Elbasan, 71-vjeçari qëllon me armë ndaj Policisë. Plagosen dy kalimtarë
Dy persona kanë mbetur të plagosur në Elbasan. Mësohet se një 71-vjeçar ka pasur një konflikt me familjarët dhe këta të fundit kanë njoftuar policinë dhe në momentin që uniformat blu kanë shkuar në banesë, ky ka qëlluar në drejtim të tyre dhe në ajër. Nga përplasja kanë mbetur të plagosur dy kalimtarë. Policia ka rrethuar banesën dhe pritet të ndërhyjë. Autori i ngjarjes është Lefter Zhidru, 71 vjeç.
Të shtënat me armë kanë shkaktuar panik tek qytetarët që kanë nisur të largohen me vrap nga vendi i ngjarjes. Personi i cili po vijon të qëllojë në drejtim të policisë është ende në banesë, ndërkohë që bashkëshortja e tij dhe vajza janë nxjerrë nga uniformat blu.
Ka qenë gruaja e cila ka njoftuar policinë për dhunë në familje, por më pas personi ka bërë rezistencë duke qëlluar në drejtim të tyre. Policia ka zgjeruar perimetrin e sigurisë.
Njfotimi i parë nga Policia
Më datë 24.09.2020, rreth orës 13:20, në lagjen “11 Nëntori”, Elbasan shtetasja F. Zh., ka patur një konflikt me bashkëshortin e saj, shtetasin Lefter Zhidru, 71 vjeç, i cili në momentin që ka shkuar Policia është futur në banesë dhe ka qëlluar dhe vijon të qëllojë me armë zjarri kallash në drejtim të forcave të Policisë.
Forcat Shqiponja dhe Patrullat e Përgjithshme janë pozicionuar dhe kanë vendosur perimetrin e sigurisë dhe vijojnë t’i bëjnë thirrje këtij shtetasi të dorëzohet, i cili vijon të bëjë rezistencë duke qëlluar vazhdimisht në drejtim të Policisë.
Si pasojë e të shtënave janë plagosur jashtë rrezikut për jetën dy shtetas, L. S., 22 vjeç dhe A. K., 21 vjeç, kalimtarë të rastit, në momentin që ky shtetas ka filluar të qëllonte me armë në drejtim të Policisë. Në ndihmë të Policisë lokale janë nisur menjëherë forcat e FNSH dhe të RENEA-s, për të bërë neutralizimin dhe kapjen e shtetasit që vijon të qëllojë me armë në drejtim të Policisë.
Shtetasi Lefter Zhidru vijon të qëllojë me armë duke bërë rezistencë edhe pas thirrjeve të pandërprera të Policisë. Banesa nga e cila po qëllon ky shtetas është e rrethuar dhe Policia ka vendosur një perimetër të gjerë rrethimi, për të parandaluar dëmtimin e kalimtarëve të tjerë të rastit”.