Ekzekutimi i kryekomisarit, Drejtësia kërkesë të dytë për ekstradimin e urdhëruesit
Detaje të reja kanë dalë për ekzekutimin e kryekomisarit Artan Cuku. Gazetarja Klodiana Lala shprehet se drejtësia shqiptare është duke përgatitur kërkesën dytë për ekstradimin e urdhëruesit Bledar Jambelli.
Deklarata e gazetares
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj i është drejtuar me një shkresë zyrtare Prokurorisë së Përgjithshme dhe konkretisht drejtorisë së marrëdhënieve juridiksionale me jashtë. Gjonaj i kërkon kësaj drejtorie që të informohet mbi fazën aktuale të gjykimit të çështjes jo vetëm për Bledar Jambellin por edhe për shtetasin tjetër Kristaq Leci, gjithashtu i dyshuar për bashkëpunim në vrasje, për të parë nëse ndaj tyre është regjistruar ndonjë procedim penal me qëllim për të paraqitur një kërkesë të re për ekstradimin e këtyre dy personave.
Ligjërisht nëse ka argumente shtesë, Ministria e Drejtësisë, pra drejtësia shqiptare mund t’iu drejtohet autoriteteve greke dhe të kërkojë ekstradimin e këtyre dy shtetasve, Bledar Jambellit që ka urdhëruar ekzekutimin e komisar Cukut dhe Kristaq Lecit që dyshohet si një nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë. Ata të dy janë liruar nga autoritetet e drejtësisë greke. Procesi për ta po vijon në gjykatën e Tiranës por për shkak të pushimeve ishte ndërprerë. Mbetet për t’u parë përgjigjja e autoriteteve greke.
Bledar Jambelli ka shfrytëzuar të gjitha deklaratat publike për të përfituar statusin e azilit politik por nëse ka prova të reja ai mund të ekstradohet në Shqipëri. Deri tani për vrasjen e komisar Cukut është arrestuar vetëm Mikel Shallari i cili është dënuar me 10 muaj burg për shkak të bashkëpunimit me drejtësinë. Vrasja e kryekomisar Cukut është konsideruar ndër 100 vrasjet më të vështira. Bledar Jambelli konsiderohet si një ndër personat më të rrezikshëm sa i përket krimit të organizuar dhe dyshohet për disa vrasje.