Emigrantët në rrugë: Duhet pasaportë serbe të futemi në atdhe. Rama na trajton si qenër
Kufijtë janë mbyllur dhe qeveria është e vendosur në këtë drejtim edhe pse në dogana janë emigrantë shqiptarë që duan që të kthehen në atdhe. Rreth 15 emigrantë shqiptarë gjenden prej 72 orësh në tokën neutrale në doganën e Kakavijës. Ato shprehen se duan të shkojnë në shtëpitë e tyre pranë familjarëve dhe për këtë nuk dihet t’i ndalojë askush. Ata i kërkojnë ndihmë Presidentit Ilir Meta, partive politike pasi sipas tij janë lënë të braktisur nga kryeministri Edi Rama dhe qeveria.
Deklarata e plotë
Jemi në Kakavijë të bllokuar nga dogana shqiptare. Kemi tre ditë dhe tre net që jemi të izoluar dhe të bllokuar nga qeveria shqiptare. i bëjmë thirrje kryeministrit, duam rrugëzgjidhje, edhe mediave iu bëjmë thirrje që ta përhapin këtë çështje tonë. Partive politike dhe presidentit, se qeveritarët nuk duan ta dinë a jemi gjallë a s’jemi gjallë. Jemi shtetas shqiptar. Duhet me marrë pasaportë serbe të hymë në tokë shqiptare se me pasaporta shqiptare nuk pinë më ujë.
Kur ne jemi shqiptar, ikim si njerëz dhe greku na sillet si njeri dhe shteti jonë shqiptar me në krye Ramën na trajtojnë si qenër. Por kalojmë me lopë e derra, dhe ne shqiptarët që jemi njerëz me dokumente të refuzohemi nga shteti jonë, kur nuk na ndalon njeri.
Por të ishim në luftë siç thotë Rama, shqiptarët duhet të ktheheshin në shtëpi që të jetë në shtetin e tij, kombin e tij jo të katandisen rrugëve më keq se skllevërit. Po hyn të huaj në shtetin tonë dhe ne të mos hynë? Jam nga Berati dhe me atë emër që më ka lindur nëna dhe me atë do të vdes. Edhe sot të vdes këtu, ama dihet që jam shqiptar dhe dua zgjidhje. Bëjmë 72 orë që dhe në burg nuk mbahen njerëzit. Do jap intervistë në TV grek dhe do them këto gjëra që ta dëgjoj e gjithë Europa se çfarë po bën shteti shqiptar për njerëzit e tija.