Ekzekutoi shokun me 3 plumba, autori: Jam penduar, e qëllova se më shau nga…
Vrasja e Vilson Tafçiut me 3 plumba në zemër në zonën e Astirit në Tiranë mbrëmjen e së hënës, ka ardhur nga një debat jo i momentit. Autori Noel Dishi pas vetëdorëzimit në polici ka shprehur pendesë për aktin e rëndë, ku edhe ka thënë se e qëlloi pasi 28-vjeçari e shau nga nëna. Dishi është shprehur se njohja mes tyre ishte e hershme, duke e cilësuar si njeri të familjes, por zënka kishte nisur që në Francë. Pas deportimit të Tafçiut në Shqipëri, të dy, thotë më tej Dishi, e kishin lënë për t’u sqaruar ditën e hënë por situata agravoi në debate dhe përfundoi me vrasje.
”Me Vilsonin ishim shokë prej vitesh. Nuk kam dashur ta vras. Të hënën shkova tek artisti për ta takuar. Nuk kam pasur si qëllim ta vras. Unë lëvizja gjithmonë me armë me vete. Kur e takova ai më shau nga nena. U ndjeva shumë i ofendur për shkak të marrëdhënies që kishim pasur. Une e kam marrë në shtëpi, nuk duhet ta thoshte këtë gjë. U nervozova dhe e qëllova. Pas krimit jam larguar dhe kam qëndruar në një hotel në Kavajë. Jam shumë i penduar për krimin e kryer”.
I riu u vetëdorëzua në polici pas negociatave me të atin. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se gruaja që i kishte rrëmbyer zemrën Tafçiut, ende e paidentifikuar, mund të jetë një prej konflikteve që ka pasur viktima me autorin e arrestuar, Noel Dishi. Vilson Tafçiu u ekzekutua me tre plumba në gjoks, mbrëmjen e të hënës në zonën e Astirit në Tiranë. 28-vjeçari ishte ulur në një lokal në këtë zonë me dy vajza në momentin që u thirr nga jashtë nga miku i tij Noel Dishi dhe më pas u qëllua për vdekje në një rrugicë pas lokalit.
Autori Noel Dishi njihej edhe me dy emra të tjerë Noel Kolaveri dhe Miklovan Prifti. Ndërsa viktima Vilson Tafçiu i cili njihej edhe me mbiemrin Noka, ishte arrestuar në Francë për trafik droge në mars të vitit 2018, ku kishte qëndruar në paraburgim për 8 muaj dhe më pas ishte deportuar drejt vendit tonë në nëntor të vitit të 2018. Ai jetonte në Dibër bashkë me familjen ndërsa kishte ardhur në Tiranë për të varrosur gjyshen, pak ditë para ngjarjes.