Ekstradohet nga Greqia 31 vjeçari i akuzuar për vrasje

 

Autoritetet greke ekstraduan drejt Shqipërisë një 31-vjeçar, ndaj të cilit Gjykata e Elbasanit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për akuzën e “vrasjes me dashje të mbetur në tentativë”.
I ekstraduari është shtetasi Kledjan Plaku, 31 vjeç, banues në qytetin e Elbasanit. Ndaj tij kishte një urdhër-arrest ndërkombëtar për një ngjarje të ndodhur vitin e kaluar.
Më 23 gusht, 31-vjeçari dyshohet se në zonën e Bradasheshit, pak kilometra larg qyteti të Elbasanit, i ka zënë rrugën automjetit ku udhëtonte shtetasi me inicialet N.GJ, 55 vjeç, dhe ka qëlluar me pistoletë në drejtim të tij. Si pasojë, 55-vjeçari ka pësuar dëmtime të rënda në trup.
Më 2 shtator të vitit të kaluar, Gjykata e Elbasanit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Plakun, i cili ka mundur të arratistet në drejtim të Greqisë. 
Por falë bashkëpunimit mes Interpol Tiranës me autoritetet greke, është bërë i mundur arrestimi dhe ekstradimi i tij drejt vendit tonë, ku do të përballlet me akuzën e “vrasjes me dashje të mbetur në tentativë” dhe “ prodhim e mbajtje e armëve luftarake”.

SHKARKO APP