Emiriana Sako: Manchester City në Durrës, një mundësi e shkëlqyer për fëmijët dhe të rinjtë
Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako njëherësh edhe kandidate e PS-së për këtë bashki prezanton vizionin e saj për katër vitet e ardhshme. E pyetur se përse duhet që qytetarët e Durrësit duhet t’i besojnë edhe një mandat tjetër, Sako thotë se kanë gati projektet e mëdha për transformimin e Durrësit.
E ftuar në emisionin ”Kontrast”, Sako dha përgjigje për procesin e rindërtimit duke thënë se do të përfundojë brenda vitit 2024, e më pas nuk do të ketë asnjë familje pa marrë shtëpi të rindërtuar. Në lagjen e re të rindërtuar, në Spitallë, Sako thotë se do strehohen familjet e para brenda qershorit të këtij viti.
“Durrësi vjen nga një mandati i vështirë, nga problematikat që solli tërmeti ,pandemia, por edhe pas këtyre fatkeqësive është hapur një kapitull i rëndësishëm zhvillimi me projekte transformuese në aspektin turistik dhe ekonomik të tij. Kantieret e mbetura i kemi në kontrata në zbatim, qoftë objektet DS4, janë rreth 69 pallate që janë duke u riforcuar dhe lagjja e re rindërtimit, Spitalla, është një kantier që mendojmë se brenda gjysmës së vitit do strehohen familjet e para, për të bërë të mundur që i thithë programi të përmbyllet brenda 2024”, tha Sako.
Kryebashkiakia socialiste renditi një sërë projektesh që i kanë gati për qytetin bregdetar. Sako tha se do të ndërtojnë një parking falas, si edhe kanë gati ndërtimin e një unaze për të lehtësuar trafikun në lagjen e Currilave.
Ajo shtoi se do të ndërtojnë edhe 400 banesa sociale, ndërsa do të investojmë edhe ndërtimin apo rikonstruksionin e shkollave. Nuk mund të linte pa përmendur marrëveshjen e rëndësishme për ngritjen e një akademie të Manchester City në Durrës.