Edi Rama “zgjidh qesen”, ja kategoritë që do të përfitojnë rritje pagash, nga mësuesit, te ushtarakët

Qeveria “Rama 2” ka vendosur të rrisë pagat dhe shpërblimet për vitin që vjen për një sërë punonjësish të shtetit. Lajmi është bërë me dije dje nga kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të platformës sociale të projekt buxhetit 2019.

Duke folur në këtë aktivitet, Rama deklaroi se buxheti i vitit tjetër parashikon rritje pagash në arsim, shëndetësi si dhe për ushtarakët, duke hapur kështu qesen para zgjedhjeve vendore të 2019. “Sot jemi për të folur lidhur me një politikë të re që duam të lançojmë e për të cilën jemi gati e ky është lajmi i mirë. Jemi gati sepse kemi bërë reforma. Jemi gati sepse kemi vendosur rregull në financat e shtetit.

Jemi gati sepse sot na e lejojnë llogaritë diçka që do të ishte e pamendueshme vetëm pak vite më parë, si rezultat i një diskutimi të brendshëm mbi buxhetin e vitit 2019, ku do të kemi disa të reja pozitive falë reformave. Disa fryte të dobishme të reformave do të shkojnë në interes e në favor të njerëzve të kategorive të ndryshme. Do të kemi rritje pagash në arsim, rritje pagash në shëndetësi, rritje pagash në ushtri, pas shumë e shumë vitesh pa asnjë rritje pagash në ushtri”, deklaroi ai.

Swiss Digital Desktop Reklama

Bonusi i lindjes

Swiss Digital Mobile Reklama

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar më tej një politikë te re sociale, që synon rritjen e popullsisë shqiptare, e cila vitet e fundit është pakësuar ndjeshëm. Në përpjekje për të rritur natalitetin në Shqipërinë që në dekadat e fundit është përballur me largime masive të qytetarëve dhe ulje të lindshmërive, shefi i qeverisë njoftoi dje 24-fishimin e çekut për lindjen e çdo bebeje në vend. Aktualisht ky bonus është 5 mijë lekë të vjetra. Por Rama sqaroi se çdo prind me lindjen e fëmijës së parë do të marrë 400 mijë lekë bonus, ndërsa pas fëmijës së tretë, i katërti dhe i pesti janë të gjithë subjekt i bonusit 1.2 mln lekë, duke filluar nga vitit 2019. “Nga 1 janari, fëmijët e parë të çdo çifti do të marrë 400 mijë lekë shpërblim nga shteti, për mirëseardhjen në jetë. Çdo bebe do të regjistrohet në maternitetin që lind. Rritja e bonusit do të vijojë me 16% për fëmijën e dyte dhe 24 fish për të tretin, duke shkuar në 1.2 milionë lekë. Çdo fëmijë i parë i një çifti merr 8 fishin e kontributit pra 400 mijë lekë, çdo fëmija i dytë 16 fish ose 800 mijë lekë dhe fëmija i tretë 28 fish ose 1.2 milionë lekë. Kjo masë do të nxisë natalitetin. Kjo është një masë që do të aplikohet për të gjithë familjet në Shqipëri”, tha ai.

Rama: Jo zvarritje për bonusin      

Kryeministri Edi Rama premtoi gjatë fjalës së tij se nuk do të ketë vonesa, ashtu siç ka ndodhur në të kaluarën, me shpërndarjen e këtij bonusi. Rama theksoi se bonusi tani kalon përmes njësive vendore nëpërmjet ministrisë së Brendshme, por që kjo do të ndryshojë. “Kjo do të ndryshojë krejtësisht dhe sistemi do të jetë i shpejt dhe i drejtpërdrejtë. Nuk do të ketë kapërcime nga njësi të ndryshme vendore dhe nuk do të ndodhë që paratë e fëmijëve të përdoren për tjetër gjë duke lënë familjet pa bonos”, tha ai.

Ulje taksash

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi gjithashtu se në projekt buxhetin e vitit 2019 parashikohen edhe lehtësime të rëndësishme taksash, duke veçuar këtu biznesin e vogël. “Vetëm me heqjen e taksës së sheshtë dhe me vendosjen e taksimit të ndershëm, ne kemi mundësuar që 57.3 miliardë, që do të thotë 570 milionë e 300 mijë dollarë të mos shkojnë në arkën e shtetit, por të mbeten në xhepin e qytetarëve, në xhepin e punonjësve në shtet apo në privat. 97.34% e punonjësve në shtet apo në privat kanë përfituar nga taksimi i ndershëm. Do të kemi lehtësime të rëndësishme taksash, kryesore, lehtësimi i taksave për një pjesë të konsiderueshme dhe shumë aktive të biznesit që do të hyjë në kategorinë e biznesit të vogël e nuk do të konsiderohet më biznes i madh deri në 140 mijë dollarë xhiro në vit”, nënvizoi ai.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?