Emiljano po pinte kafe, autori e thirri dhe e vr*u. Dy burrat jetonin në një banesë

Sherri për pronësinë e një apartamenti shkaktoi dy viktima mbrëmjen e së mërkurës në Korçë. 61-vjeçari Ilio Lluka qëlloi 40-vjeçarin Emiljano Pine, dhe më pas me të njëjtën armë qëlloi edhe veten. Babai i autorit të ngjarjes bashkëjetonte me familjen e Emiljanos prej 4 vitesh. Nëna e Emiljanos kujdesej për të, kjo për shkak të pamundësive të tij fizike dhe moshës. Sipas banorëve, babai i Emiljanos kishte 1 vit që kishte ndërruar jetë dhe ata e vazhdonin bashkëjetesën në këtë apartament.

“Dëgjova krisma, dola jashtë dhe i pashë të dy të shtrirë në rrugë. I njihja të dy personat. Emiljano ishte djalë i shkëlqyer. Nëna e Emiljanos e mbante në shtëpi babanë e Ilos prej disa vitesh dhe kujdesej për të, që kur ishte edhe i shoqi gjallë. Dëgjova krisma mbrëmë. I thashë gruas mos janë fishekzjarrë dhe nuk dola në moment. Kur dola për të mbyllur derën pashë çfarë kishte ndodhur. Nuk njihja asnjërin prej tyre”, thonë fqinjët.

61-vjeçari ka shkuar në lokalin ku Emiljano po pinte kafe, pasi i ka kërkuar të dalë jashtë e ka qëlluar tre herë duke e lënë të plagosur rëndë, më pas me një plumb i ka dhënë fund dhe jetës së vet. Emiljano Pine, i cili njihej dhe me identitetin Jorgo Prifti humbi jetën gjatë transportimit për në spitalin e Korçës.

Pista kryesore e hetimeve mbetet trashëgimia e një apartamenti në pronësi të babait të autorit të ngjarjes, i cili donte t’ia linte si trashëgimi djalit të kujdestares. Lluka ishte emigrant, jetonte në Greqi dhe pasi ka marrë vesh vendimin e të atit për shtëpinë, është kthyer nga shteti grek dhe mbrëmjen e djeshme vrau Emiljanon e më pas veten. 61-vjeçari Lluka njihet si përdorues i pijeve alkoolike ndërsa ekspertiza mjeko ligjore ende nuk e ka konfirmuar nëse ka qenë nën efektin e alkoolit në momentin kur kreu krimin.

SHKARKO APP