Ekspertët: Situatë katastrofe pas tërmetit, ka kaos dhe jo seriozitet
Tërmeti tragjik i 26 nëntorit i mori jetën 51 njerëzve dha ka lënë mbrapa mijëra ndërtesa të rrënuara. Ekspertët e ekonomisë, përveç se situatën e cilësojnë si në kaos dhe se nuk ka seriozitet nga qeveria, ata pohojnë se situata e tanishme është një mundësi për t’i dhënë një stimul ekonomisë, pasi bëhet fjalë për miliona euro që do të hidhen në qarkullim nëpërmjet ndërtimit të mijëra banesave dhe veprave të tjera publike, si shkolla, ura, spitale etj. Për ish-zv/ministrin e Financave, Sherefedin Shehun, situata është kaotike dhe nuk ka seriozitet. Ai tha se duhet të ishte krijuar një strukturë e posaçme për menaxhimin e situatës.
“Unë e shikoj situatën shumë kaotike. Nuk shikoj seriozitet në menaxhimin e një katastrofe, pasi përmasat e klasifikojnë atë si katastrofë. Vlerësimi duhet të ishte shumë serioz, institucional. Situata menaxhohet nga një sistem strukturash. Mendoj se puna e parë do të ishte krijimi i një strukture të posaçme. Përmasat e kësaj katastrofe do t’i kalojnë 500 milionë eurove. Duhet të përgatitemi për menaxhimin e një periudhe 3-vjeçare”, tha Shehu në ”A2Cnn”.
Arben Shkodra, sekretar i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, tha se në ditët e para pati probleme, por tani ka një klimë ndryshe menaxhimi. ”Autoritetet ishin të papërgatitur për përballimin e situatës në ditët e para, pasi katastrofa ishte e një përmase mjaft të madhe. E gjithë struktura ishte e çorganizuar. Tashmë kemi një lloj rikuperimi nga autoritetet për të krijuar një klimë ndryshe. Kuptuam se jemi jashtë orbite për verifikimin e dëme te bizneset. Kemi një problem pasi 120 nipte të biznesit janë të papërfaqësuar”.