Edi Rama te Sokol Balla: Po punoj t’u them europianëve se Shqipëria është si ata në kulturë, emancipim, dinjitet…
Intervista e plotë e kryeministrit Edi Rama në Paris, me gazetarin Sokol Balla në emisionin “Real Story”:
Sokol Balla: Është e çuditshme se si një vizitë kaq e rëndësishme të ketë të përfshirë çështjen e inovacionit, megjithëse ju i keni dhënë një fokus shumë të madh..
Edi Rama: Jo, vizita ishte vizita e nivelit më të lartë që protokolli francez përmban prandaj ishte i tillë edhe ceremoniali që ishte mbresëlënës për faktin se është një nder I posaçëm për Shqipërinë dhe unë, të them të drejtën e përjetova me krenari këtë fakt. Sepse më kujtohet që në fillimet e kësaj detyre Franca ishte thuajse e paarritshme, ndërkohë që në historinë e marrëdhënieve tona diplomatike me Francën nuk ka patur asnjëherë një vizitë zyrtare shtetërore dhe pas një sërë vizitash pune që unë kam bërë këtu, kjo ishte vizita që si të thuash kurorëzoi një process. Inovacioni është pjesë e programit të përbashkët që kemi me qeverinë franceze. Kemi nënshkruar një marrëveshje të nivelit më të lartë në marrëdhënie ndërqeveritare, qeveri me qeveri dhe në këtë marrëveshje ka një program ku në mënyrë specifike flitet për fusha bashkëpunimi dhe partneriteti të afërt dhe rezultati i marrëveshjes është edhe ngritja e Këshillit të përbashkët të Inovacionit që merr në konsideratë nevojën për të bashkëpunuar në funksion të kësaj epoke të re dhe nga ana tjetër për ne është një marrëveshje shumë pozitive sepse marrim përmes saj shumë nga eksperienca dhe nga dija franceze që është e nivelit më të lartë.
Sokol Balla: Ndalojmë pak te ceremoniali, ajo pjesë e qëndrës ku është varrosur Napoleoni. Ishte një gjë e jashtëzakonshme, s’kisha parë kurrë atë lloj ceremoniali. Kjo për ju edhe vetë personalisht duhet të jetë një moment emocional i fortë. Ju e përmendët edhe vetë, keni ardhur këtu si student, si emigrant. Në gjuhën banale të Tiranës shpesh thuhet ‘ aa Edi Rama ka fjetur poshtë urave të Parisit’, por ishte një moment i fortë i përjetimeve personale.
Edi Rama: Tani, mund edhe të kisha fjetur poshtë urave si shumë emigrantë dhe nuk ka absolutisht asnjë gjë të keqe përkundrazi është një sprovë e rrugës së shumë emigrantëve që e kanë filluar edhe poshtë urave, por nuk më ka ndodhur kjo gjë. Mund edhe të më kishte ndodhur.. për hir të të vërtetës, kam qenë një emigrant në komfort, sepse fitova një bursë për të qëndruar në Qendrën Ndërkombëtare, në qytetin ndërkombëtar të artit, pastaj pas asaj periudhe dy vjeçare mora një apartament goxha të këndshëm ku prisja edhe miq që të qëndronin në një rrugë të famshme të Parisit, pranë Bastijes dhe thënë kjo sigurisht që ku i sotmi ishte një emocion i veçantë.
Ishte një emocion i fortë që e kam përjetuar në një farë mënyre kur erdha këtu në Paris, për të marrë ‘Legjionin e Nderit’, nga presidenti François Hollande dhe rruga drejt Elysee ishte një kthim në vitet 90 kur unë këto rrugë dhe këtë qytet e shikoja dhe admiroja bashkë me gjithë këto godina ku as nuk më shkonte mendja ndonjëherë se do hyja. Ndërkohë ‘Les Invalides’ është sot një destinacion nga më prestigjiozët i konceptuar dhe ndërtuar nga Luigji I XIV, mbreti Diell ku gjendet edhe varri i Perandorit, i Napoleonit edhe ku kryhen këto rituale të Republikës Franceze që në ritualet e veta protokollare dhe shtetërore është vendi që i ka dhënë shumë mësime dhe nga ku shumë kanë kopjuar në të gjithë botën.
Sokol Balla: Po se më kujtohet ju nga Parisi erdhët kur vdiq babai juaj i ndjerë, dhe ai ishte edhe momenti që u futët në politikë dhe sigurisht Parisi është edhe 0një cikli të rëndësishëm edhe në jetën tuaj personale politike. Ju thatë keni marrë titullin nga Hollande, por duket qartazi që me Emmanuel Macron keni një marrëdhënie super speciale. Tani duhet të na e shpjegoni pak këtë, pak ditë më parë ishte Presidenti serb, Vuçiç, i cili gjithashtu u prit me një ceremonial shumë prestigjioz. Ndryshimi I vetëm është se Vuçiç erdhi këtu pasi nënshkroi një marrëveshje për të blerë 12 avionë dhe i dha Francës 4 miliardë euro, ndërkohë mua më rezulton nga marrëveshjet e nënshkruara ju i morët Francës veç të tjera edhe 120 milionë euro. Tani shumë në Tiranë, mund t’i rikthehen përvojave të 2009 kur Sali Berisha për të marrë statusin e vendit kandidat, iu desh të blinte 5 helikopterë francezë dhe të falte CEZ-in dhe shumë mund të thonë, po ju çfarë po i jepni Francës që po merrni kaq shumë?
Edi Rama: Edhe këto janë normale në marrëdhëniet mes vendeve, në fund të fundit, marrëdhëniet mes vendeve nuk janë marrëdhënie dashurie, janë marrëdhënie interesash, kështu kanë qenë dhe kështu do jenë gjithmonë shtetet kanë interesa, mbrojnë interesa, luftojnë për interesat e tyre dhe në këtë sens nuk do ishte çudi sikur të kishte ndodhur edhe kështu, por e vërteta është që ka ndodhur e kundërta. Ne këtu me këtë marrëveshje, më shumë kemi marrë se kemi dhënë. Ndërkohë që çka kemi dhënë nuk hyn në terma ..
Sokol Balla: Pra, ndonjë Sazan, ndonjë kamp refugjatësh…
Edi Rama: Nuk hyn në terma të natyrës financiare nuk hyn në terma të natyrës së ndonjë obligimi të posaçëm politik, por hyn një përpjekje shumë e madhe për të afruar Francës dhe për t’u afruar me Francën.
