Edi Rama:Hajdeni në COD-in e Kryeministrisë

 

COD (Center for Openess and Dialogue) është mjedisi i transformuar i katit të parë të kryeministrisë, nga një korridor i errët me zyra të mbytura nga lagështia ku dergjeshin materialet arkivore të qeverisë, bashkë me rraqë gjithëfarë mes pluhurit e pisllëkut shumëvjeçar, në një hapësirë që do të jete edhe e publikut, artistëve, botuesve, studiuesve, studentëve e nxënësve, si dhe atyre që duan të ballafaqojnë hapur me qeverinë argumentat e protestave të tyre kundër qeverisë.

Jeta e COD që do të vijojë gjatë gjithë ditëve të javës duke nisur nga fillimi i vjeshtës, ka nisur me kontributet bujare të tre artistëve të mëdhenj ndërkombëtarë, Philipe Parreno, Karsten Holler, Thomas Demand, si edhe me vizitën historike të kancelares Angela Merkel. E cila e çmoi si inovacion mbresëlënës kthimin e katit të parë të godinës së qeverisë në një mjedis dialogu e komunikimi me publikun përmes larmisë së formave të komunikimit.

 

Nga Edi Rama

E kam shumë të qartë që pas fjalës së Falmës, e cila është drejtuese e projektit, janë plot këtu që po mendojnë tani, kushedi sa gjatë do të dëgjojnë fjalimin tim. Unë nuk do të flas gjatë. Falma në mënyrë shteruese bëri një prezantim të idesë për këtë hapësire të re.

 

Unë dua vetëm te shpreh disa mirënjohje shumë përulësisht. Dua t’i shpreh mirënjohjen artistëve. Tre artistëve, të cilët sot janë të kërkuar në të gjithë muzeumet më prestigjioze të botës dhe që pavarësisht kuotimit të tyre stratosferik, në Shqipëri sollën një kontribut tërësisht vullnetar për tu bërë pjesë e një projekti që është tërësisht inovativ si kjo qendër për hapjen dhe dialogun që ne dëshirojmë ta vëmë në dispozicion të publikut, ta vëmë në dispozicion të artistëve, të botuesve, të njerëzve të filmit, të njerëzve të muzikës dhe të protestuesve. Edhe për ata që do të protestojnë kundër qeverisë do të jetë mundësia që të rezervojnë këtë hapësire për të dërguar përfaqësitë e tyre dhe të rezervojnë dhe ministrat përkatës dhe pse jo dhe kryeministrin, për të ballafaquar argumentet, duke shfrytëzuar kohën televizive të qeverisë.

 

Sigurisht, jo për të bërtitur këtu brenda, se mund të bërtasin jashtë, por këtu brenda për të folur, dhe për të shtruar argumente dhe për të ballafaquar pikëpamje. Thënë kjo besoj që është një pasuri e paçmuar qoftë markiza që është instaluar mbi hyrje, një vepër e artistit të madh Philippe Parreno, qoftë kërpudha që është e instaluar në hapësirën e gjelbër në krah të kryeministrisë që është një vepër e një tjetër artisti shumë të shquar Carsten Höller. Janë vepra që janë pjesë të serive, të cilat gjenden në muze nga më të famshmit e botës, por nuk janë seri, janë pjesë unike që i janë dhuruar Shqipërisë dhe që janë pjesë e fondit tonë të artit sot e përgjithmonë.

 

Nga ana tjetër dua ti shpreh mirënjohjen edhe dy miqve tanë arkitektëve, Johanit dhe Frikut të cilët kanë luajtur një rol vendimtar në të gjithë drejtimin estetik dhe arkitektonik të këtij transformimi të madh, po ashtu dhe Anri Salës, i cili ka rishfaqur dhe njëherë aftësitë e tij të jashtëzakonshme për aktivitete me natyrë humanitare, por që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me artin, me kulturën dhe me bashkimin e shumë njerëzve së bashku për të realizuar gjëra kaq të mrekullueshme, si kjo që kemi sot këtu, që jam i bindur do të jenë një landmark përtej kufijve të Shqipërisë.

 

Tani na takon ne që duke filluar nga fillimi vjeshtës së ardhshme ta bëjmë këtë qendër, një qendër të jetueshme dhe të jetuar nga të gjithë së bashku. Do më falin të gjithë ata që Falma i përmendi dhe që unë nuk po i përmend përsëri që nga Komisioni Europian tek Banka Botërore tek një sërë ambasadash, të cilat me shumë dashamirësi janë bashkuar në këtë projekt për të dhënë edhe ata kontributin e tyre, që shpresoj do të vazhdojë, pasi koncepti i librarisë është që të vazhdojë të pasurohet mbi një sërë tematikash specifike për specialistët, por dhe për studiuesit dhe studentët.

 

 

Po ndalem këtu për tu lënë mundësinë të shijoni këtë moment të parë hapjeje dhe padyshim të filloni të mendoni se si secili prej jush apo ata që sot nuk janë këtu, por që me siguri do duan të bëhen pjesë, mund ta përdorë këtë hapësirë për qëllime qytetare, për qëllime të jetës sociale, kritike. Në pritje të këtij fillimi të fillimvjeshtës së ardhshme dhe ndërkohë që ne do të marrim kohë për tu përgatitur shumë mirë gjatë periudhës së pushimeve që të mos leme më vakum, ju falënderoj shumë!

SHKARKO APP