Eksperti: Shqipëria po ecën me hapa të ngadaltë drejt integrimit, Maqedonia para nesh

Gjermania ka paralajmëruar të tjera kushte për Shqipërinë sa i përket integrimit të vendit në Bashkimin Europian ndërsa Bullgaria ka kërkuar integrim vetëm për Maqedoninë e Veriut.

Për të folur në lidhje me zhvillimet e fundit ka qenë i ftuar në Ora News nëpërmjet një lidhje me Skype Gledis Gjipali, ekspert integrimi.

Gjipali: Duhet thënë që jemi në një fazë kritike të procesit pasi morëm lajmin pozitiv në mars këtij viti, ku Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut ju dha drita jeshile për të nisur bisedimet për anëtarësim në BE.

Por, ky proces duhet thënë që fillon këtu. Ai është hapi i parë. Tashmë shtohen para nesh një sërë hapash të tjerë, është një shkallë që duhet ta ngjisim ku mund të themi që hapat e parë janë edhe më të vështirit.

Hapi i radhës dhe shumë i rëndësishëm është mbajtja e konferencës ndërqeveritare dhe për mbajtjen e saj janë vendosur një sërë kushtesh për të dy vendet ku duhet thënë që Maqedonia ka një rrugë më të lehtë pasi ka më pak kushte.

Në muajt e fundit nuk është ecur me ritmet që do duhej të ecën në rast se ne duam që të hapen negociatat, pra të mbajmë konferencën ndërqeveritare brenda presidencës gjermane të këshillit, pra deri në dhjetor të këtij viti. Shikojmë që kemi ende shumë detyra të parealizuara, më kryesorja që në fakt duhej më e thjeshta është ajo e reformës zgjedhore, ku pati një dakordësi fillestare dhe tani shikojmë pozicione të ndryshme. Shpresoj që të ketë një përfundim pozitiv, kjo jo vetëm për procesin e integrimit europian.

Po të shikojmë kriteret e tjera, ka pasur një progres tek reforma në drejtësi por ende nuk kemi plotësimin e kriterit kryesor që është funksionimi i Gjykatës Kushtetuese.

Para mbajtjes së konferencës duhet të kemi funksionim të institucioneve kryesore të drejtësisë, të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë.

Pra nuk kemi shanse për të parë një konferencë ndër qeveritare brenda muajt dhjetor?

Nuk jemi të pashpresë, por shanset sa vijnë dhe zvogëlohen.

SHKARKO APP