Franca është një nga dy kolonat mbi të cilat ngrihet BE. Është një vend që lidhjet e saj historike në rajonin tonë i ka pasur diku gjetkë, nuk i ka pasur me shqiptarët. Dhe Franca është një vend që sot duke parë edhe zhvillimet që pasuan vizitën e Presidentit Macron në Tiranë, që ishte e para në histori e një Presidenti të Francës, ka ndryshuar tërësisht nivelin e vëmendjes dhe të vullnetit për t’u afruar dhe punuar me Shqipërinë. Franca dhe Macron kanë kuptuar që Shqipëria është një vend me një qëndrueshmëri të madhe në raport me Europën. Shqiptarët janë populli dhe kombi më pro europian i Europës, në aspektin e pëlqimit dhe mbështetjes së BE më shumë se sa francezët që nuk janë kaq pro BE sa jemi se ndjehen se janë vetë Europa, që mos bëjmë lathitje në objekt dhe që Shqipëria është një aktor me një peshë të pranuar në fatet e rajonit. Pra, ka qenë një punë e madhe, një përpjekje e të gjithanshme dhe sot pozicionimi ndërkombëtar i Shqipërisë është si kurrë më parë në historinë tonë.
Respekti për Shqipërinë është si asnjëherë më parë në historinë tonë, në të gjitha nivelet ndërkombëtare politike, por jo vetëm dhe sigurisht që unë jam shumë i lumtur me këtë, të them të vërtetën e kam menduar shpesh, edhe jeta si emigrant edhe pse e thash që unë nuk kam qenë një emigrant që kam vuajtur për lejet e qëndrimit, për vendin e qëndrimit, që ka kaluar gjithë ato peripeci që heroikisht një pjesë shumë e madhe e emigrantëve shqiptarë e kanë kaluar megjithatë prapë duke qenë shqiptar në atë kohë duke pasur një pasaportë shqiptare duke kaluar kufirin me atë pasaportë, kam qenë edhe protagonist i skandaleve të mëdha nëpër aeroporte. Kam kultivuar në një farë mënyre një ndjenë hakmarrjeje. Një ndjenjë hakmarrje që më ka ushqyer vazhdimisht edhe qasjen ndaj politikës së jashtme që më ka ushqyer vazhdimisht edhe pasionin edhe këmbënguljen për ta kthyer përmbys këtë perceptim. Pra, hakmarrje në këtë sens.
Sokol Balla: Më korrigjo nëse e kam gabim, por perceptimi që kam pasur unë është që ju keni pasur një sfidë personale për t’i treguar europianëve që ne jemi si ju.
Edi Rama: Ekzakt, e kam marrë shumë personale në një farë mënyre dhe ndoshta edhe për shkak të eksperiencave jo thjesht personale, por edhe të eksperiencave të shumë shqiptarëve që asokohe kisha pozicionin dhe mundësinë ti shikoja nga shumë afër, duke parë se si trajtoheshin dhe keqtrajtoheshin dhe pastaj sigurisht që kjo ka pasur edhe një anë tjetër. Sepse e kam ndjerë që të ishe kryeministër i Shqipërisë, në ato fillime ishte pothuajse si të ishe qytetar i Shqipërisë nëpër aeroporte, skepticizëm sigurisht respekt formal, por gjithmonë ishte ajo distanca mosbesimi, dhe nga ana tjetër..
Sokol Balla: Le ta quajmë troç, një distancë higjienike që mbanin ndaj nesh…
Edi Rama: Një distancë, një mosbesim, por sigurisht nga ana tjetër është dashur që e gjitha kjo të shoqërohet me çfarë është bërë në Shqipëri. Sepse kjo nuk është një çështje thjesht që më pëlqen si njeri apo më hahet muhabeti. Kjo është një cështje që mbështetet edhe në çfarë informacionesh merr presidenti, kancelari, kancelarja, kryeministri tjetër e tjetër nga shërbimet e veta. Çfarë informacionesh merr nga institucionet e veta, çfarë pozicioni institucional kanë këto vende në raport me progresin apo regresin, në raport me reformat apo me kthimin pas. Dhe sot Shqipëria është komplet në një nivel tjetër. Gjë që padiskutim e shohin edhe shumica e shqiptarëve, unë mendoj që e shohin edhe ata që janë në pakicë, por që për arsyet e tyre nuk duan ta pranojnë.
Sokol Balla: Më kujtohet nga një vizitë tjetër që kemi qënë sebashku këtu në 2015, pas sulmit terrorist në redaksinë e Charlie Hebdo, mbaj mend atë PR e jashtëzakonshëm që iu bë Shqipërisë me të gjithë përfaqësuesit e feve, që ecën në rrugët e Parisit dhe që korrën duartrokitjet e gjithë atyre që morën pjesë. Ju keni investuar prej shumë vitesh dhe rezultati është ky që ne shohim sot, Franca një vend që në rastin më të mirë ka qenë indiferent ndaj Shqipërisë, në rastin më të keq, i kthehemi ngjarjeve në Kosovë në 99, ka punuar edhe kundra interesave tona. Çfarë prisni nga ky ndryshim radikal i pozicionit diplomatik të Parisit, ndaj Shqipërisë. Mos harrojmë se jemi në një moment delikat të BE por edhe të zgjerimit të tij, për shkak të presioneve pozitive që po vijnë për shkak të konfliktit të Ukrainës.
Edi Rama: Kini parasysh që Franca dhe Holanda, janë dy skeptikët e mëdhenj të zgjerimit dhe janë vendet që janë si të thuash janë barrierat e fundit gjithmonë, kur kapërcehen barrierat e tjera përpara se të merret një vendim në rrugën e progresit për anëtarësim në BE. Dhe edhe në këtë aspekt flisja me ambasadorin sot, që është një ambasador i nivelit botëror sipas meje, fat që e kemi ketu në Paris, i respektuar nga të gjithë, i vlerësuar nga të gjithë. Nëse në nivelin botëror nga një komunitet diplomatësh, në kategorinë tonë është Dritan Tola nga shqiptarët dhe po kujtonin se sa vështirësi kemi patur në periudhën kur donim të merrnim statusin e vendit kandidat, pastaj kur donim të merrnim zyrtarizimin e hapjes së negociatave dhe një nga pengesat ka qenë Franca, për arsyet e veta sepse nuk e kishte me Shqipërinë, por e kishte për arsyet e veta. Dhe ndërkohë sot ne me Francën dhe Holandën kemi kapërcyer dy dete dhe jemi në të njëjtin breg, në aspektin e komunikimit në aspektin e mirëkuptimit në aspektin e mbështetjes reciproke, në aspektin e bashkëpunimit. Kështu që, unë besoj që ne do ta kemi Francën në krah dhe gjithmonë pa harruar të bëjmë detyrat tona, pa harruar të bëjmë progresin tonë.
