Editoriali i fundvitit/ Një pushtet i plotfuqishëm, një opozitë e degraduar dhe një SPAK në sulm

(Ky editorial shikohet më i plotë si video ndaj kliko për ta ndjekur)

Viti 2023 po numëron orët, nga pak e derisa të trokasë mesnata e 31 dhjetorit, në ora 00.00.

Një Vit i Ri plot me lumturi e begati, për këdo nga shqiptarët, kudo që ndodhet. Ky është urim nga redaksia e gazetës së parë të pavarur , KOHA JONE!

Por nuk mund të rrimë në këtë prag feste të Vitit të Ri që të mos themi atë çfarë përjetuam në vitin 2023.

Ky vit që po mbyll siparin e tij ishte vit me një rritje të jashtëzakonshme turistësh të huaj, ku numri 10 milionë pritet të rritet në vitin që vjen.

Viti 2023 solli një Tiranë krejt ndryshe, me të zhvilluar, ndonëse kudo e kurdoherë ka vend për kritika, porse e verteta mbetet se kryeqyteti po bëhet europian gjithnjë e me tepër.

Viti 2023 solli rritje pagash në administratën shtetrore, por jo tek privati.

Viti 2023 solli me shumë fitime për oligarkët dhe varferi për qytetarët e thjeshtë.

Viti 2023 solli një rritje të fortë të pushtetit të kryeministrit Edi Rama dhe një opozitë edhe më të shkatërruar që nuk ngjall besim, që nuk rrëzon dot pushtetin e kryeministrit Rama, që nuk jep shpresë; një opozitë që edhe në ditën e arrestimit të Berishës, nuk mblodhi dot as një mijë veta për të protestuar!

Kjo opozitë po mban Edi Ramën në pushtet dhe sa të jetë në këtë gjëndje kaotike dhe të hallakatur, Edi Rama rri majë pushtetit duke kundruar sherrnajën në partinë demokratike.

Natyrisht jo vetëm duke kundruar, por edhe duke hedhur një dorë zjarri me shumë në benzinën që kanë shperndarë në oborrin e selisë blu, vetë Berisha, Basha dhe krejt urdia e drejtuesve të kësaj force politike, e cila dikur ndryshoi Shqipërinë.

Viti 2023 solli një rritje të prestigjit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, e ku realisht Edi Rama luajti bukur e me mjeshtri, natyrisht për betonizimin e pushtetit të tij.

Viti 2023 solli dhe një ndryshim drastik në raport me pandëshkueshmerinë e politikanëve të lartë. SPAK-u mori përpara zyrtarë të lartë të shtetit dhe politikës. Altin Dumani u shpall Njeriu i Vitit si person dhe si institucion. Pra çdo prokuror i SPAK-ut është një hero, pavarësisht sulmeve politike nga anë të ndryshme. Edi Rama e sulmoi SPAK-un kur prokurorët i morën njerëzit e tij të besuar në pushtet, sikurse edhe Sali Berisha kur prokurorët firmosen arrestin e tij.

SPAK-u pranohet nga të gjithë se mbetet Njeriu i Vitit!

Të gjithë shpresojmë që viti 2024 të jetë vit më i mirë për çdo familje shqiptare, të jetë një vit që drejtësia të mos kursejë asnjeri që ka shkelur ligjin si dhe krejt qytetarët të punojnë për të rritur mirëqënien e tyre ekonomike.

Ky vit iku, sikurse thamë, me të mirat dhe të këqijat e tij. Ndaj shpresa mbetet te Viti i RI.

Edhe njëherë: redaksia e KOHA JONE uron shqiptarët për një Vit të begatë dhe të lumtur!

SHKARKO APP