Ekselentët në Polici, Kuko: Kërkohen njerëz të mirëkualifikuar
Zv/ministrja e Brendshme, Romina Kuko, në një intervistë dhënë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, foli për përfshirjen e studentëve ekselentë në Policinë e Shtetit, luftën kundër kultivimit të kanabisit dhe masat për sezonin turistik. Kuko nënvizoi progresin e jashtëzakonshëm në fushën e teknologjisë, që sipas saj, ”kërkon edhe njerëz të mirëkualifikuar dhe të specializuar në këtë fushë”. ”Policia e Shtetit po rifreskohet. Ne patëm disa ditë më parë përzgjedhjen e kandidatëve të parë ekselentë, të cilët do të jenë pjesë e Akademisë së Sigurisë, ku do të trajnohen specifikisht”.
Përparimi i teknologjisë, sipas saj “ka bërë që ne sot të mos kemi një patrullë policie në zona shumë të thella apo zona kufitare, pasi kjo realizohet nga droni. Polici sot nuk bën më një vlerësim subjektiv lidhur me shpejtësinë dhe shkeljen e rregullave të qarkullimit, pasi kjo realizohet nga sensorët dhe radarët dhe policia nuk komunikon më me mjetet e saj të vjetra, por ka metoda të reja komunikimi përmes tabletave, ku informacioni policor kalon me një ‘klik’”.
Kuko informoi se studentët ekselentë do të orientohen dhe angazhohen në 3 fusha kryesore, si hetimi i krimit, hetimi i krimit ekonomik dhe korrupsionit, si dhe në fushën e IT-së. ”Këto janë 3 fushat ku janë fokusuar më tepër prurjet që ne kemi nevojë”,-tha Kuko. Lidhur me rezultatet në luftën kundër kultivimit të kanabisit, Kuko solli në vëmendje se rezultatet e një muaji më parë të Guardia di Finanza, evidentuan se Shqipëria është praktikisht ”zero” në mbjelljen e kanabisit”. ”Nuk do të thotë që ne duhet të gëzohemi me rezultatin e arritur por ta ruajmë këtë rezultat. Kemi një rezultat të jashtëzakonshëm që edhe nga partnerët nuk mendohej se mund të arrihej ndonjëherë. Në vitin 2018 ka patur 19 mijë kontrolle policore në territor për t’u siguruar që në asnjë pëllëmbë tokë nuk mbillet më kanabis”.
Lidhur me planin e masave për mbarëvajtjen e sezonit turistik, Kuko theksoi se në vijim të praktikës së suksesshme të krijuar vitin e shkuar, që në muajin shkurt kanë nisur planifikimet bashkë me Ministrinë e Turizmit, prefekturat, pushtetin vendor dhe institucionet e tjera që kanë një rol. ”Po krijojmë plane të posaçme veprimi për çdo prefekturë”, tha Kuko, duke shprehur bindjen se këtë vit do të kemi një sezon turistik jo vetëm të suksesshëm, por edhe me standarde akoma edhe më të larta.
Kuko foli po ashtu edhe rëndësinë historike të Reformës Territoriale dhe vijimin e procesit të decentralizimit. Sipas saj, nëse më parë kemi pasur 374 kryetarë bashkish, që përkthehej edhe në kosto më të larta, nga ana tjetër kishim një copëzim të territorit, që krijonte pamundësi për të zhvilluar ekonomikisht një territor të caktuar. Lidhur me angazhimin e Ministrisë së Brendshme në procesin e harmonizimit të legjislacionit shqiptarë me atë të BE-së, Kuko tha se “kapitulli 24 që është kapitulli i Acquis communautaire për lirinë, drejtësinë dhe sigurinë dhe kapitulli 23 që drejtohet nga Ministria e Drejtësisë do të jenë kapitujt e parë që do të hapen me çeljen e negociatave. Në përfundim, Kuko foli edhe për përpjekjet e Shqipërisë kundër ekstremizmit të dhunshëm, ndërsa e cilësoi Shqipërinë histori suksesi në rajonin e Ballkanit. /ATA/
KOHA JONË SONDAZH

