Ekzekutimi i 28-vjeçarit, zbardhet krimi i plotë. Erdhi nga azili…
Në një rrugicë pa ndriçim, maskat prisnin të kalonte 28-vjeçari Marjo Majollari, dhe i zunë pritë mes pallateve, duke e ekzekutuar me tre plumba në kokë. Policia bën të ditur se vrasja ka ndodhur rreth orës 20:25 të së martës, në një rrugicë që lidhet me rrugën “Aleksandër Moisiu”.
Policia dyshon se krimi ndaj tij është kryer për hakmarrje, pasi i ati vuan një burgim të përjetshëm për ekzekutimin e dy të rinjve 18 vite më parë. Avni Majollari ishte arrestuar për këtë krim të ndodhur në segmentin rrugor Tiranë-Dajt, 14 vite më pas dhe po vuante dënimin. Vetë i riu kishte kërkuar disa herë azil politik për shkak të kërcënimit për hakmarrje, por nuk ia kishte dalë dot. Sipas të dhënave që ka mbledhur policia, Majollari bënte një jetesë të qetë dhe nuk ishte i skeduar ndonjëherë nga policia për ndonjë vepër penale.
Vrasësit, të cilët mendohen të kenë qenë dy, e kanë ndjekur nga pas viktimën dhe sapo është futur në një rrugicë jo vetëm të pandriçuar, por edhe larg kamerave të bizneseve aty afër, e kanë qëlluar. Por policia, e cila ka sekuestruar një numër të madh filmimesh të rrugëve lidhëse me atë “Aleksandër Moisiu”, shpreson të paktën të gjejë një identikit të autorëve të vrasjes.
Grupi hetimor sekuestroi në vendin e ngjarjes disa gëzhoja të një arme tip pistoletë, e cila ka kryer qitjen për vrasjen e të riut. Policia ngriti disa pika kontrolli në zonën përreth, por pa mundur dot të kapë autorët. Gjithsesi ajo ka shoqëruar një numër të madh dëshmitarësh okularë, të cilët ishin në vendin e ngjarjes dhe prej të cilëve beson të marrë ndonjë dëshmi të vlefshme, në lidhje me identifikimin e autorëve.
Fqinjët
Fqinjët se 28-vjeçarit, shprehen të tronditur ndërsa tregojnë se si ndodhi ngjarja e rëndë. Një nga fqinjët e viktimës thotë se dëgjuan tre të shtëna, por menduam se ishin kapsolla. “Ishte djalë i mirë, jemi të tronditur. Nuk pamë asgjë. Ishin tre krisma. Dëgjuam që kërcitën, por menduam se ishin kapsolla, po prisja të dilnin ato lart kur hidhen fishekzjarrë. Po habitemi, po qan e gjithë lagja për atë djalë, nuk e dimë përse e vranë”,-u shprehën ata të tronditur.
Hakëmarrja
Babai i tij, Avni Majollari jetonte prej 14 vitesh në arrati, edhe pse i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje të dyfishtë. Policia e Tiranës e arrestoi në vitin 2014, pasi Gjykata e Rrethit Tiranë, me vendimin të datës 11 janar 2001, e dënoi me “burgim të përjetshëm” Majollarin, për veprën penale të “vrasjes me paramendim”, e kryer në bashkëpunim.
Sipas dosjes hetimore rezulton se në vitin 2000, bashkë me persona të tjerë, pas një konflikti të mbartur, ka vrarë me armë zjarri në përleshje, Armando Nelajn dhe Ilir Gjuzin. Krimi ka ndodhur në segmentin rrugor Tiranë-Dajt. Policia tha se kishte informacione se Manjollari fshihej në banesën e tij dhe për shumë vite ka qëndruar i arratisur jashtë vendit.
Ai kishte ndryshuar pamje dhe lëvizte më shumë gjatë orëve të natës, për të mos rënë në pranga. Pikërisht kjo e shkuar kriminale Avni Majollarit, dyshohet të jetë motivi i vrasjes së djalit të tij. Policia i gjeti 4 vite më parë edhe një arsenal armësh.
KOHA JONË SONDAZH

