Ekzekutimi i biznesmenit, palët u nisën për sulm ”Far-West”. Policia zbardh detaje
Ekzektimi i biznesmenit 29-vjeçar, Vasil Dervishaj, pronar njëkohësisht i bar-kafe “Gimoka” dhe elektroshtëpiakëve, ka ardhur për motive të dobëta. Policia e Vlorës ka arritur të zbardhë dinamikën dhe autorët e krimit që tronditi qytetin bregdetar.
29-vjeçari u ekzekutua me një plumb në kokë teksa dilte nga automjeti i tij, në lagjen Pavarësia, rreth orës 23:00 të mbrëmjes të së hënës. Kreu i Policisë së Vlorës, Gentjan Shehaj, në një deklaratë për mediat pohoi se janë identifikuar dy autorët e dyshuar të krimit, E.A, 31-vjeç, A.C, 28-vjeç, të dy lindur në Tepelenë dhe banues në Vlorë.
Ndërsa janë arrestuar dy bashkëpunëtorët Nekid Arapi, 21-vjeç, banues në Vlorë dhe Amarildo Grembi (Muka), 28-vjeç, banues në Vlorë, të cilët kanë përkrahur autorët e krimit pas ngjarjes. Gjithashtu, janë sekuestuar dy armë zjarri, një kallashnikov dhe një pistoletë si dhe një automjeti tip “Audi” me të cilin janë larguar autorët pas atentatit. Sipas policisë, ngjarja ka ardhur si rrjedhojë e një konflikti që ka pasur viktima me dy autorët e dyshuar E.A dhe A.C, dhe dyshohet të ketë lidhje pikërishit me bizneset në Vlorë.
Ngjarja
Autorët i kanë zënë pritë dhe e kanë qëlluar me breshëri automatiku, teksa mjeti ka qenë në ecje. Dyshohet se ai ka dalë nga makina në gjendje të plagosur, çka ka ndikuar që njëri prej autorëve t’i afrohej dhe ta qëllonte edhe me pistoletë, me një plumb në kokë. Plaga ka qenë vdekjeprurëse për Dervishajn, i cili ka rënë përtokë pa jetë. Rreth 30 metra larg nga vendi i ngjarjes, blutë gjetën edhe një armë automatike, e cila dyshohet se iu përket autorëve të krimit.
Emri i tij nuk ishte i panjohur për Policinë e Vlorës, pasi disa herë ai është shoqëruar dhe proceduar për trafik droge, por për shkak të mungesës së provave, i riu ka arritur të dalë gjithnjë pa u dënuar.
“Konkretisht, janë shpallur në kërkim dy autorët, të cilët dyshohen se kanë kryer vrasjen e 29-vjeçarit: E.A, 31-vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Vlorë, A.C, 28-vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Vlorë. Në vijim të veprimeve hetimore është kryer arrestimin në flagrancë të shtetasve: Nekid Arapi, 21-vjeç, banues në Vlorë, Amarildo Grembi (Muka), 28-vjeç, banues në Vlorë, të cilët kanë përkrahur autorët e krimit pas ngjarjes”, thotë policia e Vlorës, duke thënë se bëhet fjalë për një konflikt për motive të dobëta, por pa dhënë detaje të mëtejshme.
Përgatitje për sulm “Far-West”
Ka dyshime se Vasil Dervishaj dhe dy autorët e krimit nga ana tjetër, ishin në përgatitje e sipër të sulmit kundër njëri-tjetrit, pasi lëviznin të dyja palët me armë.
Sipas një burime pranë policisë së Vlorës, të dyja palët ishin bërë gati për një përplasje me armë e tipit “Far-West”, por me sa duket pala tjetër ka gjurmuar nga pas Vasil Dervishaj, duke e qëlluar këtë të fundit me një plumb në kokë. Mësohet se vrasja është realizuar me pistoletë, por autorët kishin me vete dhe kallashnikovë.
Megjithëse policia dhe prokuroria ende janë të paqarta për sa i përket motivit të saktë të kësaj vrasje, ka ngritur dysheme se edhe viktima ka qenë i shoqëruar në makinë me persona të tjerë, pasi në vendgjarje janë gjetur armë të tjera kallashnikov e pistoletë.
KOHA JONË SONDAZH

