Elbasan, gjenden në furgonin e vjedhur 3000 kubikë kanabis, “arratiset” shoferi

Policia e Qarkut të Elbasanit pas një aksioni të organizuar mesnatën e së mërkurës, njoftoi se është ndaluar një mjet furgon me 3000 kubikë të kultivuar me bimë narkotike të dyshuar si kanabis sativa.

Sipas informacioneve të marra në rrugë operative, efektivët e Komisariatit të Policisë Elbasan janë vënë në ndjekje të automjetit, që po udhëtonte drejt fshatit Shtëpanjë të Komunës Gostimë, në Elbasan.

Megjithatë, forcat policore nuk kanë mundur të arrestojnë drejtuesin e mjetit furgon, me targa FR 5776 D, i cili sapo ka parë që po ndiqej prej policisë ka braktisur mjetin dhe, duke përfituar nga errësira dhe zona e pyllëzuar, është larguar nga vendngjarja.

Furgoni është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, së bashku me sasinë e dyshuar bimë narkotike e llojit kanabis sativa. Ky mjet, pas verifikimeve të policisë, rezulton të jetë vjedhur në qytetin e Fierit më 30 shtator të vitit 2014.

Policia bën të ditur se po punon intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorit, ndërkohë që materialet e deritanishme i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Elbasanit për veprimet e mëtejshme.

SHKARKO APP