Ekstradohen 3 trafikantët, Gjykata shqiptare aprovon transferimin e tre personave në Itali
Tre persona të arrrestuar në Shqipëri do të ekstradohen në Itali për tu gjykuar si pjesë e një grupi kriminal që trafikonte lëndë narkotike nga Holanda. Rexhino Ibrahimi, Vladimir Lesaj dhe Gentjan Manaj, janë hetuar si anëtarë të grupit kriminal të hetuar nga Prokuroria italiane në kuadër të dosjes së koduar me emrin e klanit kriminal kompania Bello.
Drejtësia shqiptare lejon ekstradimin në Itali për tre nga pesë anëtarët e grupit kriminal “Kompania Bello” që trafikonte kokainë nga Ekuadori në disa vende të Europës.
Rexhino Ibrahimi nga Durrësi, Vladimir Lesaj nga Lezha dhe Gentjan Manaj nga Vlora por i arrestuar në Tiranë, do të ekstradohen në Itali, ku i pret gjykimi për akuzat e “trafikut ndërkombëtar të drogës” dhe “pjesëmarjes në organizatë kriminale”.
“Ora News”, mëson se në nëntor të vitit të kaluar, dy anëtarët e tjerë të kartelit shqiptar “Kompania Bello” që u arrestuan në Shqipëri, vlonjatët Jurin Llambro dhe Elvis Jaupaj, u ekstraduan me dëshirën e tyre në Itali, për tu përballur me akuzat.
Ndërsa për tre bashkëpuntorët e tjerë si Rexhino Ibrahimi, Vladimir Lesaj dhe Gentjan Manaj, gjykatat shqiptare u shprehën pak me vonesë për shkak se të arrestuarit refuzonin të ekstradoheshin në shtetin Italian.
Deri në momentin e arrestimit në Durrës, rezulton se Rexhino Ibrahimi, ishte i punësuar si shofer makine në Shqipëri, duke u paguar me një shumë prej 260 mijë lekë të vjetra.
Ndërsa dy personat e tjerë Manaj dhe Lesaj, konstatohet të parregjistruar në një punë konkrete.
Sipas dosjes hetimore emri i Rexhino Ibrahimit, ka dalë në dritë për shkak të pjesëmarjes së tij, në një grup të fuqishëm kriminal që trafikonte tonelata me drogë nga Ekuadori, Amerika e Jugut në Hollandë dhe prej andej në Itali dhe vende të tjera të Europës.
Ibrahimi është evidentuar si njeriu që transportonte pakot me drogë nga Hollanda në Perugia të Italisë.
Në Holandë Ibrahimi lëndën narkotike e blinte tek vëllezërit Edmond dhe Gerti Marku në Hollandë dhe më pas ruante bashkëpunimin me organizatorët e transportit Arian Shqau, Genci Burrelin dhe Ervis Merkaj, korrierin Aleksandër Pematin e persona të tjerë.
Të njëjtin aktivitet kriminal kishin dhe dy personat e tjerë Gentjan Manaj dhe Vladimir Lesaj nga Lezha. /Ora News