Ekzekutimi i Iljaz Çalit mbrëmjen e djeshme, prokuroria po heton në dy pista
Iljaz Çali mbeti i vrarë mbrëmjen e të dielës në rrugën dytësore Tiranë-Durrës.
Viktimës iu bë një pritë tek sa ai udhëtonte me automjetin tip ‘Land Rover’ të marrë me qira, kur u qëllua me breshëri armësh.
Atentatorët ishin pozicionuar rreth 100 metra larg dhe në momentin kur kanë lëshuar një breshëri automatiku drejt automjetit të Çalit, ai ka humbur kontrollin e drejtimit të makinës e si pasojë u përplas me bordurën anësore të rrugës.
Informacionet e para jo zyrtare nga grupi hetimor thonë se ai është qëlluar me 6 plumba po ashtu po hetohet nëse ka pasur shkëmbim zjarri.
Veprimet e policisë për këtë vrasje vijuan edhe me disa kontrolle në spitalet e Tiranës, nëse ndonjë person i plagosur mund të kishte shkuar për mjekim.
Nga të dhënat e para siguruar prej grupit hetimor është se Cali është aksioner në një minierë në Veri të Shqipërisë.
Në skedarët e policisë së shtetit ai rezulton një emër jo i panjohur për agjencitë ligj-zbatuese.
Pas grabitjes së parave në aeroportin e Rinasit në Korrik 2016 policia përfshiu në kontrolle edhe banesën e Iljaz Çali, në Fushë Krujë, ku u zbuluan 682 rrënjë kanabis. Atë kohë sipas njoftimeve të Policisë së Shtetit u vu në pranga nëna e viktimës, Xhemile Çalin.
Vetë Çali do të arrestohej disa javë më pas.