“Eksperimenti i rrezikshëm në rajon. Serbia dhe Shqipëria, dy shtete moniste në Ballkan”
Ish-ministri i Jashtëm, Tritan Shehu ka komentuar zhvillimin e zgjedhjeve në Serbi duke i krahasuar ato me zgjedhjet moniste të 30 qershorit 2019 në Shqipëri. Shehu deklaron se në rajon po kryhet një eksperiment i rrezikshëm që po legjitimon pushtetin një partiak dhe po largon nga forumet vendimmarrëse opozitën.
“Me Serbinë e Shqipërinë si shtete moniste ne Rajon, avancon modeli i rrezikshem! Skema është e qartë, konsolimi i autokracive një partiake në rajon, gjë që konfigurohet me qartë mbas zgjedhjeve ne Serbi. Këto zgjedhje u mbajtën pa opozitën, e cila vazhdon në një konfuzion të plotë, duke prodhuar një Parlament të kontrolluar plotësisht nga partia e Vuçiç”,- shprehet Shehu.
Ish-ministri kritikon dhe futjen e partive shqiptare në zgjedhjet në Serbi, të cilat edhe pse morën 4 deputetë do të jenë vetëm dekor i një parlamenti të kapur totalisht nga partia e presidentit Aleksandër Vuçiç.
“Vërtet partitë shqiptare të Luginës pjesëmarrëse fituan 4 deputetë, por në fakt janë vetëm si një “ornament” në atë Parlament me 250 deputetë e pa opozitën brenda. Ishte kjo pa dyshim rezultat i presionit Rama-Thaçi që i ndau ata dhe nga ajo opozitë, duke i bërë një shërbim te madh Vuçiçit, më të interesuarit për të hedhur një “vello pluralizmi” tashmë”,- shprehet Shehu.
Ish-ministri i Jashtëm deklaron se kemi të bëjmë me një model të rrezikshëm lindor që po eksperimentohet në shtetet e Ballkanit.
“Ky model i demokracisë së deformuar i huazuar dhe nga aleanca lindore, të cilin neve ne Shqipëri e kemi te implementuar aktualisht si në pushtetin legjislativ ashtu dhe atë lokal, disa duan ta paraqesin si më të konsoliduarin e të përshtatshmin për rajonin tonë. Pa asnjë dyshim këtu kemi të bëjmë me një eksperiment monstruoz tejet të rrezikshëm, që për çmontimin e tij duhen mobilizuar të gjitha energjitë e brendshme demokratike, duhet një qartësi e mbështetje e plotë nga kampionet e demokracisë, ShBA dhe BE”,- deklaron Tritan Shehu.
https://arkiva.kohajone.com/koment-i-radios-gjermane-dw-ish-klyshi-i-milloshevicit-fitoi-loja-e-tij-me-thacin-dhe-rreziku-i-rritjes-se-autoritarizmit-ne-ballkan/