Edmond Panariti sqaron skeptikët ndaj vaksinës: Mësoni nga historia
Shefi i Kabinetit në Presidencë, Edmond Panariti nëpërmjet një statusi në “Facebook” ka reaguar për situatën e COVID-19, duke u ndalur konkretisht tek vaksina.
Ai i drejtohet personave që janë mosbesues në efektin e saj, ndërsa shton se njerëzit para vaksinave vdisnin në masë, madje mortaliteti foshnjor ishte i frikshëm.
Statusi:
Për të gjithë skeptikët dhe atyre që janë kundër vaksinave përfshire dhe atë të covid – 19!
Që kur jeni lindur dhe madje pa ju pyetur fare që në ditët e para dhe në fazat e hershme të fëminisë, me miratimin e prindërve tuaj të mënçur dhe të përgjegjshëm ju kanë vaksinuar kundër një sërë sëmundjesh vdekjeprurëse, si lija, difteria, fruthi, poliomieliti, tetanozi etj..
Përndryshe, ja u them me bindje që një pjesë e mirë juaja nuk do të ishte në jetë sot e kësaj dite.
Njerëzit para vaksinave, vdisnin në masë dhe veçanërisht mortaliteti foshnjor ishte i frikshëm..
Shihni krahun apo kofshën tuaj dhe me siguri atje do të gjeni gjurmët e vaksinimit jetëshpëtues tuajin.
Edhe për këtë pandemi, zgjidhja e qëndrueshme është vaksina.. Nuk është e detyrueshme bërja e saj , secili është i lirë të vendosë për vete…
Por shihni pas në kohë dhe mësoni nga historia.