Eksploziv objektit në ndërtim, policia zbardh ngjarjen dhe arreston autorin 21 vjeçar
Policia ka arritur të zbardhë ngjarjen e 19 nëntorit në Shëngjin, ku iu vendos lëndë plasëse një objekti në ndërtim në pronësi të Liman Gjokës.
Efektivët kanë arritur të vendosin në pranga autorin e ngjarjes i identifikuar si E.P., 21 vjeç, banues në Larushk të Krujës.
Dyshohet se 21 vjeçari ka montuar lëndën plasëse në njërën nga kolonat e objektit, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
“Ky shtetas, më datë 19.11.2020, në Shëngjin, Lezhë, dyshohet të ketë vendosur në një nga kolonat e një objekti në ndërtim, në pronësi të shtetasit L. Gj., një sasi lënde plasëse, nga shpërthimi i së cilës u shkaktuan vetëm dëme materiale”, njofton policia.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, në ngarkim të shtetasit E. P., për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Prishja e qetësisë publike”, “Mbajtja pa leje e municioneve luftarake” dhe “Kanosja”. /Ora News