Eksperti i ekonomisë: Për bizneset “lufta” e vërtetë fillon tani
Shqipëria është goditur rëndë ekonomikisht për shkak të masave kufizuese ndaj Covid-19. Qeveria ka vendosur një seri masash lehtësuese por që po krijojnë debat midis ekspertëve të ekonomisë.
Eksperti i ekonomisë, Pano Soko, tregohet skeptik ndaj qeverisë. ”Ne u treguam shumë të ashpër me masat, po përshembull fashat orare, në vend të distanconin kanë grumbulluar njerëzit, dhe është arsye pse konsumi është në pikiatë. Njerëzit nuk kishin kohë të blinin asgjë përveç ushqimeve, madje edhe sot që dyqanet e tjera po hapen, ata nuk kanë kohë të shkojnë se shkelin rregullin e fashave dhe bizneset mbyllen”.
Projeksionet flasin për rreth 60 mijë vende pune tashmë të humbura, por eksperti thotë se këto janë përllogaritje fillestare dhe shpjegon përse. ”Masa e ndikimit te buxheti i shtetit pritet të jetë rreth 600 milionë dollarë. Kjo shifër e projektuar në ekonomi, pak a shumë 4 herë më shume, shkon në 2.4 miliardë dollarë. E projektuar në vende pune, kjo shifër përkthehet në rreth 240 mije vende pune teorike që humbasin”.
Për Sokon, “lufta” e vërtetë e biznesit fillon tani, dhe se efektet që nuk janë të dukshme në këtë moment, do të qartësohen në shtator. Sipas tij, qeveria duhet të shtyjë njerëzit të shpenzojnë, dhe të kenë besim në të ardhmen, sepse mungesa e qarkullimit të parasë po paralizon konsumin.