Ekzekutoi biznesmenin, autori tentoi të vriste në 2012 për xhelozi
Policia e Tiranës ka zbardhur vrasjen e biznesmenit Memli Begalla, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 14 shkurtit në Tiranë, ku ka vënë në prang ekzekutorin e tij.
“Si rezultat i hetimeve të deritanishme, rezulton se autorë të dyshuar të ngjarjes së ndodhur, ku u vra me armë zjarri shtetasi Memli Begalla, janë shtetasit Denis (Alban) Demiri, 43-vjeç, banues në Tiranë dhe Ardian Serezi, 49-vjeç, banues në Tiranë”, bëri të ditur drejtori i policisë së Tiranës, Kastriot Skënderaj.
Por Demiri nuk është emër i panjohur për uniformat blu. Në prill të vitit 2012, Demiri është arrestuar, pasi me armë në brez ishte përgatitur të kryente një vrasje. Arrestimi i tij parandaloi një vrasje për xhelozi në Tiranë.
Arrestimi në 2012
Policia e kryeqytetit arriti në kohë të neutralizojë një person që dyshohet se po përgatitej të kryente një vrasje të mundshme pranë “Maternitetit të Ri”. Ai u arrestua në një lokal pranë maternitetit “Koço Gliozheni” dhe ndodhej në tavolinë bashkë me tre persona të tjerë me precedentë penalë.
Denis Demiri, i cili njihej edhe me emrin Alban Demiri, dhe në momentin e arrestimit iu gjet në brez një pistoletë tip “TT” me Nr. 8/276-1943, me një krehër me 7 fishekë dhe një në fole. Burime nga grupi hetimor thanë se 37-vjeçari Demiri mbahej në vëzhgim prej një jave nga policia, pas një konflikti fizik të ndodhur në Kinostudio me shtetasin me iniciale F. M për motive xhelozie.
Policia ka qenë e pranishme në vendin e ngjarjes një javë më parë dhe i ka shoqëruar të dyja palët në Komisariatin Nr. 4, duke u njohur edhe me problemet e tyre. Për këtë arsye, duke mbajtur në vëzhgim Denis Demirin pas incidentit, u bë e mundur që të parandalohej edhe një vrasje e mundshme që ai dyshohet se ishte duke u përgatitur ta kryente.
Burime nga grupi hetimor thanë se nga verifikimet dhe vëzhgimet e kryera në rrugë operacionale ishin siguruar të dhëna të sakta se krimi mund të ndodhte mesnatën e kaluar. Gjithashtu Policia e Tiranës tha ate kohe zyrtarisht se i arrestuari Demiri është person me precedentë penalë, pasi është dënuar më parë për vrasje të mbetur në tentative, vjedhje me armë dhe armëmbajtje pa leje.
“Arrestimi u bë mbi bazën e informacioneve të besueshme se ky shtetas po përgatitej të kryente vrasjen e shtetasit F. A., banues në Kinostudio, Tiranë, pas një sherri për motive xhelozie të ndodhur ndërmjet tyre disa ditë më parë.
Konkretisht, shtetasi Denis (Alban) Demiri u kap rreth orës 22:00 të së dielës me një armë zjarri në brez, të mbushur me fishekë gati për qitje, ndërsa arrestimi i tij u krye rreth orës 02:00”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së kryeqytetit.
KOHA JONË SONDAZH

