“Eksport” droge dhe kallashësh nga Shqipëria në Itali, tre në pranga

Drogë e armë nga Shqipëria vijojnë të mbërrijnë në Itali. Vendi ynë ka  se çfarë importon, duke u kthyer në  një treg  ideal për botën e krimit, në perëndim. 

Dy operacione të Antimafias Italiane çuan në arrestimin e tre personave, dy shqiptarëve dhe një italiani dhe në sekuestrimin e 70 kilogramëve lëndë narkotike dhe disa armëve e municioneve.

Në pranga përfunduan Hendri Kapllani 28 vjeç dhe Ervin Gerbaj 34 vjeç, të dy me origjinë nga Vlora dhe italiani Salvatore Giovanni Pacifico 55 vjeç.

Operacioni i parë u zhvillua në San Foca ku një patrullë e Guardia di Financa diktoi një gomone që mbante një flamur grek, ndërsa drejtuesi i saj e hodhi menjëherë telefonin në det sapo pa patrullën.

Ky veprim ngjalli dyshime tek efektivët e Guardia di Financa, të cilët e bllokuan gomonen dhe gjetën 3 kallashnikovë, municione dhe rreth 67 kilogramë marijuanë.

Personi që drejtonte gomonen ishte italiani Salvatore Giovanni Pacifico. Sipas antimafias së Leçes, armët dhe droga vinin nga Shqipëria.

Edhe operacioni i dytë zbuloi disa lidhje të trafikut të drogës me Shqipërinë.

Në Torre Kianka, Guardia di Financa shoqëroi një grup personash të përfshirë në një konflikt. Dy persona, shqiptarët Hendri Kapllani dhe Ervin Gerbaj tentuan të largoheshin, por u arrestuan. Në banesën e tyre u gjetën 3 kilogramë heroinë.

Prokurori i antimafias së Leçes, Kataldo Mota tha se bëhej fjalë për dy operacione të një rëndësie të veçantë, si për sasinë e drogës së sekuestruar ashtu edhe për armët. Sipas tij, kjo është një shenjë që trafiku i drogës dhe armëve nga Shqipëria në Itali është ende aktiv.

SHKARKO APP