Sokol Balla: Edhe në Gjermani, opinioni në maxhorancë ndaj zgjerimit edhe të futjes së Shqipërisë vijon të jetë negativ, por ndryshimi është se Gjermania nga pikëpamja shtetërore ka një tjetër politikë që nuk reflekton humorin e njerëzve, ndërkohë qoftë Franca, qoftë Holanda kanë qenë të lidhura edhe me humoret e zgjedhësve të tyre. Ajo që vë re me z. Macron, është se pavarësisht se sondazhet nuk janë shumë optimiste për ta, ata vijojnë t’i qëndrojnë idesë se Shqipëria e meriton fazën tjetër të afrimit në BE.
Edi Rama: Sigurisht humoret e brendshme kanë rëndësinë e tyre, por në Francë, kanë rëndësinë e tyre, por në Francë kanë rëndësinë e tyre edhe për një arsye tjetër, sepse Franca ka një kënd tjetër se si e sheh zgjerimin dhe metodologjinë e zgjerimit dhe presioni i Macron në fillim të mandatit ishte të ndryshonte metodologjia e integrimit dhe e ndryshoi e imponoi. Pra, është më komplekse, ndërkohë që ne në këto raste jemi sic thuhet dëm kolateral. Por duhet të kemi parasysh një gjë tjetër që është shumë e rëndësishme, do ishte pamundur kjo qasje e re nga ana e Presidentit të Francës, intitucioneve franceze nëse ne nuk do kishim transformuar imazhin e Shqipërisë te publiku francez dhe në mediat e Francës. Sot në mëngjes, ka dalë një artikull i jashtëzakonshëm për Shqipërinë në Le Figaro, si një vend ku duhet shkuar, duhet vizituar etj etj. Domethënë, që mediat e Francës, angleze, në Holandë në të gjitha vendet që deri dje po të ishe shqiptar apo po të gjeje një lajm nga Shqipëria ishte patjetër lajm i keq nuk diskutohej lajm i keq, janë kthyer në altoparlant të Shqipërisë të transformuar turistike e bën shumë më të thjeshtë edhe për politikën. Sepse falë këtij ndryshimi të imazhit dhe këtij perceptimi të ri që po merr formë dita ditës edhe publiku nuk i sheh më shqiptarët si problemin e përditshëm dhe nuk e sheh më Shqipërinë si një vend që atje janë mbledhur gjithë kriminelët edhe vrasin, presin, vjedhin edhe hanë e pinë edhe të rrëmbejnë edhe të presin mishin me thikë kur I shkon edhe i bie derës së shtëpisë. Perceptim i tmerrshëm, i krijuar nga mediat por i ushqyer nga realiteti i rëndë i Shqipërisë ku praktikisht në vitet e fundit, përpara ardhjes sime në detyrë kryeministri i Shqipërisë nuk pritej më nga askund edhe ku nëpër takime ku Shqipëria ishte prezente e evitonin të gjithë, kjo është e vërteta.
Sokol Balla: Z.kryeministër, sigurisht kjo lidhet edhe me faktin, që sic thatë edhe ju, Shqipëria është vendi më pak problematik në Ballkanin Perëndimor, ose më saktë të paktën që krijon zero probleme për BE dhe aleatët. Megjithatë, a po e përdor Franca Shqipërinë, në një farë mënyre edhe për të disiplinuar edhe prirjet tekanjoze të faktorëve të tjerë shqiptarë që vijnë në rajon?
Edi Rama: Shiko, ne jemi në një pozicion tjetër, dhe në një raport komplet tjetër ndërveprimi dhe komunikimi. Nuk dua të flas fare për veten, dhe dua ta bëj të qartë që këtu nuk është çështja tek unë, sigurisht unë bëj detyrën time dhe kam pjesën time, por është e gjitha ajo që ka ndryshuar me Shqipërinë, që nga reforma në drejtësi, transforimimi i turizmit, te shkalla shumë e lartë e sigurisë, te roli ynë në arenën ndërkombëtare, në KS, në krye të OSBE, në Këshillin e të Drejtave të njeriut në OKB dhe ne dëgjohemi, konsultohemi. Fuqitë e mëdha na pyesin, liderët e fuqive të mëdha na konsultojnë, na kërkojnë mendim rregullisht se si I shohim ne gjërat në rajon. Dhe kjo sigurisht që është një plus për ne, por edhe për ata sepse kanë në rajon një zë të cilin e besojnë, e dëgjojnë, një zë që është zëri i një shteti që e ka bërë shumë të qartë qasjen e vet ndaj rajonit. Që ka marrë përsipër të jetë në rajon, forca e shembullit jo shembulli i forcës, që ushqen me të gjitha mënyrat afrimin, bashkëpunimin, paqen dhe që patjetër përbën edhe një pikë ekuilibri.
Sokol Balla: Unë e di që ju shpesh i referoheni asaj, po ndonjëherë duket sikur e bëni për mos të marrë mësysh, kur nuk preferoni një datë. Edhe reformimi që Macron kërkon t’i bëjë BE e eviton çështjen e datave ofron një integrim më të natyrshëm. Ky momentum që ju thoni nuk është rastësor, çfarë rezultati mund të sjellë në shpejtësinë e këtij procesi.
Edi Rama: E para një herë, të jemi të qartë që datat janë të pamundura për vetë mënyrën se si funksionon BE. BE nuk është një shtet, është një klub prej 27 anëtarësh që duhet të bien të gjithë dakord dhe kanë situate dhe kalendare të brendshme që nuk konvergojnë gjithmonë me njëri tjetrin. E dyta, kjo cështje varet shumë edhe nga ne, padiskutim, por e treta dhe më e rëndësishme për mua është që nuk duhet të merremi me data, duhet të merremi me bërjen gati të Shqipërisë në të gjitha aspektet dhe arritjen nga ana jonë e nivelit të një vendi që në aspektin e të gjithë parametrave të vet është një vend si një shtet anëtar i BE. Pastaj është diçka që e vendos politika në raport me datën sepse thash duhet një vendimmarrje e 27 shteteve konsensuale për të vendosur që ok, këta janë gati edhe ne jemi gati. Duhet të jenë edhe ata gati. Dhe te kjo e treta më e rëndësishmja është që ne kemi bërë disa gjëra që ishin të paimagjinueshme deri para disa vitesh kur ne e nisëm këtë proces.
