Elbasani forcon demokracinë lokale. Llatja thekson rëndësinë e buxhetimit me pjesëmarrje në Rajonin nr. 4

Takimi i radhës i procesit të buxhetimit me pjesëmarrje vijoi në Rajonin nr. 4, ku Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, ishte i pranishëm për të dëgjuar dhe diskutuar me banorët e kësaj zone.

Gjatë fjalës së tij, Llatja theksoi se shkolla ku u zhvillua takimi është rikonstruktuar tërësisht, duke u bërë një model për investimet që Bashkia ka kryer në këtë zonë. Ai përmendi gjithashtu përfundimin e rrugëve kryesore si “Pusi që lahet vetë”, “Partizani” dhe “Aqif Pasha”.

“Buxhetimi me pjesëmarrje nuk është thjesht një formë konsultimi për buxhetin, por një shembull i qartë i demokracisë së drejtpërdrejtë, ku çdo qytetar ka mundësi të japë mendimin e tij dhe të ndikojë në vendimmarrjet publike të Bashkisë,” u shpreh Llatja.

Ai shtoi se ky proces është një mekanizëm i rëndësishëm për të garantuar transparencë dhe për të vendosur themelet e një strukture të mirë të buxhetit. Në këtë rajon, gjatë viteve të kaluara, shumë nga kërkesat e banorëve janë reflektuar në projekte konkrete zhvillimore.

Një pjesë tjetër e diskutimit u përqendrua në Kalanë e Elbasanit, një nga asetet më të rëndësishme kulturore dhe turistike të qytetit. Llatja nënvizoi rëndësinë e investimeve për rikualifikimin e zonës së kalasë, duke përmendur punimet që priten të fillojnë për zyrën e vjetër arsimore dhe shtëpinë e Aleksandër Xhuvanit. Ai theksoi se investimet e mëdha për të rijetësuar kalanë do të kenë një impakt të qëndrueshëm ekonomik dhe turistik për qytetin.

“Ne jemi të gatshëm të investojmë për vitin e ardhshëm në infrastrukturën e lagjes Kala dhe do të vazhdojmë me investime strategjike që synojnë zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Elbasanit,” deklaroi Llatja.

Ndërkohë, investimet në infrastrukturën e ujësjellësit dhe kanalizimeve edhe në zonat informale po ecin me ritme të shpejta. Kryetari i Bashkisë njoftoi se projekti për përmirësimin e rrjetit të ujit të pijshëm pritet të përfundojë vitin e ardhshëm, duke garantuar furnizim të pandërprerë me ujë cilësor për qytetarët.

SHKARKO APP