Ekzekutimi i Billës, flet nipi i Prelës: Nuk shkova për hakun e dajës por…

Policia e Shtetit, bëri me dije se falë një operacioni në Tiranë, ka vënë në pranga një nga bashkëpunorët e ekzekutimit të Hekuran Billës. Sebastian Mali, nipi 22-vjeçar i Prel Markut, ekzekutuar në Angli më 2006 nga Billa, ka mohuar të ketë lidhje me vrasjen në zonën e ”Komunës së Parisit”.

I riu nuk e pranon të ketë lidhje me vrasjen e 40-vjeçarit Billa. Në dëshminë e tij para policisë, ai ka deklaruar se prej muajsh jeton në zonën e ish-klubit Partizani në Tiranë. I riu ka treguar se kohët e fundit ka marrë një mjet “BMW” X6 me qira për të lëvizur. ”Isha në zonën afër vendit të ngjarjes sepse shkoja shpesh për të bërë pazar në qendër (Qendra Kristal) dhe shikoja një vajzë që dhe ajo vinte shpesh aty”.

Policia dyshon se ai ka qenë bashkëpunëtor në vrasjen e Billës. Sebastian Mali mësohet se vëzhguar lëvizjet e shënjestrës. Ai e priti te kryqëzimi që të çon te qendra tregtare dhe në momentin që Hekuran Billa futet, i riu akuzohet se ka sinjalizuar atentatorët që dy minuta më pas e ekzekutuan. Më pas Mali largohet për të pritur atentatorët në Pezë, ku i largoi pas vrasjes. Gjithashtu në video dallohet dhe momenti kur atentatorët largohen pas ekzekutimit. Pista ku po hetohet është hakmarrja për shkak të vrasjes në Angli shumë vite më parë në 2006.

Autor të dyshuar për vrasjen, policia ka shpallur Viktor Markun, i cili është vëllai i Prelës. Ai është shpallur në kërkim, pasi kur Policia shkoi për kontroll tek banesa e tij në Kukës nuk e gjeti. Hekuran Billa u ekzekutua të enjten e 11 qershorit tek ”Komuna e Parisit”. Banorët e raportuan si aksident për shkak se nuk pati të shtëna me armë dhe se viktima në tentativë për t’iu shpëtuar atentatorëve, u përplas me dy makina të parkuara.

Në vitin 2006, Billa ekzekutoi me breshëri në një lokal në Angli, Prel Markun ndërsa la të plagosur edhe tre të tjerë. Pak përpara se të ekzekutohej, mësohet se Hekuran Billa ka qenë në Durrës. Më pas ka ardhur përpara një qendre tregtare në Tiranë, ku edhe parkoi makinën pasi ka dashur të takojë motrën e tij, e cila ka një dyqan pranë kësaj qendre. Ky ka qenë pikërisht momenti kur edhe autorët e kanë ekzekutuar. Billa kishte pak ditë që kishte ardhur në Shqipëri nga pika kufitare e Kosovës dhe thuhet se ishte kthyer nga Belgjika. Hetuesit kanë dyshime të forta se autorët kanë pasur informacione të sakta për lëvizjet e objektivit të tyre. Para se të ekzekutohej, Billa është ndjekur nga të paktën dy persona të tjerë që lëviznin me një tjetër automjet.

SHKARKO APP