EMRAT/ Nga droga tek prostitucioni e pastrimi i parave, OFL iu kërkon deklarim pasurie 4 ‘të fortëve’ në Fier e Divjakë
Operacioni ‘Forca e Ligjit’ është ndalur sot në Fier dhe ne Divjake, ku iu kërkon deklarim të pasurisë 4 personave. Gazetarja Dorjana Bezat raporton për ‘BalkanWeb’ se bëhet fjalë për shtetasit: Astrit Gjoni, banues në Divjakë, i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, për veprën penale “Vrasja e kryer në bashkëpunim” dhe nga Gjykata e Catanzaros, Itali, për veprat penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”; Shaban Zenaj, banues në Fier, i dënuar nga Gjykata e Milanos, Itali, për veprën penale “Bashkëpunim kriminal, me qëllim trafikimin dhe shitjen e lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal i shtetit italian
Po ashtu formulari iu është kërkuar që të plotësohet edhe shtetasve Petrit Sulejmani, banues në Fier, i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve, i kryer në bashkëpunim” dhe Esat Mehmetit, banues në Fier, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për kryerjen e veprave penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Organizata kriminale” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”;
NJOFTIMI I OFL
Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:
A. Gj., banues në Divjakë, i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, për veprën penale “Vrasja e kryer në bashkëpunim” dhe nga Gjykata e Catanzaros, Itali, për veprat penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”;
Sh. Z., banues në Fier, i dënuar nga Gjykata e Milanos, Itali, për veprën penale “Bashkëpunim kriminal, me qëllim trafikimin dhe shitjen e lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal i shtetit talian;
P. S., banues në Fier, i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve, i kryer në bashkëpunim”;
E. M., banues në Fier, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për kryerjen e veprave penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Organizata kriminale” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”;
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.
/BalkanWeb