Ekspozita për parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore, Kushi: Ndërgjegjësimi dhe edukimi që në bankat e shkollës
Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi mori pjesë në ekspozitën sensibilizuese të pikturave “Care and Dare”, e organizuar në sheshin “Nënë Tereza”.
“Nuk ka ide më origjinale se sa të përdorësh artin për të edukuar dhe ndërgjegjësuar njerëzit në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore” , është shprehur Kushi në fillim të fjalës së saj.
Ministrja Kushi ka falënderuar të gjithë nxënësit artistë në mbarë Shqipërinë që me pikturat e tyre kreative shprehën botëkuptimin dhe ndërgjegjësimin e tyre rreth këtij fenomeni.
“Faleminderit ‘Tirana Art’ dhe Ambasadorja Holandeze Guusje Korthals Altes për kontributin dhe mbështetjen e kësaj nisme kaq kuptimplotë”.
Duke folur për parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore, Kushi nënvizoi se për fat të keq ka ende gra dhe vajza që nuk gjejnë guximin e duhur për të treguar kur janë të abuzuara, dhunuara apo trafikuara ose kur shohin raste të tilla.
“Si ministre, si grua dhe si nënë mendoj se fushata për të sensibilizuar dhe edukuar kundër këtij fenomeni duhet të fillojë nga shkolla, nga edukimi që në moshë të vogël. Shoqëria, prindërit, institucionet tona duhet të bëjnë më shumë për t’i dëgjuar dhe mbështetur fëmijët viktima të trafikimit të qenieve njerëzore”, tha Kushi.
Më tej ajo shtoi se në shkolla nxënësit i edukojmë që të jenë jo vetëm nxënës të mirë, por edhe qytetarë model, që të përqafojnë vlerat më të mira të shoqërisë. Gjithashtu, ajo tha se fëmijët i edukojmë që të flasin me nënën e tyre, me shoqen, me mësuesen, me punonjësit psikosocial.
Sipas ministres, lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore do të mund të jetë e suksesshme vetëm nëse do të kemi një bashkërendim të të gjitha institucioneve, organizatave, shoqërisë, familjes apo prindërve.