Ekzekutimi i dy të rinjëve në Shkozet nga vrasës me pagesë, ja pista e hetimit
Shkozeti u trondit mbrëmjen e së hënës nga ekzekutimi i dy të rinjëve. Viktimat e këtij atentati janë Dorjan Shkoza 35-vjeç dhe Anxhelo Avdia 24-vjeç. Viktimat janë qëlluar nga dorë profesioniste. Sipas grupit hetimor mësohet se viktimat janë qëlluar nga tre metra largësi me pistoletë. Anxhelo Avdia sapo ishte kthyer nga Anglia. Me qëllim zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, policia shoqëroi dhjetëra persona, në cilësinë e personave të cilët mund të kenë dijeni për këtë vrasje të dyfishtë.
Ekzekutorët qëlluan mbi viktimat me një makinë në lëvizje e më pas u drejtua për në Kavajë, aty ku policia gjeti edhe një automjet tip Benz duke u djegur, targat e së cilën rezultonin të vjedhura nga një tjetër makinë në fshatrat e Rrogozhinës. Dyshimet e grupit hetimor janë se dy të rinjtë rom në Durrës, u ekzekutuan nga vrasës me pagesë, pasi autorët i kanë ndjekur lëvizjet e viktimave dhe i qëlluan ata në momentin që ndodheshin në afërsi të tregut të fruta perimeve në Nish-tulla të Durrësit. Megjithëse motivet e kësaj vrasjeje të dyfishtë mbeten ende të paqarta, një nga pistat ku po punon grupi hetimor, është ajo e larjes së hesapeve për prishje të pazareve të drogës.
Dorjan Shkoza disa vite më parë ka bërë 5 vite burg ndërkohë 24-vjeçari dhe pse nuk është një person i skeduar nga policia është një person që në zonë njihet për shitje dhe trafikim narkotikësh. Të rinjtë ishin duke qëndruar në trotuar, pranë tregut të fruta-perimeve, në zonën e Shkozetit, në kohën që një automjet me xhama të zinj, ka kaluar me shpejtësi të ulët, nga ku ka hapur zjarr në drejtim të dy personave. Mbi 40 persona, mes të cilëve edhe dëshmitarë, janë shoqëruar mbrëmjen e së hënës nga Policia e Durrësit, si pjesë e hetimeve për të hedhur dritë mbi atentatin ndaj Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdiut.
Familjarët e Anxhelos janë të tronditur nga ngjarja dhe thonë se nuk kanë asnjë informacion nëse i ndjeri ka pasur ndonjë konflikt. Motra e 24-vjeçarit është shprehur se ai kishte vetëm një javë që ishte kthyer në Shqipëri dhe ato skanë arritur të kuptojnë nëse ai ishte përfshirë në ndonjë konflikt. ”Anxhelo ishte në Angli ai ka ardhur para një jave në Shqipëri, nuk kemi konflikt me asnjë njeri. Vëllai im nuk merrej me drogë nuk besoj se ka qënë ai objektiv e këtij atentati. Po të merrej me drogë ai do të kishim një shtëpi dhe jetesë të mirë”.
Policia po heton në dy pista, atë të larjes së hesapeve për prishje të pazareve të drogës dhe ndonjë konflikt të viktimave me person atë tjerë. Policia ka identifikuar pronarin e automjetit që dyshohet se u përdor nga atentatorët dhe u gjet e djegur në vendin e njohur si Bishti i Zhurit në Rogozhinë. Blutë nuk disponojnë asnjë provë që mund të çojë në identifikimin e autorëve.