Ekzekutohet lideri i ISIS në Siri, Presidenti Biden: Aksioni u krye nën drejtimin tim

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha të enjten se një sulm i SHBA-së në Siri vrau liderin e ISIS.

“Mbrëmë në drejtimin tim, forcat ushtarake amerikane në veriperëndim të Sirisë ndërmorën me sukses një operacion kundër terrorizmit për të mbrojtur popullin amerikan dhe aleatët tanë dhe për ta bërë botën një vend më të sigurt”, ka thënë ai në një deklaratë, shkruajnë mediat e huaja.

“Falë aftësive dhe trimërisë së Forcave tona të Armatosura, ne kemi hequr nga fusha e betejës Abu Ibrahim al-Hashimi al-Qurayshi – liderin e ISIS-it. Të gjithë amerikanët janë kthyer të sigurt nga operacioni. Zoti i ruajt trupat tona”.

Më herët, Pentagoni ka konfirmuar se forcat e operacioneve speciale të SHBA-së kryen të mërkurën një mision “të suksesshëm” kundër terrorizmit në veriperëndim të Sirisë, por pa dhënë shumë detaje.

Ndryshe, siç vë në pah ABCNEWS, rreth 1000 trupa ushtarake amerikane në Siri operojnë në Sirinë lindore duke mbështetur misionin kundër ISIS.

Trupat amerikane nuk operojnë në zonat e kontrolluara nga qeveria në veriperëndim të Sirisë, veçanërisht në provincën Idlib, e cila ishte një strehë e sigurt e ekstremistëve për pjesën më të madhe të dekadës së fundit.

Por ata kanë kryer në mënyrë sporadike misione kundër terrorizmit në Idlib, duke synuar grupe të ndryshme ekstremiste islamike me sulme me dronë.

Misioni i profilit më të lartë ishte një aksion tokësor që vrau kreun e lartë të ISIS, Abu Bakr al Baghdadi, i cili ishte fshehur në një shtëpi afër kufirit me Turqinë, më 27 tetor 2019.

SHKARKO APP