Ekzekutimi mafioz me 3 plumba në Astir, disa nga pistat e hetimit
Vilson Tafçiu Ndoka, u ekzekutua me armë zjarri mbrëmjen e së hënës në rrugën “Teodor Keko”, në zonën e njohur si “Astiri” në kryeqytet. 28-vjeçari që përdorte dy mbiemra ishte me origjinë nga Dibra. Dy pistat ku po heton Policia janë e shkuara kriminale e të riut dhe dyshohet se ngjarja mund të ketë ndodhur edhe për shkaqe xhelozie. Burimet bëjnë me dije se i riu kishte jetuar më herët në Belgjikë dhe në Francë, nga ku ishte deportuar një vit më parë.
Në muajin mars të 2018 ai ishte dënuar me 1 vit burg në Francë, por kishte qëndruar vetëm 8 muaj në paraburgim, e më pas ishte deportuar drejt Shqipërisë. Ndoka kishte ardhur në Tiranë për të varrosur gjyshen e tij, e cila kishte ndërruar jetë para pak ditësh.
Mbrëmjen e djeshme në orën 20:45 u ekzekutua me armë zjarri në Astir Vilson Tafçiu Ndoka. Mësohet se 28-vjeçari ishte ulur në një lokal në këtë zonë në momentin që u thirr nga jashtë nga disa persona. Sapo Vilsoni kaloi pragun e lokalit u qëllua me tre plumba në gjoks nga personat që e thirrën, duke mbetur i vdekur në vend. Menjëherë pas krimit, autorët, ende të paidentifikuar u larguan nga vendi i ngjarjes me një automjet të llojit “Golf 6”, me ngjyrë të zezë.
Ende nuk ka asnjë të arrestuar për ngjarjen e rëndë por dëshmitarët kanë deklaruar se i riu u qëllua me armë zjarri nga një person i pamaskuar, i gjatë dhe me mjekër. Dy pistat ku po heton Policia janë e shkuara kriminale e të riut dhe dyshohet se ngjarja mund të ketë ndodhur edhe për shkaqe xhelozie.
KOHA JONË SONDAZH