Ne e kemi praktikisht thyer murin, kemi çarë një hapsirë të madhe në murin e këtij procesi, kemi nisur të hyjmë në mekanizma dhe burime financiare të BE që nuk ishin të disponueshme për një vend që nuk ishte anëtar. PE aprovoi pardje planin e ri të rritjes ekonomike, që do të thotë një mbështetje ekstra për vendet e Ballkanit Perëndimor, me financime nga financimet europiane. Mbështetje buxhetore, mbështetje me kreditë e lehtësuara për projekte madhore të infrastrukturës, për projekte madhore të energjisë e me radhë. Dhe një sërë aspektesh të tjera, duke mos harruar futjen në mekanizmin europian të transaksioneve financiare, që do i kursejë shuma marramandëse shqiptarëve që janë jashtë dhe që çojnë para në shtëpi, por që praktikisht çojnë para jashtë BE. Pra, komisionet e transfertave për ta, do të jenë njësoj si brenda BE dhe do të kenë një ulje eksponenciale në aspektin financiar. Ne këto gjëra i kemi arritur me politikë, me marrëdhënie, me komunikim të drejtpërdrejtë, i kemi arritur duke treguar që ne jo thjesht jemi mikpritës të jashtëzakonshëm kur organizojmë samite, dhe për samitet tona flasin të gjithë, por jo vetëm kemi një vend shumë të bukur ku vihet dhe jo vetëm hahet shumë mirë, jo vetëm jemi njerëz që bëjnë humor dhe dimë se ç’është bota, por jemi njerëz që e kemi shumë seriozisht transformimin. Transformimi i Shqipërisë shikohet me shumë respekt dhe me admirim, me admirim
Sokol Balla: Z. kryeministër, padyshim që raporti juaj me Macron është shumë special, dhe duhet thënë se ka një vlerë të shtuar në atë që po përjetojmë në këtë muaj mjalti mes Tiranës dhe Parisit, por klima në Paris mund të ndryshojë. Pasnesër mund të jetë Le Pen në krye të këtij vendi, nga ana tjetër ne si vend, jemi një vend që kur vjen puna për të marrë helikopterin marrim nga amerikanët, kur vjen puna për projektet energjitike si I Skavicës, Berisha zgjidhte francezët ndërkohë që ju zgjodhët amerikanët. Pra le të themi Shqipëria strategjikisht vijon të ketë SHBA aleatin e saj kryesor, konkurent në sferën globale me Francën. Përtej këtij momenti personal, a mundet që Franca të kthehet një aleatë afatgjate e Shqipërisë?
Edi Rama: E para, ne kemi hedhur një bazë dhe pavarësisht që bazat si kjo mund të hidhen dhe hidhen edhe përmes komunikimit dhe lidhjes krijimit të një afrimiteti në mes liderëve vendet si Franca nuk i ndryshojnë këto baza sepse vijnë dy liderë të tjerë. Sigurisht që çka na takon ne dhe është shqetësimi im i madh dhe sfida ime e madhe është që ky pozicion i ri i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare të mos jetë një meteor i një periudhë kohe që lidhet me qëndrimin tim në detyrë por të jetë një pozicion i Shqipërisë që kthehet në një vijë të traditës së politikës tonë të jashtme duke nisur nga qasja, jo më me atë servilizmin provincial karakteristik për shumë e shumë vite, dhe as me karshëllikun po provincial dhe me shpërthimet po provinciale sic ka ndodhur në ndonjë rast në të shkuarën që i kanë kushtuar Shqipërisë rëndë. Si për shembull në kohën e çarjes së madhe me SHBA në vitet përpara shkatërrimit të madh fizik dhe financiar të vendit. Ne jemi një vend i vogël, nuk jemi një treg, ku Franca, Amerika, Kina apo kushdo qoftë luftojnë për të marrë një vend, apo për të marrë territore. Ne jemi një vend i vogël, nuk jemi një vend që kemi arsye që të ndajmë preferencat mes miqve.
Ne i kemi miq dhe partnerë të gjithë, SHBA janë një aleat i pazëvendësueshëm i Shqipërisë, por po kaq strategjik dhe i pazëvendësueshëm është BE dhe kur hyjmë te BE kemi Francën, Gjermaninë, Holandën, Italinë. Dhe duke u kthyer te ajo që the, në Itali ndryshoi qeveria erdhi një parti me të cilën nuk kishim asnjë lloj marrëdhënie, një parti me një lider që shihej si djalli i zi që mori fuqi në Romë dhe që do turbullonte të gjithë Europën, një parti që nga pikëpamja e ngjyrës politike ne nuk mund të ishim më larg se sa ishim dhe sot marrëdhëniet tona me Italinë janë më të mirat që kanë qenë ndonjëherë. Marrëdhënia ime me kryeministren është një marrëdhënie e shkëlqyer, kur hidhen bazat nuk ndryshojnë sepse këto vende funksionojnë me respekt për muret që ngrenë dhe që duhet ti ngrenë më lart. Jo hajde hiq gurët se i ka vënë ai tjetri, ose hajde hap groën se këtu gropën që ishte e mbylli ai tjetri.
Sokol Balla: Folët për ndryshimin e klimës në grupin e vendeve skeptike ndaj Shqipërisë, ku padyshim Holanda mban vendin e parë, Franca të dytin por padyshim edhe vende të tjera përfshi edhe Gjermaninë. Sot raportet e Shqipërisë, e qeverisë tuaj, me vendet e BE janë të shkëlqyera, përjashto Greqinë.
Edi Rama: Është një moment, është një moment që do kalojë. Shqipëria është sot një vend, me një profil, besoj unë të qartë që duhet ta konsolidojmë në vazhdim. Ne duam miqësi me të gjithë miqtë, ne duam absolutisht jo vetëm miqësi por duam partneritet strategjik me Greqinë me Italinë, me Turqinë. Ne nuk duam konflikte, ne nuk duam sherr, ne nuk duam estradë ballkanike me gërhama nacionaliste në rajon, ne duam të kemi sa më shumë kushte për të promovuar paqen bashkëpunimin etj etj. Një gjë nuk e pranojmë dot dhe nuk do ta pranojmë që të trajtohemi pa respekt. Për sa kohë trajtohemi me respekt, për sa kohë trajtohemi me të njëjtin respekt që japim ne jemi në rregull.
Sokol Balla: Pra, ju thoni që Greqia ka munguar në respekt ndaj nesh?
