Eksperti: Ata që thonë përdorini maskat, shkojnë në takime pa to
Që prej fillimit të pandemisë së Covid-19, përdorimi i maskave mbrojtëse ka qenë një prej këshillave të dhënë nga ekspertët e shëndetit për të parandaluar transmetimin e virusit. Gjatë kësaj kohe ka pasur dhe kontradikta mes ekspertëve të cilët njëherë thonin se përdorimi i maskës nuk na mbron nga virusit ndërsa të tjerë pohojnë të kundërtën. E gjithë kjo situatë ka sjellë konfuzion tek qytetarët të cilët sëfundmi duket se e kanë ulur vigjilencën ndaj këtij virusi. Eksperti i shëndetit publik, Erion Dasho në një intervistë për Ora News shprehet se duhet të ketë një politikë të qartë për përdorimin e tyre. Ndërsa rikthen në vëmendje se shumë persona që shprehen pro përdorimit të maskave, kanë dhënë shembuj të kundërt duke zhvilluar takime pa asnjë masë anticovid.
“Ka një problem shumë në mënyrën e sjelljes në familje ndaj Covid-19. Kam hedhur ide për mënyrat e mbrojtjes ku një ndër to është dhe ndarja në familje sipas gjeneratave. Përsa kohë që kemi Covid-19 të tentohet që të binden ato familje që kanë mundësi, prindërit e moshuar të jetojnë veçmas pjesës tjetër të familjes gjatë kohës së koronavirusit.
Të mësohet një sjellje e re në këtë kohë. Pikërisht këtyre duhet tu mëshojmë përpara se të merremi me maskat. Maskat e njerëzve janë një element shumë i rëndësishëm por në raport me këto elementë të lartpërmendur zënë një 10-20 përqind në transmetimin e virusit.
Nuk është thembra e Akilit maska që mban dikush në publik. Maska kur hyjmë në autobus, tregje, qendra tregare. Për publikun ka nevojë të informohet. Personat që thonë sot që maska duhet mbajtur, fatkeqësisht kanë dhënë shembuj se në publik nuk i kanë mbajtur maskat ose i kanë mbajtur në mënyrë të gabuar.
Vetëm së fundmi që janë bërë objekt në media dhe rrjete sociale kanë filluar përdorimin e maskave. Nuk është i besueshëm një ekspert që thotë mbani maskat dhe del në një takim apo mbledhje pa maskë. Të gjitha këto elementë janë përgjegjës për situatën e krijuar sot”.