Endrit Braimllari: Nuk ka kompromis me Edi Ramën, kërkojmë qeveri tranzitore

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari në një intervistë për emisionin 7pa5 deklaroi se opozita është në rrugën e saj dhe se nuk ka kompromis me Edi Ramën.

Mes tjerash Braimllari shprehet se Opozita do shkojë deri në fund, deri sa Edi Rama të largohet.

Lexoni më poshtë intervistën e plotë të Braimllarit:

Aksioni i radhës i opozitës, kur do të jetë protesta e radhës? Dhe a do të vazhdoni me protesta kombëtare të cilat zhvillohen një herë në muaj apo sa më shumë i afrohemi datës 30 qershor aq më prezente do të jetë përmes manifestimeve apo protestave opozita?

Ajo që dua të them është që tanimë opozita është e venduar në rrugën e saj. Nuk ka kompromis me Edi Ramën. Ne kërkojmë qeveri tranzitore për t’i hapur rrugën zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Nuk mund të bëjmë kompromis me një person i cili ka shkatërruar parlamentarizmin në vend, me një person i cili ka shkatërruar demokracinë në vend. Në vend nuk ka Gjykatë Kushtetuese. Në vend nuk funksionon Gjykata e Lartë. Kanë shkuar mbi 50 mijë dosje të cilat nuk po merren në shqyrtim nga gjykatat. Pra ka kapur çdo sistem në këtë vend. Sistemi i drejtësisë është totalisht në varësi të Edi Ramës. Prokurorët e kalojnë Vettingun me porosi të Edi Ramës. Kemi totalisht shkatërrimin e këtij sistemi. Varfëria është në ekstrem. Të rinjtë dhe të rejat po e lënë vendin dhe po largohen nga vendi për shkak të mungesës së shpresës dhe besimit në këtë vend. Biznesi është totalisht i shkatërruar. Nuk ka më shpresë në këtë vend dhe kjo vjen për shkak të Edi Ramës. Dhe në këtë kuadër nuk ka kthim pas të opozitës. Opozita do shkojë deri në fund, deri sa Edi Rama të largohet.

Edi Rama thotë hajde të dialogojmë…

Edi Rama pikë së pari duhet të lërë ironinë. E dyta nuk duhet të provokojë qytetarët dhe duhet të bëjë kujdes me provokimet ndaj qytetarëve. Sepse nuk bëhet fjalë për një turmë partish dhe unë ju kërkoj ndjesë kur them fjalën turmë. Bëhet fjalë për njerëz që u ka shkuar në palcë varfëria. Bëhet fjalë për njerëz që nuk kanë bukë të hanë në shtëpinë e tyre. Bëhet fjalë për njerëz të irrituar dhe qytetarë që nuk kalojnë dot muajin. Bëhet fjalë për prindër të cilët nuk edukojnë dot fëmijët e tyre për shkak të sistemit klientelist të Edi Ramës dhe për shkak të kostos së lartë të jetesës.
Tani nuk bëhet më fjalë për disa anëtarë të PD-së apo të LSI-së. Bëhet fjalë për qytetarë të cilët po reagojnë ashpër kundër 5-6 viteve të shkatërrimit të jetës së tyre për shkak të një politike klienteliste të Edi Ramës. Për sa i përket reagimit, reagimi do të jetë gjithmonë e në rritje deri sa Edi Rama të largohet.

Si mendoni se do ta arrini një kompromis apo një zgjidhje të kësaj situate, sepse po shkojmë drejt 30 qershorit?

Rrini e qetë ju dhe të gjithë teleshikuesit. Nuk ka zgjedhje në 30 qershor pa opozitën.

Si do t’i ndaloni?

Absolutisht opozita i ka të gjitha mundësitë dhe do përdorë çdo mënyrë për të instaluar demokracinë në vend. Ne nuk mund të lejojmë që ky vend të shkojë në një shtet monist. Do përdorë çdo mundësi dhe i ka të gjitha mundësitë opozita për zgjedhjet e 30 qershorit.

Cilat janë opsionet që ju jepni për zgjidhjen e kësaj situate? Sepse ju kërkoni largimin e Edi Ramës, ndërsa ai është kryeministri i vendit, i zgjedhur me votat e qytetarëve shqiptarë dhe i pranuar nga ndërkombëtarët, i certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Të kërkoni largimin e tij në këtë situatë është të kërkoni maksimumin. Dhe në një situatë të tillë kur ju kërkoni maksimumin dhe thoni që nuk dialogojmë me Edi Ramën kur ai është kreu i Partisë Socialiste dhe kryeministër i vendit duket se nuk kërkoni një zgjidhje…

E para Edi Rama nuk është një kryeministër legjitim. Është ilegjitim dhe drejton një qeveri ilegjitime. Dhe e vërtetuar tashmë nga përgjimet e dosjes 339, ku e gjithë kupola drejtuese e Partisë Socialiste u hodh në sulm në zgjedhjet e 2017 me porosi të Edi Ramës për të takuar çdo kriminel dhe për të deformuar votën e shqiptarëve. Kemi thirrjen publike që Edi Rama i bën Policisë së Shtetit nga Kuçova. Hiqni kapelet dhe bëni fushatë për Partinë Socialiste.

