Efekti de-euroizimi?! Depozitat në valutë bien me 47 milionë euro në shkurt
Stoku i depozitave në valutë ka shënuar rënien më të fortë mujore që nga maji i vitit 2013. Sipas statistikave të publikuara sot nga Banka e Shqipërisë, stoku i depozitave në valutë zbriti në 527 miliardë lekë, me një rënie prej 1.2% në krahasim me muajin e mëparshëm. Kjo nënkupton se efekti neto i depozitimeve të reja dhe tërheqjeve të kursimeve në valutë ishte negativ prej 6.2 miliardë lekë, ose rreth 47 milionë euro, që kanë dalë nga bankat.
Kjo rrudhje e lartë e kursimeve në euro përkon me fillimin e fushatës së Bankës së Shqipërisë, kundër nivelit të lartë të euroizimit në ekonomi. Kjo duket se i ka nxitur individët që të konvertonin kursimet në lekë.
Të dhënat e Bankës tregojnë se ndryshe nga muajt e mëparshëm, kur ishin kursimet në lekë ato që binin ndjeshëm, në shkurt depozitat në monedhën vendase ishin pothuajse të pandryshueshme në raport me muajin e mëparshëm.
Stoku total i depozitave në muajin shkurt zbriti në 995 miliardë lekë, me një tkurrje prej 0.65% në raport me janarin. Me bazë vjetore (shkurt 2018/shkurt 2017), kursimet totale të shqiptarëve kanë rënë me 0.85%.
Pavarësisht rënies së shkurtit, valuta, ku mbizotëron euro, mbetet monedha e preferuar për kursime, duke zënë 53% të totalit.
Ulja e depozitave në valutë dhe tendenca e këmbimit të tyre në lekë, sipas ekspertëve të këmbimeve valutore, ishte një nga arsyet e zhvlerësimit të monedhës së përbashkët e cila në shkurt ra me 1.2 lekë, ndërsa nënçmimi ka vijuar dhe në mars, ku rënia totale në dy muaj ishte 2.3 lekë.
Rënia e depozitave në valutë në shkurt erdhi si nga bizneset (-2.6 miliardë lekë) ashtu dhe nga kursimeve në afat të individëve (-2.3 miliardë lekë).
Depozitat e reja në muajin shkurt ishin 631 milionë euro, niveli më i ulët që nga marsi i vitit 2016, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë. 80% e tyre u depozituan në llogari rrjedhëse. Individët zotërojnë pjesën më të madhe të kursimeve në euro, me 80% të totalit.

KOHA JONË SONDAZH

