EMRAT/ Parandalohet ngjarja kriminale në Vlorë, arrestohen tre persona me precedentë kriminalë, po udhëtonin në taksi me kallashnikov drejt qytetit
Tre persona me precedentë kriminalë janë arrestuar në Vlorë teksa ishin duke udhëtuar në një automjet taksi me një kallashnikov nga Llakatundi në qytet.
Gazetarja Dorjana Bezat raporton për BalkanWeb se të arrestuar janë Klajdi Basha, i dënuar më parë në Itali për organizatë kriminale në fushën e prostitucionit, Klaudjo Misri i dënuar më parë për trafik droge në Itali dhe Daniel Bako i dënuar për vjedhje në Shqipëri.
Në fakt armën e kishte 45-vjeçari Klajdi Basha teksa dy të tjerët u arrestuan për moskallëzim krimi edhe pse të tre udhëtonin në të njëjtën automjet të tipi taksi. Policia ndërkohë thotë se po punon për të zbardhur arsyet e vërteta të këtij veprimi nga tre personat e dyshuar.
NJOFTIMI NGA POLICIA
Vlorë
Kontrolle të shtuara në të gjitha qarkun, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje.
Parandalohet një ngjarje e mundshme kriminale. Forcat e posaçme “Shqiponjat” kapin dhe vënë në pranga një shtetas që udhëtonte drejt Vlorës, me armë zjarri kallashnikov me vete.
Vihen në pranga dhe dy shtetas të tjerë që udhëtonin me të.
Sekuestrohet 1 armë zjarri dhe municion luftarak.
Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, në vijim të punës për rritjen e parametrave të sigurisë, si rezultat i kontrolleve të shtuara për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri me vete, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se tre shtetas po udhëtonin me një mjet taksi nga Llakatundi në drejtim të Vlorës dhe se njëri kishte armë zjarri me vete, kanë organizuar punën për kapjen e tyre.
Si rezultat i ndërhyrjes në kohë dhe me profesionalizëm u bë lokalizmi dhe bllokimi i mjetit me të cilin udhëtonin, si dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit K. B., 43 vjeç, banues në lagjen “1 Maji”, Vlorë, të cilit gjatë kontrollit nga forcat e posaçme “Shqiponjat”, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri kallashnikov dhe një sasi municioni luftarak.
Në vijim të këtyre veprimeve u bë arrestimi për “Moskallëzim krimi”, i shtetasve D. B., 34 vjeç dhe K. M., 28 vjeç, banues në Vlorë, të cilët udhëtonin së bashku me shtetasin që posedonte armën e zjarrit.
Këta shtetas janë me precedent kriminal të mëparshëm në fushën e narkotikëve, shfrytëzimit të prostitucionit dhe atë të vjedhjes. Ata kishin marrë një mjet taksi dhe ishin nisur në drejtim të qytetit të Vlorës.
Nga strukturat hetimore të DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna intensive për zbardhjen e qëllimit që kishte personi që qarkullonte me armë zjarri me vete.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.