Elvis Naçi hap debat të ri: Femra duhet të zbukurohet dhe në shtëpi
Elvis Naçi foli sot tek “Pasdite në Top Channel”, për video-n, ku shprehej se nëse gruaja shëndoshet, burri do ta tradhëtojë dhe familja ka marrë fund. Naçi tha se një ndër gjërat që e bën më krenar, është fakti se vetë s’e ka tradhëtuar ndonjëherë gruan.
Në pjesën e dytë të videos, Naçi thoshte se gruaja është krijuar nga xheneti që t’i japë burrit kënaqësitë e parajsës në tokë dhe prandaj, duhet dashur e trajtuar si gjëja më e shtrenjtë. “Qetësohuni tek bashkëshortja, si u qetësojshit në xhenet”, shprehet Naçi në këtë video.
Naçi sqaroi edhe deklaratën e tij famëkeqe, ku thoshte se gruaja duhet të mbahet e të kujdeset për veten, nëse nuk do që burri ta tradhtojë. “Videoja e parë u keqkuptua se femrat u vunë në presion, se çfarë po na kërkon ky të bëjmë. Presupozohet që mashkulli është më i dhënë ndaj femrës më shumë se femra ndaj mashkullit, prandaj mund të ketë konkurrente. Nëse për femrën s’ka problem, kalon edhe një muaj, për mashkullin një muaj është problem”.
Një prej argumenteve të grave në rrjetet sociale është se, sido që të jesh, e mbajtur ose jo, në fund të ditës yt shoq do të të shikojë lakuriq, pa grim dhe me të gjitha defektet, Naçi e la debatin në suspansë, si për të paralajmëruar fillimin e një debati të ri, si sagat nëpër filma: “Ju evituat një debat: a duhet të zbukurohet femra siç zbukurohet jashtë shtëpisë, edhe brenda shtëpisë? Por unë nuk po flas më për këtë”.