Ende s’ka datë për vitin e ri shkollor, Shahini: 61 bashkitë të nisin dezinfektimin
Në një komunikim të përbashkët, ministrja e Arsimit, Besa Shahini dhe ajo e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, thanë se këto dy institucione po bashkëpunojnë për detajimin e protokolleve të sigurisë, për të garantuar kufizimin e përhapjes së virusit nëpër shkolla, por pa dhënë një datë të saktë për fillimin e mësimit.
Shahini u kërkoi sot 61 bashkive të vendit që të nisin pastrimin e shkollave. Ajo tha edhe se 87% e nxënësve duan të kkthehen në shkolla. Shahini gjtihashtu u bëri thirrje bashkive, që të vijojnë dezinfektimin e shkollave.
“Ne kemi bërë një pilotim të shkollave. Ne mund te ruajmë shëndetin, duke i hapur shkollat me kujdes. Gjermania dhe zvicra i hapën shkollat pa bërë shumë ndryshime. Ne duam të hapim shkollat sipas specifikave, por duke i kombinuar me mësime që zhvillohen në kushte shtëpie”.
Manastirliu u shpreh se grupet e ekspertëve janë në komunikim për detajimin e protokolleve të sigurisë, për të garantuar kufizimin e përhapjes së virusit. ”Transmetimi i sëmundjes në shkolla është i rrallë dhe me masat e duhura, ka pak gjasa të jenë mjedise të shtimit të transmetimit të virusit. Kemi eksperiencën e deritanishme me hapjen e çerdheve dhe kopshteve, ku ka pasur raste sporadike të infeksionit dhe jo shpërthime. Do të vijojmë të mbajmë të informuar qytetarët. Shëndeti vjen gjithmonë i pari”.