Edi Rama: Jo, jo, jo.. Në rastin e Greqisë ne e kemi bërë shumë të qartë, që në krye të herës. Greqia është një nga partnerët strategjikë të Shqipërisë, me Greqinë na lidh historia, na lidh fqinjësia, na lidh e ardhmja. Unë e kam thënë hera herës diçka që në fakt nuk ka nevojë as të përsëritet dhe që të gjithë do ta kenë parasysh, fqinjin nuk e zgjedh, fqinjin e ke. Gjyshja ime, ndjesë pastë, thoshte fqinj i mërzitur, shtëpi e sekëlldisur. Pra, nëse fqinjësia ushqen sekëlldi dhe ushqen mërzi nuk është e mirë. Greqia ka marrë një pozion të caktuar në këtë periudhë kohe, ne nuk kemi reaguar përvec se kemi nënvizuar faktin që ne nuk lëvizim, nuk lëvizim nga pozicioni ynë për arsyen e thjeshtë se ne këtë pozicion nuk e kemi marrë në raport me Greqinë, nuk e kemi marrë në raport me një individ, ne këtë pozicion e kemi marrë në raport me veten dhe me të ardhmen që është pozicioni që Shqipëria duhet të ketë një drejtësi të pavarur. Dhe nëse ne nuk lëvizim nga ky pozicion për shumë raste që lidhen me qytetarë të Republikës së Shqipërisë me kombësi shqiptare ne nuk kemi pse të lëvizim për një qytetar të Republikës së Shqipërisë me kombësi greke, apo me kombësi franceze është e njëjta gjë.
Sokol Balla: Ju thatë që kjo është një situatë që ju do ta zgjidhni, si do ta zgjidhni? Keni deklaruar se do pritet fundi i gjyqit. Tashmë aty kemi një kryetare bashkie që për fat mori vota për të cilat kishte nevojë Himara, edhe nga krahët e tjerë. U duk si një reflektim në heshtje edhe nga partitë e tjera opozitare, përvec asaj minoritare, por keni thënë që nuk do ketë zgjedhje. Ka shkuar prefekt z. Tavo, me marrëdhënie të shkëlqyera me Athinën, a është ky fillimi i zgjidhjes së situatës në Himarë.
Edi Rama: Problemi në vetvete, që lidhet me një emër të veçantë është një problem i drejtësisë dhe atë problem do e adresojë deri në fund vetëm drejtësia. Në këtë pikë, pozicioni ynë nuk ndyshon dhe në këtë pikë nuk ka asgjë, asgjë, asnjë lloj qasje politike, asnjë lloj presioni.
Sokol Balla: Megjithëse vendimi që ju keni marrë është disi i diskutueshëm nga pikëpamja ligjore, që thoni nuk do ketë zgjedhje..
Edi Rama: Jo, ta shpjegoj. Në këtë aspekt nuk ka çfarë ndryshon asgjë dhe ne jemi aty ku kemi qenë që në sekondën e parë, dhe na vjen keq shumë që nga ana e fqinjëve dhe e miqve tanë grekë kjo nuk është kuptuar si duhet, apo nuk është vlerësuar sa duhet, është menduar që me presion mund të lëvizim nga ky pozicion sepse kjo nuk ka për të ndodhur. Ndërkohë ne marrëdhëniet dhe komunikimet i kemi të vazhdueshme dhe as bëhet fjalë që të djegim jorganin për një plesht, nuk bëhet fjalë. Ne kemi vetëm pozitivitet dhe vetëm dëshirë pozitive që marrëdhëniet me Greqinë të ngjiten nivelin më të lartë të mundshëm të partneritetit, të miqësisë, të fqinjësisë e kështu me radhë.
Sokol Balla: Pra, le të themi nëse nesër bëhen zgjedhjet në Himarë, do vini një kandidaturë shumë më prestigjoze, dhe që Himara e meriton, shumë më shumë se sa meritonte Goron. Mund të jetë Vangjel Tavo një kandidaturë nesër për kryetar bashkie të Himarës?
Edi Rama: Nuk dua të bëj komente për ish kryebashkiakun e Himarës, sepse dihet tanimë që ai është në një proces. Por dua të them që faktikisht zgjedhja e kryetares së Bashkisë në detyrë me një shumicë dërrmuese në Këshill Bashkiak, flet për një realitet të ndryshëm nga realiteti i perceptuar gabimisht nga miqtë tanë sepse aty ka një komunitet që kërkon qetësi, kërkon paqe, kërkon zhvillim dhe është tërësisht i painteresuar të hyjë në një konflikt dhe të bëhet palë në një konflikt sepse zgjedhjet janë një ditë, por jeta e atyre që jetojnë në Himarë është çdo ditë. Dhe konfliktet mund të hapen për një ditë, por mund të mos mbyllen gjithë jetën dhe pasojat nuk janë të atyre që i hapin dhe i ushqejnë, pasojat janë të atyre që jetojnë në pamundësi për të ikur nga hija e konfliktit. Dhe ajo zgjedhje aq maxhoritare tregon që e vërteta është që zgjedhjet e Himarës ato që u bënë rezultati ishte tejet i ngushtë 19 vota, ishte një rezultat i ndikuar jashtëzakonisht shumë nga ata që erdhën për të votuar atë ditë dhe që ikin prap në të drejtën e tyre, absolutisht, por nuk ishte një arsye për të hyrë në këtë lloj konflikti. Zgjedhja e kryetares së bashkisë në detyrë, është një arsye e madhe për të kuptuar që Himara meriton të ketë të gjithë qetësinë e nevojshme dhe të zhvillohet pa asnjë lloj konflikti dhe për më tepër Himara nuk meriton në asnjë mënyrë dhe për asnjë arsye që të bëhet pre e zjarreve që nxit, e zjarreve që ushqen duke hedhur benzinë një politikan që e udhëhiqte minoritetin dhe që sot është në parlament, jo më falë votave të marra si udhëheqës i minoritetit por falë strehimit politik në një parti ku lideri i partisë është shpallur non grata nga SHBA për korrupsion madhor dhe minim të demokracisë.
