Ekspozimi ndaj COVID-19, Baba Mondi i dhuron maska mbrojtëse dhe dezinfektantë Policisë së Tiranës
Pas mjekëve, edhe efektivët e Policisë janë të ekspozuar ndaj virusit COVID-19 dhe duke marrë shkas nga kjo situatë Kryegjyshata Botërore Bektashiane i dhuroi 1 mijë maska mbrojtëse dhe dezinfektantë Policisë së Tiranës.
“Kemi menduar të bëjmë një donacion. Në këto momente të vështira duhet të jemi të gjithë bashkë për tu përballur me këtë armik të padukshëm. Policia duke u ndeshur çdo ditë me mikrobin duhet të ketë mundësi të ndërrojë maskat dhe të përballojë vështirësitë. Jemi munduar që edhe ju t’ju mbrojmë si bijtë tanë”, u shpreh Kryegjysh Haxhi Edmond Brahimaj Dede Baba.
Drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupi e vlerësoi ndihmesën nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane pasi efektivët e Policisë janë në kontakt çdo ditë me qytetarë që mund të jenë të infektuar
“Ju falenderoj për ndihmën, pasi në në çdo moment kemi nevojë, pasi punonjësit e policisë kanë kontakt me persona të ndryshëm. E ndjej dhe e vlerësoj kontributin tuaj për këtë ndihmë”, u shpreh drejtori i Policisë Tiranë, Rebani Jaupi.
Për të ndihmuar në përballimin e situates së vështirë që po kalon vendi ynë nga virusi COVID-19, Kryegjyshata Botërore Bektashiane do t’u vijë në ndihmë edhe familjeve në nevojë.