Pra i gjithë ky sistem i ngritur nga Edi Rama prodhoi një Parlament të kapur nga krimi dhe nga oligarkia. Dhe në këto kushte në Shqipëri ka rënë demokracia sepse Parlamenti nuk është aty për të miratuar dhe për të punuar për ligje në shërbim të qytetarëve. Por është aty për të hartuar ligje në shërbim të Edi Ramës dhe nj grup njerëzish që kanë kapur Edi Ramën. Ligji i Teatrit, ka hyrë në histori Edi Rama, bëri ligj në Parlament në kundërshtim me Kushtetutën, me emër specifik të një biznesi. Pra çfarë të presin më shqiptarët? Po u merr frymën çdo ditë shqiptarëve. Pra ky është një njeri i papërgjegjshëm. Paligjshmëria e Edi Ramës ka kaluar në ekstrem. Dhe paligjshmëria e Edi Ramës ka kaluar në ekstrem për shkak se nuk funksionojnë gjykatat. Nuk ka Gjykatë Kushtetuese. E shkatërroi Edi Rama Gjykatën Kushtetuese. Se nëse do kishim Gjykatë Kushtetuese, nëse do ishte vendi në linjat e kushtetueshmërisë të jeni të bindur që dhe opozita nuk do merrte këtë akt ekstrem. Opozita do të ishte brenda institucioneve dhe brenda në Parlament për të debatuar e të tjera me radhë. Por ky e çoi opozitën në cep, duke shkelur ligjet dhe Kushtetutën, duke shkatërruar institucionet në këtë vend dhe ne nuk kishim rrugë tjetër.

Cilat janë opsionet që ju propozoni për zgjidhjen e krizës?

Opsioni është shumë i qartë: qeveri tranzitore për t’i hapur rrugën zgjedhjeve.

Më kë do ta negocioni qeverinë tranzitore?

Të largohet Edi Rama dhe negociohet qeveria tranzitore. Është shumë e thjeshtë.

Por me këtë do ta negocioni?

Ne nuk po themi që Edi Ramën ta heqim nga kryetar i Partisë Socialiste. si kryetar i Partisë Socialiste mandatin ja jep partia e vet për ta bërë këtë gjë, nuk ja japim ne. Por si kryeministër nuk ka negociata me Edi Ramën. Edi Rama është përgjegjësi kryesor i shkatërrimit të vendit. Nuk ka kompromis me Edi Ramën, për këtë të jeni të bindur. Ka vetëm një kompromis, me qytetarët në shesh për të rrëzuar Edi Ramën. Ky është kompromisi i opozitës.

Me Edi Ramën si kryetar i Partisë Socialiste do të negocioni?

Nuk është kjo e rëndësishme sepse ne nuk jemi këtu për të zgjedhur kryetarin e Partisë Socialiste.

Por ju keni ngritur të gjithë kauzën tuaj mbi një emër…

Jo mbi një emër e keni gabim. Mbi një sistem që ka ngritur ky emër. Një sistem të korruptuar, një sistem i cili nuk i përgjigjet qytetarëve. Qeveria nuk është e Partisë Socialiste. Qeveria presupozohet t’u shërbejë shqiptarëve. Partia Socialiste nuk është e 100% shqiptarëve. Edi Rama e ka konceptin që qeveria është moniste, por e ka të gabuar sepse sheh ëndrra. Është futur në botën e tij ireale, e mashtrojnë ato zagarët e tij politik, jemi mirë këtu, jemi mirë atje dhe i duket sikur është mbreti i Shqipërisë. Kjo është e gabuar. Qeveria është për ti shërbyer qytetarëve jo vetëm një grupi të caktuar njerëzish. Ky ka shkatërruar institucionet nëpërmjet një qeverie ilegjitime.

Data 30 qershor është data e dekretuar nga Presidenti për zhvillimin e zgjedhjeve lokale. Ditën e djeshme ishte afati i fundit i KQZ. PS ka paraqitur 61 kandidatët e saj, 25 Bindja Demokratike. Si do ta pengojë opozita realizimin e një procesit të tillë?

Ne nuk kemi asnjë kundërshti ndaj qytetarëve sepse duket sikur do pengojmë ne qytetarët. Absolutisht nuk do pengojmë qytetarët. Aq më pak LSI që është një parti që i ka dhënë shumë vendit në proceset integruese dhe demokracisë në Shqipëri. Por ka mënyra të tjera për të mos lejuar që në 30 qershor të zhvillohen zgjedhje farsë dhe për të mos lejuar që në 30 qershor të instalohet në vend një sistem monist. Bindja Demokratike e ça janë këto parti dalin me porosi të Edi Ramës. Jo vetëm këto por edhe këta kandidatë të pavarur që dalin. Ne e dimë sesi funksionon Edi Rama sepse e provoi në 2011 sesi e humbi bashkinë e Tiranës. Por ne po shkojmë akoma mbrapa me Edi Ramën Kryeministër. Pra nuk ka zgjedhje në 30 qershor pa opozitën. Të jeni të sigurt.