Sokol Balla: Ju po flisni për Vangjel Dulen, ndërkohë ju pyeta për një tjetër Vangjel, për Vangjel Tavon
Edi Rama: Vangjel Tavo është një individ i mirënjohur, politikan prej shumë vitesh. Me Vangjel Tavon unë kam patur një marrëdhënie shumë të mirë kur ishte në PS, pastaj nuk kemi patur asnjë marrëdhënie kur ai shkoi në një parti tjetër majtas. Vangjel Tavo ka edhe një eksperiencë në qeveri djathtas. Pra, Vangjel Tavon unë nuk e kam zgjedhur aty si një njeri që vjen nga një rrugëtim besnikërie apo qëndrimi të vazhdueshëm pranë meje ose në PS. Por e kam zgjedhur aty si një njeri që mendoj që ka një profil që duke ushtruar detyrën e prefektit të Vlorës patjetër që mund të ndihmojë nga afër edhe për të adresuar ato problematika, institucionale që lidhen edhe me bashkinë e Himarës edhe me bashki të tjera patjetër. Kështu që, nuk është se kam menduar diçka tjetër nga ajo që duket dhe është shumë e qartë. Sa i përket zgjedhjeve, zgjedhjet do të shpallen kur duhet të shpallen nga Presidenti i Republikës, në rast se gjykata e Apelit do të vendosë që zotëria që është bërë shkak për gjithë këtë furtunë të madhe në gotë është i fajshëm apo i pafajshëm, dhe nëse është i pafajshëm ai do shkojë në detyrë, në rast se është i fajshëm patjetër që do ketë zgjedhje. Në zgjedhjet e ardhshme PS do të ketë kandidatin e vet, nuk diskutohet.
Sokol Balla: Me shumë himariotë që unë flas, thonë që poshtë këtij konflikti ka një bazë, pakënaqësia e madhe e himariotëve për mënyrën se si bashkia adresoi, por edhe qeveria qendrore, ka adresuar çështjen e pronave. Shumë ose disa afera korruptive, disa prej të cilave po hetohen një prej tyre është ajo për të cilën është pas hekurave kryetari i bashkisë z.Goro. Ka njerëz të lidhur me maxhorancën tuaj që edhe sot janë në hetim, janë marrë masa, sekuestro. Ka një debat për mandatin e një prej deputeteve tuaja. Mendoni se kjo është mënyra se si maxhoranca po përballet me afera të presupozuara korrupsioni, pasi janë procese ende në hetim, a mendoni se maxhoranca duhet ta rishohë pak mënyrën se si ajo duhet të shtojë filtra për të ulur hapësirat të cilat i mbush korrupsioni?
Edi Rama: Është gjithmonë një bisedë që realisht më bën për të qeshur se nuk qaj dot për faktin se sot drejtësia po vepron falë luftës që ka bërë kjo maxhorancë që ta sjellë drejtësinë në kushtet që të veprojë.
Sokol Balla: Po a është mjaft?
Edi Rama: Është shumë e rëndësishme të kuptohet kjo. Thënë kjo, unë personalisht sa herë që drejtësia vepron dhe sa herë që njerëz që janë të lidhur me pushtetin janë të lidhur me një funksion publik shkojnë përpara drejtësisë, nuk mund të them që lumturohem sepse s’mund të të vijë mirë asnjëherë. Por ama nga ana tjetër, duke e parë jo nga pikëpamja njerëzore, por nga pikëpamja institucionale, sigurisht që për mua kjo është pjesë e rezultateve që po sjell një proces, për të cilin unë luftova me shumë këmbëngulje dhe një mijë herë të kthehesa pas, një mijë herë do kisha bërë të njëjtën gjë. E dyta, unë nuk e di se në cilën luftë dhe cila ushtri në historinë e njerëzimit kur shkon në një luftë, nuk ka probleme me tradhtarë, me frikacakë, me shkelës të rregullave dhe normave, me individë që marrin dënime që në kohën e luftës janë shumë më të rënda, nuk ka probleme me elementë edhe në komandën e përgjithshme që kanë të tjera qëndrime etj etj. Në cilën? Kjo nuk ndodh. Tani këtu jemi në kushtet kur diskutohet sikur është përgjegjësi dhe është faj madje dhe madje jo vetëm është përgjegjësi dhe faj, por më në fund po del përgjegjësia e faji i të gjithëve ne. Ndërkohë që ne jemi ata që kemi çuar PS në luftë për Shqipërinë. Pra, PS është një ushtri në luftë për Shqipërinë. Në Himarë ka probleme? Po, ka probleme, po ku nuk ka probleme, në cilën bashki të Shqipërisë nuk ka probleme në aspektin e arsyeve të njerëze për të patur rezervat e tyre.
Sokol Balla: Jam dakord, por mos harroni, qeverisni kudo ju
Edi Rama: Po pra po, në cilën bashki nuk ka probleme, mund të qeverisë kush të dojë. Ne, ata le t’i vijnë nga Hëna, do ketë gjithmonë probleme sepse qeverisja askund dhe asnjëherë nuk është perfekte dhe nuk ka as çelësin magjik. Në Himarë, po ka probleme me regjistrimin e pronës, por ka probleme me regjistrimin e pronës edhe Malësi të Madhe, edhe në Kukës, në vende të tjera.
Së dyti, patjetër që Himara është një bashki që ka problemet e veta, por të gjitha bashkitë kanë problemet e tyre sepse është proces transformimi, është proces ndryshimi, është proces ku regjistrimi i titujve të pronësisë, është me probleme edhe sot e gjithë ditën për njëmijë e një arsye që nuk është vendi ti shpjegojmë, por nga ana tjetër Himara sot nuk krahasohet fare me Himarën që ishte përpara 10 vjetësh. Himara sot është një realitet komplet tjetër. Himara sot shkëlqen në shumë aspekte. Himara sot është destinacion turistik ndërkombëtar. Himara sot është një vend që ka prodhuar pasuri për himariotët, sepse në fund të ditës mund të diskutojmë sa të duam dhe nuk dua të hyj në detaje, por pronat në Himarë nuk grabiten. Kjo nuk ndodh që pronat të grabiten dhe t’i marrin disa oligarkë, sic thonë. Pronat në Himarë dhe në të gjithë Shqipërinë shiten dhe të gjitha ndërtimet që bëhen në Himarë, janë me kontrata shitjeje që janë gjithmonë e më mbresëlënëse për nga çmimi me të cilin shitet metri katror sot në Himarë. Bëhet fjalë për çmime që në një pjesë të vijës bregdetare janë më të larta se në Korfuz dhe këto të ardhura sigurisht që shkojnë te familjet himariote.
