Eksperti i ekonomisë: Qeveria po vrapon të mbushë arkën e shtetit, do nxisë falimentimet

Sipas informacioneve paraprake drejtoritë e sektorit të borxheve po bllokojnë llogaritë e disa bizneseve të cilat po vonojnë pagesat e kontributeve, gjobave dhe interesave nga sistemi por dhe nga ana e tatim fitimit.

Në lidhje me këtë çështje, eksperti i ekonomisë, Zef Preci i ftuar në Ora News tha se qeveria po përdor qëndrim arbitrar ndaj bizneseve të cilat janë në vështirësi për shkak të pandemisë. Ai tha se ndihma që qeveria iu ka dhënë bizneseve në fillim të pandemisë ka qenë në formë lëmoshe

Preçi: Ka një lloj arbitrariteti që nuk gjen justifikim sidomos kur bëhet fjalë për problemin e mbledhshmërisë së taksave. Periudha e krizës e ka vështirësuar situatën për biznesin por duket se ka rritur dhe agresivitetin nga ana e qeverisë. Është për t’u ardhur keq që nuk kuptohet nga ana e qeverisë që në periudhë krize ka nevojë më shumë se kurrë për transparencë për dialog me komunitetin e biznesit. Dhe për përdorim të kujdesshëm të levave që në kushtet e mosfunksionimit si duhet të gjykatave rrisin arbitraritetin e ekzekutivit mbi biznesin. Dhe kur u dha mbështetja për biznesin u dha më shumë në formën e një lëmoshe për të punësuarit. Në kushtet kur ndihma ndaj biznesit ka qenë shumë e vogël, kuptohet që biznesi është në kushte më të vështira nga çfarë do të ishte nëse mbështetja do të ishte më e madhe dhe më e shtrirë në kohë. Nxitimi për të mbushur arkën e shtetit pa menduar për pasojat që krijon tek biznesi do të nxisë falimentimet, do të nxisë humbjen e vendeve të punës, pra thellon rënien ekonomike.

Preçi tha se shoqëria në tërësi është e humbur kur qeveria sillet arbitrare, pasi biznesi në situata të tilla shkurton fuqinë punëtore dhe heq dorë nga planet për investime

SHKARKO APP