Si do ta ndaloni?

Opozita i ka të gjitha mënyrat dhe format për të mos lejuar që në këtë vend të zhvillohen zgjedhje farsë. Përkrahja popullore i jep këtë besim opozitës. Një protestë e jashtëzakonshme, marshimi i thirrur ditën e shtunë për ditën e hënë tregon dhe njëherë që opozita është mazhoranca në këtë vend dhe ka mbështetjen e jashtëzakonshme popullore dhe ato qytetarë nuk do lejojnë që në këtë vend të zhvillohen zgjedhje farsë. Edi Rama këtë gjë e di shumë mirë. Dhe të jeni të bindur që nuk do shkojë Edi Rama në zgjedhjet e 30 qershorit. Këtë e them me bindje maksimale. Edi Rama po përdor zgjedhjet e 30 qershorit si një skemë shumë të mirë menduar nga ana e tij për të pastruar partinë socialiste. Dhe për të hequr njerëzit që i ka pengesë brenda partisë. Detyroi 5 a 6 deputetë të japin dorëheqjen, ato kot e dhanë se zgjedhje nuk do ketë, ka zgjedhur ca lista kandidatësh në gjithë Shqipërinë për ti bërë pis. Ndoshta mes tyre mund të ketë njerëz shumë serioz por ky thjesht ti përdor për momentin sepse zgjedhje nuk do ketë.
Në një moment zgjedhje do ketë…
Të jeni të bindur dhe unë do vij prapë në studion tuaj që 50% e këtyre emrave që ka sot, nëse ka zgjedhje pas 30 qershorit nuk do jenë. Dhe këtë e them me bindje të plotë.

Ku e gjeni këtë bindje?

E di shumë mirë. Ne kemi informacion brenda PS. E di si janë vendos emrat? “Pranvera të lutem futu në listë”. Nuk kanë pranuar kandidatët, i kanë shkuar në shtëpi duke i bërë presion kandidatëve për tu futur në listë.

Keni ndonjë emër konkret?

Sigurisht. Nuk është momenti për ta thënë por ditët në vazhdim do të dalë. I kanë bërë presion, nuk kanë pranuar. I kanë thënë ke këtë biznes do të bëj këtë gjë. Ky është Edi Rama. Po përdor çdo lloj mënyrë për të mbajtur me presion pushtetin e tij që është i degraduar. Ai duhet ta kuptojë që personi që Edi Ramën po e merr në qafë dhe personi që do të jetë koka e parë e turkut nga qeveria është Sandër Lleshi.

Duket sikur gjithmonë betejat kanë qenë zhvilluar ndaj ministrit të brendshëm në Shqipëri...

Absolutisht jo. Nuk ka pasur Shqipëria pas ’91, instalimit të demokracisë dhe zgjedhjeve të lira në vend, një ministër të tillë të brendshëm.

Kështu keni thënë dhe për Saimir Tahirin..

Saimir Tahiri mund të ketë probleme me trafikun ndërkombëtar, me hashashin por në protestat e opozitës nuk është dhunuar ndonjë qytetar qoftë në kohën e Saimir Tahirit, Fatmir Xhafës e të gjithë me radhë. Qoftë edhe me 21 Janar.

Janë vrarë thonë në 21 janar, ky është fakt…

Nuk dua të flas për një ngjarje të rëndë sepse cdo jetë e humbur në 21 janar, është e rëndë për vendin dhe është tragjike. Por ironi dhe tallje me 21 janarin më të madh se Edi Rama nuk ka. Ai gardistin që godiste mbi turmën e propozoi Kryetar Bashkie në Mat. Çfarë doni më ju? Ai tallet me gjakun e shqiptarëve në shesh. Del Erion Brace dhe Edi Rama në Parlament dhe thonë drejtësi për 21 janarin. Për çfarë drejtësie? Ti drejtësinë duhet ta vendosesh brenda me kryetarin tënd të partisë. Personin që ka goditur dhe ka qenë pjesë e grupit të zjarrit ti e vendos kandidat për Kryetar Bashkie në Mat.

Shikoni një zgjidhje politike përpara apo pas 30 qershorit?

Ne e kemi vendosur rrugën tonë, qeveri transitore. Nuk ka kompromis me Edi Ramën. Ne jemi të vendosur kemi mbështetje maksimale të qytetarëve. Nuk mund të tradhtojmë qytetarët e këtij vendi.

Qeveri transitore para apo pas 30 qershorit?

Sa më shpejt. Unë e shoh para 30 qershorit.

SHKARKO APP