Sigurisht që në tërësinë e këtyre transaksioneve patjetër që nuk e diskutoj fare që ka transaksione të mbështetura mbi veprime të kryera në hipoteka në të shkuarën, por edhe rasti që u përmend, nuk dua të hyj fare në aspektin konkret, por përsëri bëhet fjalë për banorë të Himarës që kanë një kontest midis tyre për pronën dhe bëhet fjalë për një marrëdhënie private me ta. Kështu që, kur i them këto, nuk dua të minimizoj problemet, por dua të them që nuk ekziston një problem pronësie ekskluziv për Himarën, ky është një mit. Është një mit i ngritur nga politika e mbrapshtë dhe nga një seksion i saj që ka të bëjë me atë politikanin e lodhur dhe të rraskapitur që folëm. I lodhur, i rraskapitur, por shumë efektiv në manipulimin dhe në dizinformimin e Athinës, që nuk ka të bëjë fare si mit me realitetin, sepse të njëjtin problem që e ka një himariot për të regjistruar pronën e tij në Himarë e ka një dukagjinas, një malësor në Theth, një në Kukës, një tjetër në Tepelenë dhe ky është një proces. Por po të shikojmë tërësinë, dhe ta shikojmë pikturën e madhe në pikturën e madhe, këto janë gjëra që flasin për fenomene të caktuara, por nuk janë pjesa e madhe e pikturës. Dhe kur vijmë te drejtësia, sigurisht është e padiskutueshme që këto janë rezultate të mirëpritura. Kështu duhet të ndodhë, nuk se si dhe pse të ndodhë ndryshe, dhe kulmi është kur thonë ‘hajdutët e Edi Ramës’, po cilët hajdutë të Edi Ramës? Nëse janë hajdutë, janë hajdutë të kësaj shoqërie që duhet të meritojnë deri në fund ndëshkimin e kësaj shoqërie përmes ligjeve mbi të cilat kjo shoqëri funksionon. Nuk janë hajdutët e njëri apo të tjetrit, sepse secili mban përgjegjësi për atë që bën kur vjen puna për raportin e tij me ligjin. Sepse nuk është as vizioni, nuk është as programi, nuk janë as qëllimet tona të përbashkëta, dhe nuk janë as bisedat dhe as ndërveprimet tona të përbashkëta, që bazohen në gjë tjetër vecse në si të bëjmë punën tonë më mirë në shërbim të njerëzve. Dhe të solla shembullin e ushtrisë.
Sokol Balla: Ju përmendët ushtrinë, përmendët elementë që mund të jenë në komandën e përgjithshme të ushtrisë, përmendët tradhtarë, njerëz që abuzojnë dhe përfitojnë në këtë luftë ku ju e keni future edhe PS, ajo që vura re unë z. kryeministër është që javën e shkuar, në rastin e interpretimit të çështjes së mandatit të deputetes Xhaçka, maxhoranca mbajti një qëndrim i cili u interpretua si refraktar përballë drejtësisë së re. Të enjten e kaluar pata në intervistë kryetarin e Bashkisë Tiranës dhe udhëheqësin politik të të gjithë qarkut të Tiranës, z.Erion Veliaj, i cili foli për pendulumin e drejtësisë i cili ka shkuar, pak lart dhe që do duhet të regjistrohet me kalimin e kohës. Ka një riregjistrim edhe të maxhorancës, ndaj reformës në drejtësi dhe ndaj SPAK në veçanti?
Edi Rama: Edhe një herë që të jemi shumë të qartë se është shumë e rëndësishme. Nuk kanë asnjë lidhje fare këto gjëra me njëra tjetrën. Rasti i vendimit për të votuar në parlament nga shumica nuk ka të bëjë fare, zero me Olta Xhaçkën. Rasti i konfliktit të interesit është gjykuar në gjykatë kushtetuese dhe në fund ka mbetur peng i një konflikti midis dy opozitave a tre opozitave, a shtatë opozitave sa janë, që kanë çuar për të njëjtën gjë dy ankesa të ndryshme, dhe gjykata kushtetuese në një farë mënyre ka dashur që ti japë përgjigje edhe njërës edhe tjetrës dhe ka sjellë për parlamentin një vendim të pazbatueshëm. Pse të pazbatueshëm? Për një arsye shumë të thjeshtë. Gjykata Kushtetuese mund të rrëzojë ligjet që bën parlamenti për mos përputhje me Kushtetutën. Gjykata Kushtetuese nuk mund të urdhërojë se si votojnë deputetët, është e pamundur. Është teorikisht dhe teknikisht e pamundur. Sepse vota e çdo deputeti është sovrane.
Sokol Balla: Dakord, por ju jeni kryetar i maxhorancës, ju mund t’i udhëzoni ata se si të votojnë..
Edi Rama: Nuk ka lidhje kjo. Këtu flasim për një raport me shtetin
Sokol Balla: Edhe unë për këtë ju pyeta, brenda mbështetjes që i keni dhënë reformës në drejtësi, mendoni se ka nevojë për axhustime?
Edi Rama: Nuk ka lidhje fare kjo me reformën në drejtësi, kjo ka lidhje me një vendim të gjykatës kushtetuese që është i pazbatueshëm dhe është bërë një përpjekje e pafundme nga të gjithë personat përgjegjës në parlament nga ana jonë për të konsultuar ekspertë, konstitucionalistë, për të konsultuar ekspertë të jashtëm, ndërkombëtarë, si ta zbatojmë këtë vendim. Sepse kur gjykata Kushtetuese merr pësipër të gjykojë një ligj që kalon parlamenti është në të drejtën e saj që të thotë ky ligj nuk përputhet me kushtetutën dhe nuk diskutohet që ti duhet ta zbatosh. Por nëse gjykata kushtetuese, sjell një vendim në parlament që thotë ma ço mua këtë ti kështu siç e kërkoj unë, kjo është jashtë mundësive sepse parlamenti është pushtet sovran dhe nuk e detyron dot askush as Gjykata Kushtetuese se si duhet të votojë. Gjykata Kushtetuese gjykon patjetër nëse parlamenti voton në mënyrë të gabuar. Pra, nuk ka lidhje fare me personin.
Sokol Balla: Më tepër ju pyeta sepse, z. Basha i cili formalisht mbetet kryetar i PD, ka akuzuar disa herë në dy javët e fundit se ju dhe Foltorja pas dakordësisë që keni arritur për normalizimin e jetës së Kuvendit, mund të fusni duar te reforma në drejtësi.
Edi Rama: Tani, shiko, këto janë të gjitha lojëra që besoj se njerëzit i kuptojnë shumë mirë dhe është e kotë që të hyjmë dhe t’i marrim seriozisht.
Sokol Balla: Jo, s’ka gjë mua më mjafton një Po dhe Jo…
Edi Rama: Është e kotë që të hyjmë dhe t’i marrim seriozisht, pse? Sepse këtu secili përpiqet të bëjë lojën e vet. Njëri thotë këto, ça mund të thotë tjetër ai artist në këtë pjesëz të skenës që i ka mbetur për të recituar. Aq më tepër që sot është në kushtet kur nuk ka edhe suflerin edhe është pak si i humbur në natyrë edhe nuk arrin dot as të kalibrojë gënjeshtrat që i ka fiziologjike. Është në fiziologjinë e tij që të gënjejë sikur këndon, njësoj. Tjetri ngre një furtunë komplet pa lidhje me shpifje haluçinante..
