku me vendet e tjera dhe me Komisionin Europian, për të përcaktuar të gjithë hartën e infrastrukturës rajonale, apo asaj që ata i thonë konektiviteti, unë i them ndërlidhja. Mbi këtë bazë dihet tani, për 15 vitet e ardhshme se cilat janë vijat e ndërlidhjes mes vendeve dhe mbi këtë bazë janë përcaktuar edhe prioritetet nga fillohet. Praktikisht në dy prioritetet e para, Shqipëria është pjesë: Korridori i Kaltër dhe rruga Nish-Prishtinë-Durrës. Besoj që duhet të jemi të inkurajuar, nuk po them të kënaqur. Asnjëherë të kënaqur me Bashkimin Europian, por gjithmonë me synim për të qenë të inkurajuar.

Edhe diçka në fund për cmimin e naftës. Ju lutem shumë jepini fund bërjes jehonë të këtij abuzimi të madh. Shqipëria është i vetmi vend në rajon që në çmimin e naftës ka brenda edhe taksën e qarkullimit të automjeteve. Nëse bashkojmë çmimin aktual të naftës në Maqedoni apo në Serbi, apo në Mal të Zi, me taksën që çdo posedues automjeti paguan për mjetin e tij do të shikoni që del më shtrenjtë. Nuk e kemi bashkuar ne, çmimin e naftës me taksën e qarkullimit, e ka bashkuar qeveria e mëparshme dhe është nga shumë pak gjërat që mua më duket që e ka bërë mirë. Ne nuk duam ta zhbëjmë për një arsye shumë të thjeshtë; Mund të merrnim në momentin e parë një çmim nafte më të ulët dhe të gjithë do gëzoheshin, por kur të shkonin të paguanin taksën e makinës, do ishin shumë më të hidhëruar sesa ç’janë sot. Është e kotë t’i biem këtyre daulleve. Unë jo, por ju që jeni të detyruar në fund të fundit t’i bëni jehonë.

 

-Nuk e di nëse i keni parë reagimet nga Greqia përsa i përket Kishës së Dhërmiut, por qoftë edhe në qarqe mediatike, ju kanë krahasuar me Enver Hoxhën dhe sistemin e komunizmit?

Shfrytëzoj rastin të them që në atë truall ka qenë një kishë, e cila ka qenë djep për gjuhën shqipe. Ka një spekulim të madh, për fat të keq, që ne paskemi prishur një kishë ortodokse, që mua njëherë më vjen zor ta quaj kishë atë garazhin dhe dashkemi të ndërtokemi një kishë katolike. Jo, ne nuk do ndërtojmë aty, një kishë. E kemi thënë këtë që nga momenti i parë, do rindërtojmë shëmbëlltyrën e kishës së vjetër dhe do ta bëjmë atë hapësirë, një hapësirë ku do të ekspozohet historia e jashtëzakonshme shqiptare që ka marrë jetë mbi atë truall. Një histori e pararilindjes, për të cilën të gjithë duhet të jemi krenarë, por të cilën, sot për sot e kemi të varrosur nën ato gërmadha dhe atë ne do ta bëjmë me dije.

Përsa i përket kishës, përsa më takon dhe përsa na takon s’ka qenë kurrë, për asnjë çast, një veprim për të prishur një kishë. Ka qenë një veprim për të respektuar historinë tonë të përbashkët, për të respektuar traditën dhe kulturën e asaj zone dhe për t’i dhënë shqiptarëve dhe atyre që duan të dinë për Shqipërinë, një tjetër gur të çmuar përpara syve, të një historie vërtet të mrekullueshme. Nuk ka as më të voglin dyshim. Aktualisht në Dhërmi janë 38 kisha. Në qoftë se është nevoja për të pasur edhe 39, edhe 40, edhe 45, sipas nevojave të klerit ortodoks, nuk ka asnjë problem. Kryetari i bashkisë të Himarës e ka thënë shumë qartë, nuk ka qenë problem në asnjë çast.

Gjëja që më ka bërë përshtypje është si ka mundësi që nuk ka marrë një ankesë, askush, përpara sesa të ndërmerrej ky operacion dhe as kur ky operacion u bë publik, përpara sesa të bëhej ajo që duhej bërë, të pastrohej vendi dhe të fillojë puna për projektin. Asnjë ankesë. Kjo më ka bërë përshtypje.

Sidoqoftë, marrëdhëniet tona me kishën ortodokse janë shumë të mira dhe do të jenë shumë të mira. Ky është një moment, kur për fat të keq ka pasur një keqkuptim nga ana e tyre,- që s’kam asnjë problem ta them,- është keqpërdorur nga të tjerët. Por ka qenë një mundësi shumë e mirë, për të bërë të qartë, shkoqur, që hapësira e ushtrimit të besimit për besimtarët ortodoksë është një hapësirë sovrane dhe asnjë shtet fqinj nuk ka asnjë të drejtë mbi këtë hapësirë. Ortodoksët shqiptarë nuk janë grekë, janë shqiptarë. Ndërkohë që, për ortodoksët grekë që i përkasin minoritetit grek është e garantuar njësoj si për ortodoksët shqiptarë, pra, për të gjithë atë komunitet që ka atë besim, që të ushtrojnë lirisht besimin e tyre. Por koha kur Shqipëria të pranonte të tilla çudira dhe të tilla ndërhyrje ka marrë fund në 23 qershorin e 2013-ës.

(Fjala e kryeministrit Rama sot para mediave)

SHKARKO APP