Ekzekutimi i vëllezërve Haxhia, nga droga tek 5 episodet mafioze
Atentati mafioz i të hënës ku mbetën të vrarë dy vëllezërit Haxhia në Shënvlash i bashkohet një serie ngjarjesh kriminale që kanë tronditur Durrësin dhe që kanë mbetur pa autor. Janë të paktën 5 episode krimesh mafioze brenda një viti në Durrës të cilat nuk janë zbardhur ende nga autoritetet.
E para në këtë serial të përgjakshëm është ngjarja ku u ekzekutua Feriz Bardhi në hyrje të banesës së tij, ngjarje mafioze ende pa autor. Krahas ekzekutimit të Bardhit mbetet ende pa zbardhur plotësisht dhe atentati ndaj prokurori Arjan Ndoj, ku mbeti i vdekur shoferi i tij Andi Maloku. Në muajin gusht të vitit të kaluar një tjetër ekzekutim është regjistruar në Durrës.
Ajo që bashkon shumë prej këtyre atentateve mafioze të cilat janë ende pa autorë, është motivi i vrasjes, ai i ekzekutimit për pazare droge. Në pothuajse gjithë atentatet mafioze, autorët kanë ndjekur një taktikë të njëjtë, duke djegur automjetin me të cilin largohen pas kryerjes së krimit. Në atentatin e fundit ekzekutorët kanë ndryshuar taktikë, duke fshehur automjetin për të cilin policia nuk ka gjetur asnjë gjurmë pavarësisht kërkimeve dhe verifikimit të pamjeve në dhjetëra kamera të sigurisë.