Sokol Balla: I referoheni akuzave ndaj vëllait tuaj?
Edi Rama: Po çfarë mund të pritet tjetër, nga një çingije që hidhet nga prehri në prehër dhe spërdridhet për t’i dhënë kënaqësi padronit të radhës dhe për të marrë nga padroni i radhës pastaj atë vlerësimin e çingijes më të preferuar. Çfarë mund të bëjë tjetër, çfarë mund të presësh tjetër? Ndërkohë që ana serioze e gjithë kësaj është që pa PS nuk do kishte reformë në drejtësi dhe pa PS, nuk do kishte stabilitet në punën e SPAK. SPAK-u sot është një organizatë që ka mundësinë të punojë me stabilitet të plotë dhe është i sulmuar vetëm nga një segment i politikës që edhe ata nuk kanë çfarë.. c’mund të bëjë tjetër për të mbijetuar aq sa mund të mbijetojë dikush që i ka hapësirat të kufizuara. Kështu që, në një hapsirë të kufizuar përpiqet të shpjegojë që ia kanë kufizuar hapësirën se këtu po bëhet në padrejtësi e madhe, një tjetër, hipën nëpër paralele, shtylla, hipën nëpër diga, për të treguar se di të fluturojë.. gjithsesi ai fluturon. Pra, është një situatë që është si rezultat i faktit që drejtësia e re po funksionon. Dhe për sa na takon ne, kemi shumë gjëra të tjera që mund të bëjmë padiskutim dhe që përpiqemi t’i bëjmë çdo ditë.
Dëgjoja rastësisht dikë, një tjetër që e kishim harruar, që thoshte, qeverisja është në ditën më të zezë por nuk ka opozitë. Tani, nëse qeverisja, është në ditën më të zezë, në një Shqipëri e cila sot është në ditën e vet më të mirë dhe kjo nuk diskutohet sepse mjafton dhe tepron fakti që në Shqipëri pasi u arrit numri i 10 milionë turistëve vjet. Janar, shkurt, mars kemi 65 përqind më shumë turistë, dhe të gjithë këta vijnë në Shqipëri konsumojnë në Shqipëri, paguajnë netët, vënë në lëvizje një ekonomi të tërë që prek shumë e shumë njerëz dhe këtë e shohim te të ardhurat që vijnë nga taksat. Se të shohësh më shumë taksa pa i rritur taksat duhet të prodhohen më shumë para prej të cilave shteti të marrë taksën e vet. Atëherë nëse kjo është ditë e zezë, ditë të tilla të zeza paçim sa më shumë dhe nga ana tjetër dikush tjetër thoshte e shoh shumë të qetë Ramën dhe kupolën e PS megjithëse po i ikin njerëzit. Tani më vjen shumë keq, unë kuptoj se çfarë është pritur këtu, ça duhet të ndodhë këtu, që të bëhej një drejtësi e re që të konfirmonte që në gjithë ushtrinë e madhe të PS dhe në të gjithë këtë armatë të madhe funksionarësh të ishin të gjithë virgjëresha? Po atëherë pse e bëmë refomën në drejtësi ne? Për çfarë e bëmë reformën në drejtësi? Nëse do ishte kështu. Dhe e fundit për këtë është që, rrihet e këndohet ministrat e Ramës, ministrat e Ramës, po më fal një sekond, unë kam 10 vjet në krye të qeverisë, 11 pothuajse në shtator, dhe çfarë më numërohet mua…
Sokol Balla: Dhjetëra ministra, ish-ministra, kryetarë bashkie, nuk janë pak apo jo?
Edi Rama: Po një minutë, se ky është një proces 10 vjeçar dhe këtu bëhet fjalë, se nuk dua fare t’i përmend ata njerëz sepse janë në hallet e tyre, dhe kanë mbaruar punë me mua dhe politikën dhe publikun, por bëhet fjalë për një numërim të caktuar që fillon ditën e parë, një. E dyta, pjesa më e madhe ose mos të tërë, kur kanë filluar të kenë probleme me drejtësinë, kanë qenë të larguar nga qeveria. Pra, kur më thua çfarë duhet të bëjmë ne, çfarë duhet të bëjmë ne faktikisht?
Sokol Balla: Përshembull Erjon Veliaj thotë duhet të shtrojmë filtrat, pas goditjes së dytë që mori Bashkia e Tiranës nga SPAK..
Edi Rama: Mos t’i hyjmë këtij diskutimi se çfarë thotë njëri e çfarë thotë tjetri, se po flasim bashkë këtu. Unë personalisht di që ne e para e punës, kur vjen puna për qeverinë, unë jam shumë i vëmendshëm dhe kam bërë ndryshime të vazhdueshme në qeveri, iu kam dhënë mesazhet e mia shumë të qarta të gjithëve. Kam dhënë mesazhe të qarta edhe me lëvizjet e qeverisë, edhe me veprimet të tjera që jo gjithmonë kanë qenë të lidhura me çështje që kanë patur të bëjnë me shqetësime të kësaj natyre dhe nga ana tjetër kemi vijuar të bëjmë reformim dhe ristrukturim dhe për këtë flasin shifrat. Vetëm numri i shërbimeve online që bëhen sot, tregon se sa shumë është ulur niveli i korrupsionit në marrëdhënien direkte qytetar-shtet një herë, vetëm ajo. E dyta, po të shikosh numrin e prokurimeve publike, po të shikosh shpërndarjen e fondeve publike me prokurime publike përsëri ka një shpërndarje shumë më të madhe në shumë më tepër duar të fondeve publike që tregon që ka shumë më tepër transparencë, shumë më tepër garë etj etj. Të gjitha këto janë procese, janë shtetndërtim, nëse do ishin të thjeshta, nëse do bëheshin menjëherë..
Pra, që lufta me korrupsionin duhet të vazhdojë në të gjitha nivelet, kjo nuk diskutohet, që duhet të thellohet, kjo nuk diskutohet, që kur ka ngjarje të tilla njerëzit duhet të ndjehen të çliruar që u lehtësua një peshë që e kemi pasur në kurriz edhe që na ka rënduar edhe që nuk e kemi identifikuar dhe jo të krijohet e gjithë kjo zallamahi, por kësaj zallamahisë nuk kemi çfarë i bëjmë është pjesë e jetës politike.
(marrë nga realstory.al)