Ekspertët: Omicron na i hodhi poshtë të gjitha hipotezat për pandeminë
Mjeku imunolog, Genc Sulçebe, thotë se varianti i ri i koronavirusit, Omicron përhapet më lehtë, por tashmë popullata është me një gjendje imunitare krejtësisht tjetër me një vit më parë.
“Po përjetojmë evolucionin e një pandemie që ndodh njëherë në një shekull. Omicron e gjen popullatën me një gjendje imunitare krejt të ndryshme krahasuar me një vit më parë. Në fund të qershorit, kemi qenë në 75% individë që ose e kishin kaluar koronavirusin ose ishin vaksinuar. Delta është në rënie e mund të zëvendësohet nga Omicron, por situata e popullatës është krejt e ndryshme. Megjithatë, është e domosdoshme që të rritet shtresa e vaksinimit. Del e domosdoshme që të rivaksinohemi, sidomos për të moshuarit.
Është e pritshme që me ardhjen e emigrantëve, do të rrisin rastet me Omicron. Moshat mbi 50% vjeç duhet të rivaksinohen për të përballuar këtë valë”, tha Sulçebe në “Debat”, në A2 CNN.
Alban Ylli, specialist i ISHP, u shpreh se Omicron rrëzoi të gjitha hipotezat në lidhje me ecurinë e pandemisë.
“Në mënyrë të qartë, Omicron mbivendoset. Ai shkakton infeksion dhe personat që e kanë kaluar në mënyrë natyrale infeksionin. Omicron na i hodhi poshtë të gjitha hipotezat tonë. Unë parashikoja që në fund të këtij viti, ky virus do të kthehej nga pandemi në endemi, por duket se me Omicronin nuk do të bëjë më parashikime. Endemia nga ky virus mund t’i ngjajë një gripi pak më të ashpër dhe mund të kemi valë të vazhdueshme në vitet në vijim. Diskutimi për koronavirusin nuk do të mbyllet në këtë dimër”, tha Ylli.
I të njëjtit mendimi ishte edhe mjeku Sulçebe, i cili u shpreh se Omicron është më ngjitës, por ai theksoi se infeksioni do të jetë më i lehtë./Burimi: A2CNN