Ekspertët italianë: Nuk e kemi fituar ende betejën!

Nuk duhet ulur vëmendja, epidemia e koronavirusit po shkakton ende shumë viktima dhe numri i të prekurve, pavarësisht se është stabilizuar, nuk po ulet ndjeshëm.

Ky është mesazhi i mbrojtjes civile, virologëve, mjekëve dhe shkencëtarëve në Itali, që i kërkojnë popullatës të vazhdojë përpjekjet dhe të respektojë izolimin. Për këtë arsye, në këto ditë, dhe për javën e ardhshme, që sjell edhe pashkët, do të intensifikohen kontrollet.

Italia në fakt, në bilancin e fundit, ditën e premte, raportoi 766 viktima të reja dhe 2339 raste të reja me Covid 19. Ndërsa numri i mjekëve dhe infermierëve që kanë humbur jetën në këtë përballje, ka shkuar në 77. Për komisionerin italian për emergjencën, Domenico Arcuri, beteja kundër koronavirusit vazhdon pa pushim dhe nuk duhet menduar ende se ne po e fitojmë atë.

Treguesit – thotë ai – sinjalizojnë se sapo kemi filluar të kufizojmë përmasat. Por dimensioni i saj, edhe pse jo uniform, është ende shqetësues. Është ende shpejt të mendojmë se ka ardhur momenti që të kthehemi tek sjelljet normale. Edhe për ministrin italian të shëndetësisë, distancimi social është arma e vetme për të reduktuar numrin e infektimeve dhe duhet të insistohet në këtë drejtim.

Për momentin – thotë ai, kjo është e vetmja mënyrë që na jep garanci. Gjëja e parë që duhet të bëjmë është të fitojmë betejën përndryshe nuk do të mund të ketë një rikthim në rrugën e zhvillimit. Ndërkohë që po rritet shqetësimi në Itali se njerëzit vazhdojnë të dalin në rrugë, më shumë se c’duhet çka po i detyron autoritetet të kërkojnë më shumë kontrolle.

SHKARKO APP